E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-i dashuri, 60 thika juristes Trashanit, se kërkoi të ndahej

SHKRUAN: Leonard Bakillari 28-02-2011 09:59

Tiranë- Aurora Trashani, juristja e vrarë në fillim të muajit shkurt, është qëlluar 60 herë me thikë, nga ish- i dashuri i saj. Njohja në rrjetin social Facebook, me një 47-vjeçar dhe lidhja mes tyre ka përfunduar tragjikisht mbrëmjen e 2 marsit, kur R. V. tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, dyshohet se e ka masakruar juristen në banesën e saj. Rrëfimi i taksistit Abedin Mulaj, i arrestuar si bashkëpunëtor në krim, ka zbardhur skemën e vrasjes, që dyshohet se mban autorësinë e R.V., rezident në Gjermani. Itinerari i ndjekur nga autori i dyshuar i ngjarjes, qëndrimi dy-ditor në Shqipëri dhe largimi menjëherë pas vrasjes, shpjegohen nga Prokuroria në dosjen hetimore, një pjesë e së cilës i është përcjellë gjykatës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj taksistit të arrestuar. Autori dhe viktima, sipas prokurorisë, janë njohur nëpërmjet rrjetit të Facebook-ut dhe kanë krijuar lidhje dashurore mes tyre, fakt për të cilin kanë qenë në dijeni edhe familjet respektive. Por vendimi i 32-vjeçares Trashani, për t’i dhënë fund kësaj lidhje, dyshohet se ka qenë motivi i krimit të ndodhur rreth orës 22:20 të mbrëmjes së 1 shkurtit. Dy ditë pas ngjarjes, i dyshuari është larguar sërish drejt Gjermanisë. Gazeta “Mapo” zbardh të gjitha detajet e krimit makabër, sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë së Tiranës.

Vendimi i Gjykatës

Me datë 2.02.2011, në ngarkim të personit nën hetim, Abedin Mulaj, ka filluar procedimi penal nr. 452 nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me akuzën e vrasjes me dashje të shtetases Aurora Trashani, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 76 – 25 të Kodit Penal.

Nga materiali procedurës dhe nga shqyrtimi gjyqësor, rezultoi e provuar se me datë 21.02.2011, në orën 23:55, është ndaluar personi nën hetim Abedin Mulaj, për faktin se dyshohet që është njëri nga autorët e vrasjes së shtetases, Aurora Trashani. Me datë 02.02.2011, rreth orës 10:00, shërbimet e Policisë Gjyqësore janë njoftuar se në një pallat, në afërsi të rreth rrotullimit të “Zogut të Zi”, kishte rënë zjarr në një banesë. Menjëherë është shkuar në vend ngjarje dhe me ndërhyrjen e forcave “RENEA” është bërë e mundur shuarja e zjarrit. Nga këqyrja e brendshme e banesës dhe pikërisht në dhomën e gjumit është gjetur e shtrirë, e mbuluar me batanije dhe e djegur pjesërisht, një kufomë e cila është identifikuar si shtetësja Aurora Trashani. Në trupin e viktimës janë evidentuar 60 (gjashtëdhjetë) plagë, me thellësi jo të madhe, të shkaktuara me një mjet të fortë të mprehtë. Plagët kryesisht janë shkaktuar në shpinë, nga ana e majtë, dhe në qafë duke i prerë trakenë e laringut.

Nga hetimet e para ka rezultuar se viktima ka pasur lidhje dashurore me shtetasin R. V., rezident në shtetin gjerman, me të cilin është njohur nëpërmjet Facebook–ut. Për këtë lidhje kanë qenë në dijeni të afërm, si të viktimës, ashtu edhe të personit të dyshuar për vrasjen e saj. Ky shtetas ka qenë shpesh në banesën ku jetonte me qira viktima, dhe në fillim të muajit janar 2011, sipas shpjegimeve të personave që kanë pasur dijeni për këtë lidhje, viktima ka vendosur t’i japë fund kësaj lidhje. Megjithatë, ka rezultuar se midis shtetasit R. V. dhe viktimës janë këmbyer mesazhe dhe biseda telefonike.

Me datë 01.02.2011 në orën 14:39, shtetasi R. V., edhe ky nën hetim, ka ardhur në Shqipëri nëpërmjet Aeroportit të Rinasit dhe është larguar me datë 3.02.2011, në orën 13:20, po nga ky aeroport. Me datë 1.02.2011, rreth orës 09:16, ky shtetas ka marrë në telefon personin nën hetim, Abedin Mulaj, me numrin e tij celular 00491633… dhe i ka thënë ta priste në aeroport, kjo për faktin se midis tyre ka pasur një njohje që prej 4-5 vjetësh. I ndaluari ka shkuar në aeroport, ka marrë shtetasin R. V. dhe e ka sjellë në Tiranë. Po në këtë datë në ora 22:06, R. i ka telefonuar personit nën hetim dhe i ka thënë të shkonte ta merrte afër Zogut të Zi. Personit nën hetim i është dashur ta presë atë për disa minuta dhe në ora 22:20 R. V. ka ardhur, është futur në makinë dhe i ka thënë ta çonte në shtëpi në Kombinat. Me insistimin e R. personi nën hetim është futur në banesën e tij dhe ka takuar nënën dhe tezen e R., të cilat nuk kishin dijeni për ardhjen e tij nga Gjermania. Pasi ka qëndruar pak, personi nën hetim është larguar. Të nesërmen, me datë 02.02.2011 R. ka kontaktuar përsëri me të ndaluarin me telefon, në të njëjtët numra, por nuk ka lëvizur nga banesa e tij në Kombinat. Nga rrethanat sa më sipër, rezulton se ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se i ndaluari është njëri nga autorët e kësaj vepre penale. Në këto rrethana është bërë ndalimi i tij dhe gjykata çmon se ky ndalim është bërë në kushtet e kërkuara, nga neni 253 e vijues të K.Pr.Penale, prandaj duhet të vlerësohet i ligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›