E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhep Qosja: PseBE mbron Sali Berishen

Politika e BE ndaj Shqipërisë sot nuk është politikë përkatëse. Me këtë politikë nuk ka mundur të zgjidhet deri sot dhe, në qoftë se nuk bëhet më e vëmendshme dhe më e angazhuar, nuk do të mund të zgjidhet as sot e tutje kriza që ka përfshirë Shqipërinë.

Pse mund të thuhet kështu?
Pse me politikën që bën sot ndaj Shqipërisë, BE vetëm sa po e tejzgjat këtë krizë dërrmuese për popullin shqiptar.
Janë disa arsye për këtë.
Kur kriza quhet ngërç
1.BE deri tani nuk ka arritur t'i ndihmojë sa duhet dhe si duhet Shqipërisë as për zgjidhjen e krizës së tanishme politike ashtu as për shëndoshjen e gjendjes së saj në përgjithësi, në radhë të parë, për shkak se nuk e ka vështruar drejt, saktë, prej përbrenda, prandaj edhe nuk e ka emërtuar drejtë këtë gjendje. Shqipëria nuk përjeton ngërç politik, si thoshin deri tani përfaqësues evropianë qoftë në institucionet e BE-së, qoftë kur vinin në Shqipëri, po një krizë politike, madje, një krizë të përgjithshme. Nocioni ngërç, që nuk është nocion a term politik, është shprehje gjoja emërtuese për gjendjen e tanishme politike të Shqipërisë, të cilën mediat ia kanë "imponuar" qoftë opozitës shqiptare, qoftë përfaqësuesve të BE-së, që merren me çështje të Shqipërisë. Fjala ngërç në të vërtetë është një eufemizëm folklorik me të cilin me dashje a padashje zvogëlohen, mbulohen, problemet thelbësore që ka prodhuar regjimi i Sali Berishës dhe, rrjedhimisht, prej të cilave vuan e gjithë Shqipëria.
Kriza që përjeton Shqipëria nuk është vetëm krizë politike; kjo është krizë e përgjithshme: politike, kushtetutare, shtetërore, ekonomike dhe morale.
Shpërfytyrimi politik partiak, në të cilin është e përmbajtur vrazhdësi dhe anshmëri staliniste, është aq i përshtrirë saqë edhe në kulturë e në shkencë, edhe në institucionet e tyre, të drejtuara më së shpeshti prej komisarësh partiakë, po rrënon vetëdijen për të drejtën e të vërtetën dhe për vlerat demokratike në përgjithësi. Dhe, kjo krizën në Shqipëri e bën dhe krizë shpirtërore.
Kriza që përjeton Shqipëria nuk është krizë vetëm e vitit të fundit apo vetëm e dy viteve të fundit, por krizë e gjatë, që ashpërsohet posaçërisht shumë dhe që është ashpërsuar posaçërisht shumë gjatë të gjitha mandateve të Sali Berishës, qoftë si kryetar, qoftë si kryeministër i Shqipërisë: gjatë mandateve të tij kriza shqiptare gjithnjë bëhet krizë e pandërprerë, krizë e pa pushim.
Kur qeveria do të jetë edhe prokurori
2.Bashkimi Evropian nuk ka arritur t'i ndihmojë sa duhet dhe si duhet Shqipërisë as për zgjidhjen e krizës së tanishme politike ashtu as për shëndoshjen e gjendjes së saj në përgjithësi për shkak se nuk e ka parë apo, ndoshta, e ka parë, por, për arsye të ndryshme, nuk ka dashur ta emërtojë drejt e saktë karakterin e regjimit të Sali Berishës. Institucione të ndryshme ndërkombëtare e quajnë Shqipërinë vend pjesërisht të lirë dhe e fusin në grupin e vendeve që Evropa i quan hibride: demokratike dhe autoritare, kurse përfaques të Bashkimit Evropian dhe të OSEB-së në Shqipëri vazhdimisht përdorin nocionin institucionet demokratike shqiptare!
BE-ja ngulmërisht ngurron të thotë se regjimi i Sali Berishës është regjim mosbashkëpunues, madje mostolerant, që nuk e pranon kompromisin, që problemet e Shqipërisë në vazhdimësi do t'i zgjidhë me imponim, me detyrim të opozitës, domethënë me dhunë politike. Dialogu i të barabartëve është institucion politik që ky regjim nuk e pranon për ç'shkak pa ndërprerje cenon parime dhe vlera thelbësore demokratike. Dhe, për këtë shkak është regjim autoritar.
