E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni i heshtur i Harvardit

Pranvera nuk e ka jeshiluar ende kopshtin historik të Harvardit, por në ajër ndihen qartë disa vibrime të pazakonta. Kanë kaluar gjashtë muaj nga marrja e detyrës prej presidentes së re Drju Faust. Përveç të qenit një simbol i revolucionit në historinë 372-vjeçare të universitetit, si e para grua në këtë post, misioni i saj është ta transformojë në një institucion modern e bashkëkohor, pa cenuar statusin elitar dhe traditën e tij të shkëlqyer. Një sfidë e vështirë në garën e konkurrencës së shkollimit të standardeve të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Detyrat e saj nuk janë shumë të ndryshme nga ato të paraardhësit Lorenc Samers, por kishte edhe një më shumë: qetësimin e ujërave të trazuara nga drejtimi i shumëpërfolur i Samersit.

Një grua në krye të Harvardit

"Mendoja se më parë do të shihnim një grua në Shtëpinë e Bardhë se presidente të Harvardit. 15 vjet më parë as që mund ta imagjinonim që një grua mund të merrte në dorë drejtimin e një institucioni kaq të rëndësishëm", thotë gjenetistja Nensi Hopkins, me gradën profesor në Institutin e Teknologjisë së Masaçusets (MIT), edhe ky tani me një grua në postin e presidentit, ashtu si në tetë universitete të tjera elitë në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet nëntëdhjetë, përmes një raporti, profesoresha Hopkins e kishte ngritur me forcë zërin për diskriminimin karshi pedagogeve femra, ku njëherësh iu vërsul publikisht Samersit për fjalët mbi dallimin mes dy gjinive.

Kur Drju Faust, me origjinë nga Virxhinia, përpiqej të niste studimet e larta, femrave as që u lejohej të studionin në Princeton, ku diplomoheshin tradicionalisht meshkujt e familjeve. Tani kufijtë mes shkollës së vjetër dhe të resë janë shkrirë në masë shumë të madhe, ndërkohë që vetë Faust përshkruhet si "historiane me vështrimin drejt së ardhmes".

Presidentja e re nuk pranon të japë intervista që kanë të bëjnë me këtë post, por ndryshimet janë më se të dukshme. Samersi gëzonte mjaft popullaritet te studentët. Organizonte festa, në të cilat merrte pjesë edhe vetë, duke u bërë pre e kritikave të shumta për mungesë takti. Faust është shumë e tërhequr dhe ndoshta më pak karizmatike, por megjithatë u pëlqen shumë studentëve. Në të kundërt të Samersit, gjatë fjalimit të marrjes së detyrës nuk paraqiti asnjë listë me qëllime për t‘u përmbushur.

Jashtë, një student në veshjet e të cilit vërehet qartë stampa e universitetit, luan në hapësirën mes leksioneve. "Këtu po kaloj ditët më të mira të jetës", thotë 18-vjeçari Aleks Hugon, i cili studion Informatikë.

Çfarë mendon ky djalosh për faktin se Harvardi është plot e përplot me profesorë të famshëm e me paga astronomike, të cilët zor se mund të kenë raporte të afërta me studentët? "Nuk jam fare dakord me këtë. Më rastiste shpesh të kisha mbi mua vëmendjen e shumë prej profesorëve në shkollën e mesme, por leksionet e sotme janë vërtetë mbresëlënëse - ndonjëherë qëllon që të jemi 350 studentë në një leksion dhe në këto raste japin mësim profesorët më të famshëm. Janë vërtetë fantastikë", thotë.

Një ndër qëllimet kryesore të presidentes së re është ngritja e nivelit të mësimdhënies dhe bashkëpunimi më i afërt mes fakulteteve. "Studentët janë të pakënaqur me faktin që u takon të marrin leksione nga ish-studentë të sapodiplomuar. Kërkojnë që të mësojnë nga profesorët më të mirë. Të gjithë kanë lëndë me profesorët më të mirë, por edhe me mësues, niveli i të cilëve lë për të dëshiruar", thotë Parah Bhajani, redaktori i gazetës studentore të universitetit, "Harvard Crimson".

Ndërkaq shijon një cigare e ulur te shkallët e librarisë 20-vjeçarja Uitni Uilliams, e para vajzë nga komuniteti i saj në Ilinois, që ka arritur të fitojë një bursë në një institucion kaq prestigjioz. Harvardi i ka garantuar një bursë studimi thuajse të plotë. Studentët e pasur vërtiten nëpër ambiente me veshje nga më të shtrenjtat, ndërkohë që Uilliams mban një çantë të bërë nga një palë xhinse të vjetra.

Ka përfituar nga programi bamirës i Harvardit në dispozicion të të cilit janë 120 milionë dollarë në vit, i cili, nën drejtimin e presidentes Faust, është shtrirë në një numër më të madh familjesh me të ardhura mesatare dhe të ulëta. Dy të tretat e studentëve të Harvardit aktualisht marrin ndihma financiare dhe gjysma e tyre paguajnë vetëm 40 mijë dollarë në vit. Për të studiuar në Harvard duhen paguar mesatarisht rreth 48 mijë dollarë në vit.

Trysni majtas e djathtas

Presidentja Faust është vënë nën presione të forta për gjetjen e zgjidhjeve të të gjitha detyrave që shtrihen nga e majta në të djathtë, nga progresi te tradita, nga jashtë brenda. Shoqja dhe ish-kolegia e saj e dikurshme në Universitetin e Pensilvanisë (presidente e këtij institucioni) Emi Gudman, beson se Faust i ka të gjitha kartat në rregull për t‘ia dalë në krye kësaj sfide madhore. "Është mjaft e hapur ndaj bashkëpunimeve dhe e vendosur. I dëgjon kolegët dhe i merr vendimet e vështira, duke i bindur bashkëbiseduesit se vendimi nuk i përket vetëm asaj, por edhe atyre", thotë Gudman.

Deri tani ka ditur të vendosë një baraspeshë mjaft interesante në shpërndarjen e detyrave. Në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave ka emëruar dekan Maik Smithin, njëherësh edhe krahu i saj i djathtë, kur vjen fjala te çështjet akademike. Smithi konsiderohet si njeri shumë i respektuar, i shoqërueshëm dhe ndoshta i pazëvendësueshëm në këtë detyrë - ndoshta njeriu më i përshtatshëm për këtë post.

Ndërkaq ka vendosur Evelin Hamonds në krye të Kolegjit të Harvardit, e cila përgjigjet për të gjitha programet studentore. Jo vetëm është e para afro-amerikane që mban këtë post të lakmuar, por kishte edhe shumë pak shanse ta fitonte, duke parë se gjatë karrierës kishte punuar pak në këtë aspekt. Dhe po në këtë linjë ka caktuar Xhein Mendilon si gruan e parë në detyrën e shefes së fondit të shpërblimeve të Harvardit - fondi më i madh i shpërblimeve akademike në të gjithë globin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›