Turp! Suedezët na pastrojnë, ne bëjmë sehir nga kafenetë
Lushnje- Një grup të rinjsh, e madje mes tyre kishte edhe fëmijë, kishin mbërritur nga Suedia e largët për të ndihmuar në pastrimin e qytetit të Lushnjes, i cili për hir të lidhjes në të shkuarën me industrinë e plastmasit, vazhdon të jetë i mbuluar anëekënd me qese plastmasi.
Të rinjtë suedezë, pjesë e një kishe protestante, pasi ishin ftuar nga kisha për të ndihmuar në higjenizimin e qytetit dhe mjediseve periferike të tij, mbërritën në qytet për të punuar në mënyrë vullnetare për tre ditë.
Përpara bashkisë ata u pritën nga zyrtari i qytetit, nënkryetari i bashkisë. Zyrtari lokal ishte veshur me kostum e kravatë dhe falenderoi të rinjtë që kishin ardhur nga Suedia për t’i pastruar qytetin. Në fakt do të ishte mirë që ata të priteshin nga një njeri që në vend të kollares të kishte veshur një bluzë sportive dhe doreza, bashkë me tërë stafin e bashkisë.
Por më e keqja do të ndodhte më pas. Ndërsa të rinjtë suedezë morën thasët e zinj dhe nisën të pastrojnë mbeturinat në qytet dhe periferi, banorët e Lushnjes bënin sehir nga ballkonet e shtëpive. Të tjerë vegjetonin nëpër kafene dhe shikonin me indiferentizëm të huajt që mblidhin mbeturinat e tyre me dorë.
Nuk di të ketë shembull të dytë, por kjo është vertet e lemerishme. Ky është niveli kulturor, edukativ dhe qytetar i shqiptarëve. Dhe nuk është hiç i tepërt ky konstatim. E njëjta skenë është konsumuar publikisht një vit më parë në Vlorë, kur një grup shtetasish gjermanë që punonin atje, kishin dalë vullnetarisht për të pastruar rrugicën ku jetonin me qira dhe bashkë me të, kishin pastruar edhe një pusetë të bllokuar e që ndoste tërë rrugicën. Asnjë banor nuk iu bashkua atyre, e madje disa gajaseshin me burrat që po u pastronin pusetën e ujërave të zeza.
Shumë mund të ndjehen të fyer nga këto radhë që po shkruaj, por unë personalisht jam ndjerë kaq i fyer nga ajo që pashë në Lushnje, sa asnjë ulërimë nuk ma nxjerr të keqen. Kam provuar të tilla skena personalisht, kur me dhjetra vullnetarë pastronim plazhet, ndërsa paa shpinës tonë pronari i një lokali shkakronte mu në mes të rërës mbëturinat e kafenesë. Por ndjesia që më la indiferentizmi i treguar në Lushnje ishte shumë herë më i hidhur.
Padyshim që nuk duhet të surprizohemi shumë nga kjo sjellje, pasi nëse edhe këtu do të jetonin njerëz të kulturuar, ky vend nuk do të ishte kaq i pistë. Ne jemi dëshmitarë sot të përpjekjeve të fuqishme për të bërë përpara në proceset integruese, por duket se ne kemi një promblem shumë më të madh se ato që lidhem me politikën, nivelin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik: Ne nuk jemi qytetarë. Dhe qytetaria e edukata as blihet, as importohet, as kopjohet dhe as vidhet (do të ishte e vetmja vjedhje që do ta pranoja me kënaqësi).
Pas dy javësh kryeministri Berisha i ka ftuar shqiptarët të dalin të gjithë dhe cdo kush të pastrojë qytetin, lagjen dhe rrugicën e tij. Nuk duhet të jemi vendi më i qelbur i Europës “- tha kryeministri me të drejtë. Por a do të dalin shqiptarët në këtë aksion vullnetar?
Për fatin tonë të keq, të huajt tashmë duhet të vijnë edhe të na pastrojnë, dhe kjo është gjëja më e turpshme për një shoqëri. I varfër po, por i varfër dhe i pisët!!!
Shkrime të tjera me interes:
- Ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra —-Bledar Kurti—- Shqipëria është një Zvicër me det. Le të...
- Dhuratat për Vitin e Ri, ja çfarë nuk duhet të bëjmë Shumë prej nesh nuk kanë gjetur ende dhuratën e duhur...
- Zonat e bllokuara nga dëbora, CEZ: Po bëjmë të pamundurën që energjia të mos mungojë Tiranë- CEZ ka deklaruar se ka marrë masa për të...