Njëra prej këtyre vlerave thelbësore të demokracisë, pa të cilën edhe nuk mund të flitet për demokraci, është pavarësia e gjyqësorit. Këtë pavarësi, të caktuar e të siguruar me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vazhdimsi e ka përmbysur dhe vazhdon ta përmbysë regjimi në fjalë. Posa vendoset dhe fillon të veprojë kjo pavarësi e gjyqësorit, vjen Sali Berisha dhe e përmbys! Kujt nuk i ka rënë në sy lufta e tij e vazhdueshme me prokurorët e përgjithshëm të Shqipërisë prej të të parit e deri te prokurorja e sotme. Po të bënte luftë ai vetëm me një prokuror, ta themi vetëm me Arben Rakipin, apo vetëm me Theodori Sollakun, apo vetëm me Ina Ramën do të mund të thuhej se, ja, prokurori i përgjithshëm nuk qenka në rregull: paska mendësi të patejkaluar komuniste, është mësuar vonë se ishte dikur sekretar i organizatës së partisë së Punës së Shqipërisë, se paska edhe të dhëna të tjera jetëshkrimore për të kaluarën e tij, që e bëjnë të dyshimtë! E të tjera. Por, lufta e tij me të gjithë prokurorët e përgjithshëm, duke filluar prej Arben Rakipit e deri te Ina Rama dëshmon qartë se jo me prokurorët, jo me Arben Rakipin, jo me Teodori Sollakun, jo me Ina Ramën, që të gjithë të çmuar e të dashur në popull, po me Sali Berishën, me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, në përgjithësi me rrethin më të ngushtë të bashkëpunëtorëve të Sali Berishës, diçka a shumëçka nuk është në rregull.
Pse Sali Berisha me bashkëluftëtarët e tij politikë e bën këtë luftë të pandërprerë me prokurorët e përgjithshëm të Shqipërisë?
Përgjigja është e thjeshtë: për të privatizuar shtetin, për ta bërë shtetin mjet me të cilin do të bëjë vetë, me bashkëluftëtarët e tij, çka dëshiron në Shqipëri! Prokuroria e përgjithshme është pengesa e parë në përpjekjet e privatizimit të shtetit, prandaj këtë pengesë do rrënuar sa më shpejt, pa zgjedhur mjetet! Sali Berisha do që qeveria e tij të jetë edhe prokurori!
Përpjekjet për privatizimin e shtetit do ta fusin Sali Berishën në luftë politike dhe propagandistike edhe kundër kryetarëve të Shqipërisë: së pari kundër kryetarit të parë demokrat në historinë shtetërore të Shqipërisë, Rexhep Meidanit, mandej kundër Alfred Moisiut dhe, tani, në luftë kundër Bamir Topit. Në qoftë se lufta e tij politike kundër dy të parëve ishte në të vërtetë propagandë e pa skrupuj kundër tyre, në mënyrë të veçantë kundër Rexhep Meidanit, lufta e tij politike kundër Bamir Topit ende nuk është shndërruar në propagandë të paskrupuj kundër tij qoftë pse ai është ish-anëtar dhe, mandej, funksioner i Partisë së tij Demokratike, qoftë pse kryetari i tanishëm, Bamir Topi, edhe nuk e ushtron detyrën e kryetarit me të gjitha kompetencat që ia ka siguruar Kushtetuta. Kryetari Bamir Topi, mjerisht, vazhdon të jetë gjysmëkryetar!
Kur korrupsioni bëhet sistem
3.Bashkimi Evropian nuk ka arritur t'i ndihmojë sa duhet dhe si duhet Shqipërisë si as për zgjidhjen e krizës së sotme politike, ashtu as për shëndoshjen e gjendjes së saj në përgjithësi edhe për shak se nuk e ka parë në gjithë shtrirjen, me të gjitha shkaqet dhe me të gjitha pasojat, korrupsionin në Shqipëri.
