E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i SHISH, mesazhi në telefonin e të birit nuk u dërgua nga Çopa

SHKRUAN: Leonard Bakillari 03-11-2011 11:36

Grupi i hetimit krahason mesazhin e mbërritur në telefonin e djalit të Isa Çopës me SMS apo materiale të tjera të shkruara prej tij. Shkrimet nuk përputhen. Vazhdojnë hetimet për vrasjen për shkak të detyrës

Tiranë Vdekja e oficerit të SHISH-it, Isa Çopa, është klasifikuar zyrtarisht si vrasje, nga Prokuroria e Durrësit, pistë kjo e përforcuar nga një sërë të dhënash të mbledhura nga hetimet e deritanishme. Edhe disa detaje që fillimisht orientuan hetimin drejt pistës së vetëvrasjes, pas raportit të ekspertizës mjeko-ligjore, duket se po zbehen. Mesazhi që mbërriti në celularin e djalit të viktimës nga numri i tij i telefonit dhe bidoni që Çopa ka marrë në banesën e mbesës së tij, sipas hetimeve të deritanishme nuk e lidhin ngjarjen me pistën e vetëvrasjes. Hetimet tregojnë se rreth 15 minuta para se oficeri i SHISH të ndërronte jetë, ka dërguar në celularin e djalit të tij një SMS, ku i kërkon të bëhet i fortë dhe ta përballojë vetë jetën. Pikërisht ky mesazh fillimisht hodhi dyshime të forta se 49-vjeçari është vetëdjegur, edhe pse me vete kishte armën e tij të shërbimit, një pistoletë tip “Makarov”. Kur kanë kaluar 10 ditë nga kjo ngjarje, hetuesit në bashkëpunim me oficerë të SHISH që janë angazhuar në hetime kanë mundur të zbulojnë se SMS nuk është shkruar nga Isa Çopa. Publikisht, familjarët e të ndjerin kanë pranuar se ky mesazh është dërguar nga i afërmi i tyre, pasi ai me këtë gjuhë komunikonte. Por nga një analizë e detajuar që i është bërë përmbajtjes së mesazhit dhe krahasimit me materiale të tjera të punuara prej tij, është vërejtur mospërputhje në mënyrën e të shkruarit. Burime të MAPO-s thonë se Çopa ishte i shkujdesur në mesazhe, ku kishte edhe gabime, por mesazhi i mbërritur në telefonin e të birit ishte krejt ndryshe nga mënyra e tij e zakonshme e të shkruarit. Kjo analizë ka çuar hetuesit në konkluzionin se mesazhi mund të jetë dërguar nga autorët apo autori i vrasjes së Çopës, vetëm 15 minuta para se ai të ndërronte jetë. Ky orar përkon pikërisht me kohën kur Çopa ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pasi të dhënat tregojnë se ai ka dalë për herë të fundit nga zyra e tij e punës rreth orës 18:30. Destinacioni i tij, menjëherë sapo ka dalë nga zyra ka qenë zona e plazhit të Çurrilave, ku për të shkuar me automjet duhen të paktën 15 minuta. Pikërisht kjo analizë e bërë nga hetuesit tregon se mesazhi në telefonin celular të Çobës është dërguar sapo ai ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe 15 minuta para se të ndërronte jetë. Edhe elementi i dytë, ai i bidonit të marrë në shtëpinë e mbesës nuk lidhet me ndonjë sasi karburanti, që më pas të ketë shërbyer për djegien e makinës dhe vetes. Nga verifikimet e kryera deri tani nuk rezulton që Isa Çopa të ketë marrë karburant rrugës për në plazhin e Currilave, ku u gjend i djegur brenda makinës së tij. E ndërsa pista e vetëvrasjes është përjashtuar zyrtarisht, grupi i hetimit nuk ka ende një emër për këtë ngjarje të rëndë, që i mori jetën në rrethana të mistershme oficerit 49-vjeçar të Shërbimit Informativ Shqiptar.

Zbardhet ekspertiza: E çara

në kokë, e shkaktuar nga dhuna

Ekspertiza Mjeko-Ligjore zbardh detaje nga vdekja e oficerit të SHISH-it, Isa Çopa, të cilat përjashtojnë një vdekje për shkak të vetëdjegies. Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore, rezulton se oficeri i SHISH-it ka vdekur në orën 19:00 të datës 24 tetor, në vendin e quajtur plazhi i Currilave, ku është gjendur i djegur në ndenjësen e pasme të automjetit të tij. Dokumenti i skedës së vdekjes së Çopës, i lëshuar nga mjekët ligjorë, tregon se ngjarja ka ndodhur në orën 19:00 të datës 24 tetor, pra vetëm 30 minuta pasi ai ka dalë për herë të fundit nga zyra e tij. Në skedën e vdekjes ekspertët sqarojnë se dëmtimi i oficerit në kokë nuk është shkaktuar nga përplasja me timonin apo me derën, gjatë agonisë nga djegia. Specialistët pohojnë se e çara në kokë është në pjesën e sipërme të kafkës, e ashtuquajtur rrethi i kapelës, dëmtime të cilat, sipas tyre, janë gjithmonë të qëllimshme. Pikërisht këto të dhëna, përfshi edhe konkluzionet e mjeko-ligjorëve, kanë bindur grupin hetimor ta klasifikojnë ngjarjen si vrasje dhe të hetojnë në këtë pistë. Isa Çopa, oficeri madhor i shërbimeve sekrete, u gjet i djegur në makinën e tij në orët e para të mëngjesit të datës 25 tetor, në zonën e Currilave në Durrës. Fillimisht ngjarja u dyshua si vetëvrasje, për shkak të disa elementëve, përfshi edhe një të shtënë nga arma e tij, por pas ekspertizës rezultoi se plumbi kishte qëlluar tavanin e automjetit. Zyrtarisht ngjarja është regjistruar si vrasje me paramendim në dosjen e prokurorisë së Durrësit dhe do të vazhdojë të hetohet si e tillë derisa të provohet ose rrëzohet kjo pistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›