Retro/Press: POLITIKA DHE INTELEKTI
Branko Merxhani
S’ka njeri, me pak tru në kokë, që të mundij të mohojë, na duket, se kalojmë një periudhë me një rëndësi të madhe dhe bile të jashtëzakonshme të jetës s’onë kombëtare. Një periudhë decisive ndryshimi dhe transformimi, në të cilën jeta e jonë kolektive hedhë hapat e para për formimin e ndërgjegjes së bashkët të Shqiptarismës nacionaliste. Një periudhë e tillë ka nevojë për dritë; bile për shumë dritë.
Gjendja e përparëshme ka qenë një gjëndje e errët. Nuk ishte e vetëkuptuarshme. Kishte nevojë për analyzë dhe për ndriçim që të kuptohet. Rreth e rrotull Pushtetit u krijuan gardhe të pakuptuarshme dhe nga ky shkak gjendja e përparëshme kishte humbur pothuaj çdo kontakt me Mendimin e Përgjithëshmë. Një cipë mysteri ishte hapur në çdo pikë të horizontit shqiptar. Brënda në disa lagështira të rënda ushqehesh krimbi i zemrimit dhe i dëshprimit. Mendimi i Përgjithshëm kishte et për dritë. Nuk i drejtohej ndjenjës po logjikës. Mendimi i Përgjithshëm orientohet për në kritere logjike- për në të drejtën dhe për në të dukurën.
Duke analyzuar pak vjet më parë në shtyllat e një Reviste një nga veprat kritike më me rëndësi të shkrimtarit tyrk të njohur Aga Oglu Ahmet, shkruanin:
“ Shtet dhe Qeveri, qytetrimi europian këto gjëra i ka të ndara. Atje Qeveri nuk do të thotë Shtet. Shtet është emëri i dytë i Popullit. Shtet do të thotë Komb-Nasion. Kur këto të dyja kuptime trazohen, kur Shteti çduket nën formën e Qeverisë dhe Qeveria e poshtëron kuptimin e Shteti, ahere lind, si përfundim natyral i kësaj anarhije shoqrore dhe mendore, Absolutisma ( Neo-Shqiptarisma, 1930, Tre Qytetërime, F.47).
Për neve një nga shkaqet më të thella të krizës së periudhës së mëparëshme ishte edhe mos-shquarja e këtyre dy njohjeve sociologjike. Organizma e jonë politike mbajti po thua vazhdimisht karakterin e vet gjenetik, pa që të mundij të shvillohet e të perfeksionohet, duke mbarur pak e nga pak qëndrën e mbështetjes së saj në sheshe më shoqërore, dhe pa që të kërkojë të marij jetë të re e dritë të re drejtë-për-drejtë nga burimet e fjeshta të ndërgjegjes kombtare, që është duke u formuar me kohë. Kështu pas lindjes s’Organismës s’onë politike të qëndruar, Pushteti në vënd që të ndëret në të gjitha shtretet e jetës popullore, t’afrohet më shumë, mbeti i rrethuar nga ngushtësija nisëse e origjinës gjenetike, i krijoi vetëhes një gjëndje të koklavitur, një të gjallë, të drejt-për-drejtë, të sinqertë, të vërtetë. Oportuniteti e shpërnguli nevojën e brëndëshme. Nën të tilla kondita nuk ishte e mundur që Shteti dhe Pushteti t’i afrohet idealit Shtetror të madh, domethënë të realizojë formimin e tij logjik.
Këtu e shumë vjet më parë një nga sociologët më të vjetër, që e përdori në mënyrë të veçantë kuptimin e Mendimit të Përgjithëshmë, shkruante:
“Vetëm me anën e Mendimit të Përgjithëshmë sundon edhe më i forti i Monarkëvet” (Herbert Spencer, “Principles of Sociology”, f. 264).
Një nga mësuesit më të fortë të sociologjisë gjermane të sotme shkruan:
“Marrëdhënja midis Politikës dhe Intelektit nuk varet nga forma e Regjimit; kjo marrëdhënje mund t’eksistojë ose të mos-eksistojë nën çdo Regjim” (Alfred Weber, “Geist und Politik”, f. 337).
Duke u mbështetur mbi këto parime fare të drejta, krizën tragjike që po shkon marrëdhënja midis Politikës dhe Intelektit ndër neve, ne ia ngarkojmë këtij shkaku kryesor: Vendi i ynë nuk ka as një klasë të formuar e të caktuar intelektualësh, klasë që të përbëjë burim mendimi shoqëror të math e jetik. Vëndi i ynë s’i ka ato idera në të cilat mishërohen, në mënyrë symbolike, elementet e një jete intelektuale që influencon shoqrisht.
Pra, për neve problemi vazhdon të mbajë formën që i dhamë me një artikull t’onë të vjetër, këtu e shtatë vjet përpara:
“Nevojë për të krijuar një jetë intelektuale”! (Demokratia, Dhjetor, 1928).
Pa jetë intelektuale s’ësht e mundur të punohet as nonjë ide shoqërore, dhe pa idera, as nonjë jetë kolektive, as nonjë përpjekje reformonjëse, as nonjë Shtet. Idea i konditon faktet. Idetë false ose të falsifikuara, na kanë shpurë në faliment. Idetë e drejta do të na ndihmojnë të rindërtojmë, dhe të rindërtojmë fort. Tërë problemi ësht një problem qëndre-një problem i organizimit të fuqive intelektuale të vëndit me një drejtim të caktuar dhe me një ndriçim të mjaftuar!
Illyria, Nr. 31, 1935