Korrupsioni nuk është specialitet vetëm i regjimit të Sali Berishës. Korrupsioni është specialitet i yni kombëtar, i trashëguar prej Perandorisë Otomane, të cilit regjimi i përashëm shqiptar i ka krijuar mundësi edhe më të mëdha lulëzimi.
Pse korrupsioni është gjendje e vazhdueshme në Shqipëri (dhe në Kosovë)? Pse korrupsioni në Shqipëri (dhe në Kosovë) luftohet vetëm me retorikë?
Kush do të shohë qartë me sytë që ka në ballë përgjigja nuk është e vështirë.
Korrupsioni është mjet tepër i rëndësishëm, jo vetëm për pasurimin e zyrtarëve më të lartë, por edhe për sigurimin e përkrahjes së zyrtarëve të tjerë të të gjitha niveleve dhe për rekrutimin e përkrahësve të tjerë me ambici pushtetore. Dëshmi e gjithë kësaj nuk është vetëm videoja mbi skandalin Ilir Meta - Dritan Prifti, por edhe lufta e vazhdueshme e Sali Berishës dhe bashkëluftëtarëve të tij për të penguar, për të ndaluar, hetimin e korrupsionit jo vetëm në tragjedinë e Gërdecit, por edhe në një varg tenderash çmimlartë, çmimmesëm e çmimultë! Në këtë mënyrë retorika boshe, demagogjike, berishiane kundër korrupsionit, në njerën anë, kurse lufta praktike kundër prokurorisë së përgjithshme, që do të duhej të riniste hetimet ndaj protagonistëve dhe personazheve të korrupsionit, kanë krijuar mundësitë që korrupsioni në Shqipëri të bëhet sistem.
Bashkimi Evropian, që ka përvojë të madhe, historike, për tipologjinë e korrupsionit, që ka fjalor të pasur me të cilin bën dallimin midis korrupsionit politik, korrupsionit moral, korrupsioni financiar, korrupsionit ekonomik dhe llojeve të tjera të korrupsionit, që ka përvojë të madhe se si luftohet kjo fatkeqësi dhe që ka institucionet përkatëse për luftimin e saj, nuk e ka aspak të vështirë të vërejë dhe të emërtojë peshën shkatërruese të korrupsionit mbi politikën, demokracinë, ekonominë, moralin në Shqipëri.
Kur me popullizëm
fashist u flitet pasioneve
4.Bashkimi Evropian nuk ka arritur t'i ndihmojë sa duhet dhe si duhet Shqipërisë si as për zgjidhjen e krizës së sotme politike, ashtu as për shëndoshjen e gjendjes së saj në përgjithësi edhe për shkak se nuk e ka shikuar dhe nuk e ka trajtuar sa duhet e si duhet popullizmin në Shqipëri, në mënyrë të veçantë popullizmin e Sali Berishës. Përvoja historike që ka i bën të mundshme Bashkimit Evropian të kuptojë natyrën dhe qëllimet e këtij popullizmi dhe, natyrisht, pasojat e tij. Nuk është vështirë për të vërejtur se më shumë se sa stalinist, popullizmi i Sali Berishës është popullizëm tipik fashist. Ai është popullizëm, që nuk bazohet në ideologjinë - siç bazohej popullizmi stalinist, po në ndjenjat, në të vërtetë në pasionet e njerëzve. Sali Berisha kurrë nuk mund të dëgjohet, kur flet, duke iu drejtuar arsyes së njerëzve. Jo. Ai gjithmonë iu drejtohet vetëm pasioneve të tyre. Pasioneve! Si Musolini! Atyre që i mbajnë mend apo i kanë këqyrë vëmendshëm manifestimet e fashizmit, grimasat e Sali Berishës pashmangshmërisht ua sjellin në kujtesë Benito Musolinin. Dhe kjo veçori e popullizmit të Sali Berishës e bën të rrezikshme politikën e Sali Berishës - çka është parë qartë më 1997, 1998 dhe po shihet më 2011. Kjo mund të thuhet aq më parë sepse zgjimit të pasioneve, fatkeqësisht, i janë përkushtuar edhe televizionet që janë vënë në shërbimin e popullizmit fashist të Sali Berishës. Shembujt që e dëshmojnë këtë pohim janë të shumtë. Kështu, fjala vjen, Televizioni ABC-njus gjithë ditën e përsërit parullën: Askush nuk mund të dhunojë simbolet kombëtare! Dhe, në prapavijë të kësaj parulle, që nxit pasionet kombëtare, e vë portretin e Edi Ramës! Mjatueshëm për të nxitur ndonjë patriot kafenesh që të bëjë atentat në Edi Ramën! Mjaftueshëm për të nxitur pasionet e shumë shikuesve që janë pajtuar që në vend të tyre të mendojnë Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe pronari i ABC Njus-it! Po kështu veprojnë edhe disa televizione të tjera. Në to këto ditë po ashtu përsëriten parulla pasionxitëse me portretin e Edi Ramës në prapavijë! Janë këto thirrje për qërim hesapesh me Edi Ramën e ithtarët e tij!
