E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhep Ismajli: Na duhet një shqipe standarde për tri shtete

Zhvillimet shoqërore diktojnë ndryshime edhe në realitetin gjuhësor. "Standardi i shqipes ka nevojë për pasurime nga varietetet e të folmeve për t‘iu përshtatur kërkesave të sotme të shqipes", shprehet akademiku Rexhep Ismajli, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. I ftuar në Tiranë, në simpoziumin shkencor ndërkombëtar të albanologjisë, Ismajli ka prezantuar tezat e tij për zhvillimet e gjuhës shqipe, të përfshira në botimin "Gjuhë standarde dhe histori identitetesh". Sipas akademikut, standardi i sotëm i shqipes nuk mund t‘u imponohet shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, Maqedoni apo në trevat e tjera shqiptare. "Duhet të kemi një shqipe që të gjithëve t‘u bjerë si këmishë e trupit, të mos jetë as e ngushtë e as e gjerë. Ndryshime kemi jo vetëm brenda këtij standardi, brenda dialekteve, por edhe në raportet mes tyre", thekson Ismajli. Sipas tij, u takon gjuhëtarëve që të bashkëpunojnë për të pasqyruar zhvillimet gjuhësore në standard, duke e bërë atë të përshtatshëm në kushtet e kërkesave të reja ndaj shqipes.

Si është gjendja aktuale gjuhësore në Kosovë, në një kohë që vendi përjeton një realitet të ri shoqëror?

Është afërsisht ajo që ka qenë. Si në Kosovë dhe në Shqipëri problemi qëndron në faktin se më herët ne nuk e kemi parë të plotë gjendjen gjuhësore. Kemi parë vetëm atë që dilte në televizion, në gazeta apo në jetën publike. Shqipja është shumë më e gjerë se sa kaq. Vetëm tani ne mund të shohim se përfytyrimi që kemi menduar është i gënjeshtërt, ka diçka ndryshe që duhet të shikohet e të studiohet, në mënyrë që të dimë se nga do të shkojmë.

Do të thotë që ka një nevojë të ngutshme për rishikimin e standardit?

Ne e kemi një gjuhë standarde të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe të pranuar. Mirëpo çdo gjë ka një zhvillim, asgjë nuk është statike. Ndryshime kemi jo vetëm brenda këtij standardi, brenda dialekteve, por edhe në raportet mes tyre. Tani kemi dy shtete, Maqedonia është një shtet i tretë ku kërkohet që shqipja të ketë një tjetër funksion. Po ashtu kemi pjesën e Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, arbëreshët dhe shqiptarët e diasporës që kanë nevoja të tjera për gjuhën shqipe. Ne nuk mund të jemi të verbër ndaj këtyre nevojave. Duhet të kemi një shqipe që të gjithëve t‘u bjerë si këmishë e trupit, të mos jetë as e ngushtë e as e gjerë.

Kjo do të sillte dhe një nevojë të përmbysjes së raporteve mes standardit dhe dialekteve?

Është e mundshme të krijohet një qëndrim tjetër që të ketë prurje nga të gjitha këto varietete. Raporti dialekt-gjuhë standarde është i përgjithshëm, nuk prek vetëm Kosovën. Në Shkodër flitet me dialekt, në Vlorë po ashtu. Ne duhet të bëjmë përpjeke që kjo gjuhë standarde të zgjerohet në shkallën që të jetë sa më e përshtatshme për të gjithë.

Në studimin tuaj, standardi dhe identiteti shihen si një binom që në histori ka kushtëzuar zhvillime të caktuara. A ka të njëjtën vlerë edhe sot?

Në çdo situatë, elementët politikë, ekonomikë e shoqërore ndikojnë ndjeshëm në interpretimin dhe ridimensionimin e standardit, por edhe të niveleve të tjera. Nëse këtë gjuhë që ne sot e quajmë standard brenda Shqipërisë kërkojmë të përvetësohet nga të tjerët, sepse kjo është shqipja që ne u japim, kjo krijon probleme. Po ashtu, nëse zgjedhim një standard të veçantë në Kosovë, do të krijonte probleme këtu. Kjo është çështja e ndërthurjes. Bota gjermane apo edhe Franca kanë ditur t‘i harmonizojnë pjesët e tyre e t‘i kapin këto probleme më shtruar dhe me më pak polemizime.

A do të ketë një bashkëpunim mes gjuhëtarëve për të zgjidhur këto

kërkesa të reja gjuhësore?

Ne kemi pasur një këshill ndërakademik, i cili ka njëfarë kohe që nuk po funksionon për shkak se Akademia e Shkencave të Shqipërisë është në reformim, i cili po zgjat shumë. Gjatë kësaj kohe që kryesia e këshillit ishte këtu në Tiranë, nuk patëm asnjë takim. Shpresoj që në të ardhmen të ketë një punë më të frytshme. Është një punë e arritshme po të punohet pak më me seriozitet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›