Ekonomia maqedone peng i politikës
Kriza e krijuar politike, tendosja e situatës ndëretnike së fundmi dhe paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, paraqesin elemente, të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, vlerësojnë ekspertët.
Por, ky konstatim kundërshtohet nga ministri i Financave, Zoran Stavrevski, i cili zgjedhjet i sheh si shtytje për zhvillimin ekonomik të vendit me zhbllokimin e dialogut politik.
Zhvillimi ekonomik në Maqedoni tashmë një kohë të gjatë mbahet peng nga politika, thekson Hristo Kartallov, ligjërues në Universitetin e Shkupit, duke theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni drejtpërdrejt do të ketë pasoja në ekonominë e vendit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja apo nga biznesi i brendshëm.
“Në kushtet kur në plan të parë zë vend mos-toleranca ndëretnike dhe ajo ndërfetare, me çka krijohet një situatë ku në çdo moment mund të eskalojë situata politike, kjo gjithsesi ndikon tejet negativisht në ambientin e biznesit”, theksoi Kartallov, sipas të cilit në periudhë zgjedhore bizneset i ndërpresin të gjitha aktivitetet e tyre investuese, sepse presin një klimë më të sigurt për kapitalin e tyre.
Ndryshe nga ekspertët, Stavrevski, thotë se ka para të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat ai i sheh shtytje për të zhbllokuar ambientin politik dhe atë ekonomik, pas braktisjes së parlamentit nga ana e opozitës.