Bashkimi Evropian nuk mund ta ndihmojë si duhet e sa duhet Shqipërinë në qoftë se nuk i trajton shumë seriozisht mitingjet e Sali Berishës të caktuara në të njëjtën kohë kur opozita bën protesta. Cili regjim në këtë botë e bën këtë sot? Asnjëri. Nuk e bëri as regjimi i Ben Alisë në Tunizi. Nuk e bëri as regjimi i Hosni Mubarakut në Egjipt. Nuk e bën, madje, as Lukashenko në Bjellorusi. Si ta bëjnë? Organizimi rezhimor i mitingjeve në të njëjtën kohë kur bën protesta a demonstrata opozita në të vërtetë është hyrje në luftën qytetare.
Bashkimi Evropian nuk mund ta ndihmojë Shqipërinë si duhet e sa duhet po ashtu në qoftë se nuk e vështron dhe nuk e trajton seriozisht, me të gjitha qëllimet dhe pasojat e saj, retorikën kërcënuese të Sali Berishës në Qeveri, në Kuvend, në konferencat me gazetarët, në mitingje, si edhe retorikën fyese të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në Kuvendin e Shqipërisë. Evropa e di mirë, më mirë se kontinentet e tjera se, siç është dëshmuar gjatë historisë, gjuha poshtëruese dhe vrastare është mjeti i regjimeve vrastare. Kjo u dëshmua edhe me 21 janar në Tiranë kur Garda e Republikës vrau katër qytetarë të paarmatosur dhe, bashkë me policinë e shtetit, plagosi shum e shumë të tjerë. Kush mund të thotë se vrasjet dhe plagosjet e protestuesve nuk ishin frymëzuar nga gjuha kërcënuese e Sali Berishës dhe nga qeshje-përqeshjet e Jozefina Topallit në Kuvendin e Shqipërisë pak ditë para protestës? Eshtë e vërtetë, për mua e pakuptueshme, se si përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të OESB-së e shikojnë dhe e trajtojnë fare mënjanërueshëm (indiferentë) një gjuhë të tillë në institucionet shtetërore të Shqipërisë - një gjuhë të tillë që në vendet e veta e dënojnë jo si skandal politik, po, kur e kur, varësisht prej shpërfytyrimit moral të saj, si krim!
Kur mediat bëhen shërbëtore
5.Bashkimi Evropian nuk ka arritur t'i ndihmojë sa duhet dhe si duhet Shqipërisë si as për zgjidhjen e krizës së sotme politike, ashtu as për shëndoshjen e gjendjes së saj në përgjithësi, edhe për shkak se nuk e ka vështruar e nuk e ka trajtuar dhe nuk e vështron e nuk e trajton as tani me gjithë seriozitetin e duhur politikën e Sali Berishës ndaj mediave e cila disa prej këtyre mediave, sikundër janë ABC njus, TVSH e disa televizione të tjera më të vogla dhe disa gazeta, i ka bërë shërbëtore propagandistike të tij! Të gjitha këto media i popullarizojnë gënjeshtrat e shumëllojshme dhe të pandalshme të Sali Berishës, e popullarizojnë popullizmin e tij, i helmojnë shpirtërisht qytetarët të cilët i kanë autorizuar ato të mendojnë për ta, duke u krijuar hapësirë vetëm intelektualëve servilë, të privilegjuar a të shantazhuar prej regjimit të Sali Berishës.
