E Shtunë, 31 Tetor 2026

ACR pret përgjigjen e ekspertëve për të zbuluar shkaqet

TIRANË Kompania ACR ka reaguar në lidhje me ngjarjen më të fundit në minierën e Bulqizës, ku 1 minator humbi jetën, ndërkohë që 8 të tjerë mbetën të plagosur. ACR ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e minatorit Naim Shyti dhe nënvizon se do të kujdeset për trajtimin shëndetësor të të plagosurve. “ACR shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit, Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur”, - thuhet në reagimin e ACR-së.

ACR në reagimin e saj ka sqaruar mënyrën si ka ndodhur shpërthimi, ndërkohë thekson se do jenë ekspertët e Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave që do të përcaktojnë shkakun e shpërthimit. “Rreth orës 10:00, një aksident i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës. Gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE-n, është hasur një vatër hidrogjeni. Grupi ekspert i ajrimit, në përbërjen e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi, kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 – 50 metra larg ballit të punimit, ka ndodhur shpërthimi i gazit. Si pasojë e këtij shpërthimi, punëtori i ajrimit Naim Shyti ka humbur jetën dhe 7 minatorë të tjerë janë plagosur. Arsyeja e shpërthimit ende nuk është e ditur, por priten përfundimet e ekipeve eksperte edhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun”, - thekson ACR.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›