E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni në botën myslimane

Bota myslimane nuk ka për të përjetuar ndryshime regjimesh në masë, siç ndodhi në vitin 1989. Njësoj si në 1848 ky revolucion nuk do ia dalë të transformojë botën myslimane apo edhe vetëm botën arabe. Por ai do të hedhë farën që do të mbijë në dekadat që do të vijnë. Nga Express më 28 shkurt 2011 në ora 08:26

Bota myslimane, nga Afrika Veriore e deri në Iran, ka përjetuar një valë destabilizimi javët e fundit. Asnjë prej regjimeve nuk është rrëzuar, megjithëse teksa shkruheshin këto radhë, Libia po anohet drejt fundit. Ka pasur momente në histori kur revolucioni është përhapur në një rajon apo nëpër botë, njësoj si një zjarr i papërmbajtshëm. Këto çaste nuk vijnë shpesh.

Të vijnë në mendje ngjarje të tilla si viti 1848, kur një rebelim në Francë gëlltiti mbarë Evropën. Po kështu edhe viti 1968, në të cilin demonstruesit që mund t’i quajmë edhe si e Majta e Re përfshinë botën; Mexico City, Paris, New York dhe qindra qytete të tjera u bënë dëshmitare të revolucioneve kundër luftës (pacifiste) të nxitura dhe të orkestruara nga marksistët dhe radikalë të tjerë. Praga po ashtu pa rënien e një qeverie të re të majtë, pas ndërhyrjes sovjetike. Madje deri edhe Revolucioni i Madh Kulturor i Kinës mund të përfshihet këtu. Në vitin 1989, një valë e madhe destabilizimi e nisur nga gjermano-lindorët, që hodhën sytë nga Perëndimi, gjeneroi një rebelim masiv në Evropën Lindore, i cili çoi në rënien e kontrollit sovjetik.

Të gjitha këto lëvizje kanë një motiv të njëjtë. Revolta e vitit 1848 u përpoq të vendoste demokracinë liberale në ato vende që kishin humbur në kundërvënien ndaj Napoleonit. Viti 1968 kërkonte reforma radikale në shoqërinë kapitaliste. Viti 1989 lindi si kërkesë për rrëzimin e komunizmit. Ka një sërë arsyesh më komplekse sesa kaq, që ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Por në finale arsyet që qëndrojnë pas këtyre revoltave mund të përmblidhen në një ose dy fjali. Disa prej këtyre revolucioneve kanë pasoja të mëdha.

Duke vështruar rebelimin e tanishëm, zbulohet edhe një gjeografi e mirëfilltë të tyre: Vendet myslimane të Afrikës së Veriut dhe të gadishullit arabik kanë qenë skena e parë e revoltave të fundit dhe në veçanti Afrika e Veriut ku Egjipti, Tunizia dhe së fundmi Libia kanë përjetuar kriza shumë të thella. Sigurisht shumë vende të tjera myslimane kanë përjetuar ngjarje me karakter revolucionar, por të tilla që nuk kanë arritur të zgjerohen deri në atë pikë sa të kërcënojnë regjimet apo edhe personalitetet që komandojnë. Ka pasur shenja të ngjashme nga pak kudo. Kemi parë demonstrata në përmasa të vogla në Kinë dhe padyshim që edhe Wisconsin po përjeton trazira pas shkurtimeve buxhetore. Por këto ngjarje nuk kanë të bëjnë realisht me atë çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme. E para ishte e vogël dhe e dyta nuk po e merr frymëzimin nga Kajro.

Ajo çfarë kemi të bëjmë është një revoltë në botën arabe që nuk është përhapur përtej saj që prej nisjes.

Pse e gjithë kjo po ndodh në të njëjtën kohë tani? Një arsye është se në këtë rajon, pati ndryshime të jashtëzakonshme prej viteve të 50-ta deri në fillim të viteve të 70-ta, teksa vendet myslimane ndërtonin regjime që zëvendësonin fuqitë imperiale të goditura nga Lufta e Ftohtë. Që prej fillimit të viteve 70-ta, me përjashtim të Iranit në vitin 1979, rajoni ka qenë i stabilizuar në kuptimin që regjimet dhe personalitetet që dolën në skenë gjatë periudhës së trazirave vendosën rregullin dhe u imponuan si pushtet që nuk mund të lëvizeshin lehtë. Gaddafi p.sh rrëzoi monarkinë libiane në 1969 dhe ka qeverisur vendin për 42 vjet pa ndërprerje.

Revolucionet janë shfaqur për një kohë të gjatë. Revolta në Tunizi, sidomos në momentin kur u provua e suksesshme, u bë shkak për përhapjen e mëtejshme. Sikundër në vitet 1848, 1968 dhe 1989, kushtet e ngjashme sociale dhe kulturore gjenerojnë ngjarje të ngjashme dhe vihen në lëvizje nga shembulli i një vendi për t’u përhapur mandej më gjerë. Kjo ndodhi në vitin 2011 dhe po vazhdon.

Problemi me revolucionet është se ata që i fillojnë rrallë i përfundojnë ato. Demokrati idealist rus, Aleksandër Kerensky, në Rusi nuk arriti në epilogun e revolucionit. Ishin gangsterët bolshevikë që e kryen atë.

Me gjasë disa regjime do të bien, shumica duke e reduktuar vendin e tyre në një problem kaosi. Çështja është se ashtu sikurse po shohim në Tunizi, zakonisht asnjë prej palëve revolucionare nuk ka infrastrukturën për të marrë pushtetin. Bolshevikët kishin një parti të organizuar. Në këto revolucione palët po përpiqen të organizohen gjatë rrugës, ç’ka është një tjetër arsye për të deklaruar se ata nuk janë të gatshme për të qeverisur. Rreziku nuk është radikalizmi islamik, por kaosi i ndjekur nga lufta civile; ushtria merr kontrollin thjesht për të stabilizuar situatën apo dalja në sipërfaqe e një partie të islamizmit radikal që merr kontrollin thjesht, sepse ata janë të vetmit në mes të turmës me një plan dhe një organizim. Kështu, pakicat marrin kontrollin e revolucioneve.

Bota myslimane nuk ka për të përjetuar ndryshime regjimesh në masë, siç ndodhi në vitin 1989. Njësoj si në 1848 ky revolucion nuk do ia dalë të transformojë botën myslimane apo edhe vetëm botën arabe. Por ai do të hedhë farën që do të mbijë në dekadat që do të vijnë. Me fjalë të tjera, demokratët që mund të ngrihen do të japin regjime, që do të udhëhiqen nga kultura prej nga vijnë, që do të thotë islami.

(STRATFOR)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›