Bashkimi Evropian do të mund ta ndihmojë si duhet dhe sa duhet Shqipërinë në qoftë se institucionet e tij e trajtojnë seriozisht pozitën dhe politikën e televizioneve të tipit ABC njus, në të cilin një ministër i Qeverisë së Sali Berishës në paraqitjen e tij vetëm për tre minuta e quan pesë herë qen i tërbuar kryetarin e një partie opozitare!
Bashkimi Evropian mund ta ndihmojë si duhet e sa duhet Shqipërinë në qoftë se institucionet e tij e trajtojnë seriozisht pozitën dhe politikën e një televizioni si ABC njus, që gjithë kohën gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit flet për gjoja dhunën e qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, po me asnjë fjalë për krimin e shtetit ndaj disa protestuesve, që mbledh deklarata të disa intelektualëve të privilegjuar fort nga qeveria e Sali Berishës, në të cilat dënohet dhuna e protestuesve, po me asnjë fjalë krimi shtetëror që vrau katër qytetarë të paarmatosur, të pafajshëm.
Bashkimi Evropian do të mund ta ndihmojë si duhet dhe sa duhet Shqipërinë në qoftë se e vështron dhe e trajton shumë seriozisht atë politikë që një numër të televizioneve dhe të gazetave në Shqipëri i bën t'i shërbejnë aq verbërisht regjimit duke nxitur pasione të egra në jetën kombëtare.
Kur BE-ja shpërfill opozitën
6.Bashkimi Evropian nuk ka arritur t'i ndihmojë sa duhet dhe si duhet Shqipërisë si as për zgjidhjen e krizës së saj politike, ashtu as për shëndoshjen e gjendjes së saj në përgjithësi, sidomos, prej zgjedhjeve të fundit parlamentare, për shkak se nuk ka marrë qëndrim të vendosur ndaj shpërdorimeve që janë bërë prej institucioneve shtetërore në prag të atyre zgjedhjeve, ndaj parregullsive që janë bërë gjatë atyre zgjedhjeve dhe menjëherë pas tyre dhe, më në fund, pse nuk i ka trajtuar me kujdesin përkatës ankesat e opozitës. Për shumëkënd ishte sjellje e çuditshme, e papranueshme, sjellja e përfaqësuesve të BE-së dhe të OSEB-së ndaj ankesave të opozitës në Shqipëri për vjedhjet në zgjedhje. EULEKS-i, në thelb pushteti i tanishëm evropian në Kosovë, kërkoi që zgjedhjet e fundit në Kosovë të përsëriten në pesë komuna, kurse dyzetpërqind e votave të numërohen rishtazi. Ishte kjo një masë demokratike me të cilën Evropa në Kosovë u përgjigjej ankesave të partive që nuk ishin të kënaqura me rezultatin e vet dhe me nivelin e rregullsisë në zgjedhje në përgjithësi. Në Shqipëri, ku zgjedhjet gjithnjë janë të ngarkuara nga shpërdorime dhe parregullsi larg më të mëdha se në Kosovë, Bashkimi Evropian sillet ndryshe: nuk u përgjigjet kërkesave të opozitës dhe nuk kërkon rinumërimin e votave!
Kur BE-ja do ta ndihmojë Shqipërinë?
7.Pse Bashkimi Evropian sillet ashtu në Shqipëri? Pse Bashkimi Evropian nuk i ka vështruar dhe nuk i ka trajtuar deri sot sa e si duhet gjithë shkaqet e krizës politike, në të vërtetë të krizës së përgjithshme në Shqipëri?
