E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Sa kërkon që të na shtypë një librë me 300 faqe

Letër e Fan Nolit dërguar nga Bostoni më 14 prill 1908 Athanas Tashkos. Letra është shkruar në një fletë, në dy faqe, me bojë të zezë. Ka përmasat 21.3 me 27.6 cm. Në pjesën e sipërme, majtas, shfaqet për herë të parë në letra sigla e Kishës së “Shën Gjergjit”.

Orthodox Church of Albania “St. George”

Rev. Fan S. Noli Pastor

28 Park Square

Boston , Mss.,14/8/1908

I dashur vëlla

E mora letrën tuaj me kohë si dhe çeknë me 10 dollarë, dhe përshpirtin do t’a bëjë pa emër, sikundër më shkruani, në Biddeford pas-nesër.

Sa për shtypjen e librës kam t’ju them këto: më 28 të gushtit, do me thënë pas dy javësh, kur të zgjidhet Pleqësia e Kishës do t’i ipet fund ku duhet shtypur libra. Këtu do mos shtypet nga që do kushtojë shumë e para, e dyta do mos shtypet mirë, e treta duhet të qëndrojë botim i Kombit të pakën për 2 muaj që të shtypet.

Kam shkruar ne Faiku të pyesë në Bryksel sa kërkon ay atje që të na shtypë një librë faqe-bardhë dhe artistikë me 300 faqe afër dhe 3-4.000 copë me kartë të bukur. Kam shkruar Z. Xhuzepe Skiro të pyesë sa munt të na kushtojë po të shtypet n’Italie. Kam shkruar edhe ne Z. Kristo Luarasi shohëm sa do të na kushtojë për atje.

Po mëndja ime është të shtypet në Bryksel a n’Italie që të shtypet siç lipset. Për të tierat libra s’më ha aqë malli ku do të shtypen, po kjo duhet shtypur bukur, më një Shtypshkronjë Europiane siç lipset dhe shpejt.

Z. Luarasi munt të mënojë shumë dhe ne na lipset, se ja nesër do të nisin Priftërija në Shqipërinë të meshojnë shqip.

Ju përhiroj tepër për 20 litrat që kini gati të mblidhni, po lëmëni t’u them që unë vetëm idenë time do t’ap në mbledhjen që do të bëhet pas dy javësh dhe Pleqësia e ka në dorë të zgjedhë vendin ku do të shtypet, passi të marrin letrat nga ata që u shkruam, shohëm sa kërkojmë që t’a shtypin.

Konstitutcja u dha. Tashti duhet punë dhe shpejt. Nisa librën e tretë të Kishës Kombëtare që do të ketë Brenda himnet dhe troparet e të kremteve të mëdha të motit. M’u nxi shpirti nga këto kthime, se janë jo vetëm të vështira e të zorishme po dhe të mërzitura fort. Po këtë e di vetëm unë. Të tjerët lëshojnë buzët kur u them që duhen shtypur. Po durim. Kështu thotë Krishti dhe Nipçe-ja, që të dy janë më një mëndje mi këtë çështje.

Nga vera e motit 1909 shkoj në Shqipërië dhe do nis luftën e parë kundër klerit grek, që do t’a quaj “Kryqëzatë e Parë e Historisë Shqipe”. Kam zgjedhur Elbasanin për qëndrënë, nofta të vete Dhespot i gatshëm së këtejmi. Më kanë zënën prapë mizat dhe s’më rrihet këtu. Po ç’të bëjë? Duhen shtypur librat më parë. Durim.

Ju dërgoj bekimet e kishës Apostolike Shqipe dhe urime të nxehta prej meje

Shërbëtorit të Saj të përunjët

Dhe Atit tuaj më Krishtin

+Fan S. Noli,

Priftit të Shqipëtarëve me lejen e Perëndisë.

P. S. Epi bekimin dhe uratën e Krishtit të dashurit Rubattiono.

+F. N.

(AQSh, Fondi Thanas Tashko, Dosja 20, Faqe 42.)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›