Revoltohet Prishtina, sulmohet Ambasada e Maqedonisë

Ambasada e Maqedonisë në Kosovë është sulmuar në orët e vona të mbrëmjes së kaluar me koktej molotovi.
Sipas raportimeve të mediave kosovare, nuk ka të lënduar dhe dëme të ndjeshme materiale dhe se policia menjëherë ishte vënë në ndjekje të sulmuesve.
Mësohet se tre persona rreth orës 23.00 kanë hedhur koktej molotovi nga një veturë e bardhë "Toyota" në objektin e ambasadës së Maqedonisë që gjendet në lagjen Dragodan të Prishtinës. Policia theksoi se nuk ka të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.
Një togere policore po kalonte aty afër kur ka vërejtur sulmuesit dhe ajo menjëherë është vënë në ndjekje të tyre duke e ndërprerë sulmin që mund të kishte qenë më serioz. Forcat policore gjenden në vendin e ngjarjes. Ky sulm vjen pas rritjes së tensioneve dhe incidenteve ndëretnike në Maqedoni.