Sepse nuk do të "cenojë" sovranitetin e saj - mund të përgjigjet dikush. Nuk ma merr mendja të jetë ashtu. Bashkimi Evropian, sidomos shtetet e mëdha që e përbëjnë, nuk ka trashëguar shumë brengosje për sovranitetin e vendeve të vogla e as për dinjitetin e regjimeve siç është regjimi i Sali Berishës. Po të lodhej për sovranitetin e shteteve të tilla dhe për dinjitetin e regjimeve që mbahen me gënjeshtra, me popullizëm e me dhunë, siç është ky i Sali Berishës, vende të Bashkimit Evropian nuk do të shkelnin me tanke sovranitetin e Irakut dhe të Avganistanit. Kur do ta zgjidhë një krizë të vendeve të vogla a të mesme, atëherë BE-ja e zgjidh: me diplomaci, me politikë, me ndërmjetësues, me bllokadë ekonomike, me kushtëzime apo, madje, me ushtri. Dhe, bën mirë Bashkimi Evropian pse vepron kështu. Atje ku sovraniteti shtetëror keqpërdoret aq gjithanshëm si në Shqipëri, atje ku sovraniteti i popullit uzurpohet prej aleancës pushtet-media si në Shqipëri, atje ku demokracia shpërdoret tmerrshëm, atje ku korrupsioni është bërë sistem, atje ku qytetarët e thjeshtë prej mëngjesit e deri në mëngjesin tjetër mendojnë si të ikin prej vendit të vet e të gjejnë kushte për jetesë në vende të tjera siç po ndodh në shtetin shqiptar të privatizuar prej Sali Berishës me bashkëluftëtarët e tij, në të vërtetë me ujarët e tij politikë, atje ndërhyrja e Bashkimit Evropian, çdo lloj ndërhyrje e Bashkimit Evropian, është e ligjshme.
Pse atëherë Bashkimi Evropian nuk ndërhyn më vendosmërisht në këtë krizë në Shqipëri?
Përgjigja ime është:
Sepse Bashkimi Evropian nuk ka vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që, si duket, edhe Shqipërinë e jo vetëm Kosovën ia kanë lënë për rregullim BE-së.
Sepse Bashkimi Evropian nuk është i interesuar që të këtë institucione të forta, të qëndrueshme në Shqipëri e në disa vende të tjera, po që të ketë udhëheqës të dëgjueshëm, servilë ndaj tij, siç është Sali Berisha.
Sepse në pushtet në vendet e mëdha të Bashkimit Evropian- në Gjermani, në Francë, në Itali, kurse së fundi edhe në Angli e në Suedi, tani për tani janë parti të djathta, kurse e djathtë, në ekonomi skajshëm e djathtë, është edhe partia e Sali Berishës.
Po, megjithë këto tri përgjigje, nuk besoj se kam arritur të jap përgjigjen e plotë në pyetjen e sipërshtruar. Them kështu i vetëdijshëm se kundërthëniet, politikat e krizat në Shqipëri në një pjesë të madhe të historisë shqiptare, ishin zgjatime të politikave, të kundërthënieve e të krizave në Evropë.
Në qoftë se BE-ja është i vendosur që ta ndihmojë Shqipërinë, në qoftë se BE-ja është i vendosur që ta bëjë Shqipërinë që sado pak t'i shëmbëllejë Evropës me vlerat demokratike, atëherë duhet t'i ndihmojë që të shpëtojë prej Sali Berishës.
Si kryetar i Shqipërisë, që bënte politikën e mospajtimit, domethënë të konfliktit në jetën kombëtare, Sali Berisha është fajtori kryesor për tragjedinë e vitit 1997, që solli vrasjen e më tepër se dymijë vetave dhe plagosjen e shumë e shumë të tjerëve; si kryeministër i Shqipërisë, mandej, Sali Berisha është fajtori kryesor për tragjedinë e Gërdecit, në të cilën humbën jetën 28 veta dhe disa qindra u plagosën; si kryeministër i Shqipërisë, edhe tani, Sali Berisha është fajtori kryesor për vrasjen e katër protestuesve të paarmatosur e të pafajshëm më 21 janar prej gardistëve të vendosur para ndërtesës nga e cila ky kryeministër urdhërdhënës vështronte protestën! Çdo shqiptar që çmon dhe don vlerat demokratike evropiane çuditet pa masë se si Bashkimi Evropian amneston titullarin të cilin në shtetet e veta do ta qunate jo vetëm politikisht po edhe penalisht përgjegjës për qytetarët e vrarë në vitet e sipërtheksuara. Nuk kam pritur që Evropa, e cila në Bruksel e Strasburg sillet si Evropë e shekullit XXI, në Shqipëri do të sillet si Evropë e shekullit XIX!
Prishtinë, 1.2.2011
(shkrimi eshte botuar ne Gazeta Shqiptare me 8 shkurt 2011/balkanWeb)
Lidhje te tjera Ndiqni Rexhep Qosen ne emisionin "Shqip" te Rudina Xhunga ne Top Channel A kemi sy e veshë të lexojmë e dëgjojmë Rexhep Qosjen?... (Nga: Alba Malltezi)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›