E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhep Qosja: Shqipëria pa Sali Berishën, më e qetë dhe demokratike

qosjaTiranë- Për akademikun e shquar Rexhep Qosja largimi i Sali Berishës nga drejtimi i vendit dhe i Partisë Demokratike do t’i shërbente qetësisë dhe demokracisë shqiptare. Qosja shkeli premtimin e bërë 10 vite më parë se nuk do të shkelte në kryeqytetin e Shqipërisë përsa kohë vendin e drejton Berisha, por u rikthyer dhe pati një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin ‘Shqip’ në Top Channel ku u përgjigj për shumë pyetje.

Rudina Xhunga:  Kënaqësi që jeni në Tiranë, pas 10 vjetësh. E thyet betimin se nuk do të vinit për sa kohë drejton Sali Berisha?
Rexhep Qosja: Po, e theva. Por ka një arsye pse e theva. Shpresoj se Berisha së shpejti nuk do të jetë më kryeministër i qeverisë së Shqipërisë dhe të shpresojmë se nuk do të jetë as kryetar i Partisë Demokratike, për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Partisë Demokratike.

Rudina Xhunga: Në fakt, do kemi kohë të flasim për politikë,  por si fillim dua tju pyes për librin. Isha në promovimin e librit tuaj dhe ishte një sallë e mbushur plot me njerëz, gjë që e pashë edhe në Vlorë kur ju morët titullin Qytetar Nderi i Vlorës. Ju ndjeheni mirë kur kaq shumë shqiptarë të Shqipërisë ju presin, ju duartrokasin, ju duan?

Rexhep Qosja: Natyrisht, ndjehem shumë mirë. Kjo do të thotë se një numër shqiptarësh më duan sepse i duan veprat e mia, i lexojnë ato. Unë nuk shkruaj për të ndikuar tek njerëzit me shkrimet e mia, unë shkruaj për të thënë të vërtetën dhe të drejtën. Sigurisht kjo gjë iu pëlqen njerëzve, iu pëlqen tyreve që lexojnë dhe prandaj vijnë të dëgjojnë çfarë thonë të tjerët kur bëhet përurimi i veprave të mia dhe vijnë të më shprehin një nderim që mua më sjell gëzim të madh.

Rudina Xhunga: Më ngacmoi diçka në librin tuaj me titullin Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë”. Njëra prej shprehjeve që keni zgjedhur për ti paraprirë librit është nga Alfred de Lamartin, i cili thotë: Nëse arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë një shoqëri të turpshme gënjeshtarësh, nëse e bën atdheun të skuqet për shkak të të këqijave zyrtare, nëse lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit, nëse lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit, ky pushtet, të jeni të sigurt që do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet si ai i vitit 1789, por në kurthin e vet. Dhe meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundër-revolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes. Ngjan shumë franceze kjo profesor, jo shqiptare.

Rexhep Qosja: Një krijues i madh, që ishte njëkohësisht edhe politikan, Alfred de Lamartin, e ka njohur mirë realitetin shoqëror, politik kombëtar, kulturor francez dhe ishte shumë i revoltuar nga gjithë ato shpërfytyrime, formime, degjenerime që ndodhën në pushtetin e Francës pas revolucionit të Madh të 1789. nga ajo revoltë, nga ajo pakënaqësi, pikëllim, dëshpërim i tij, ai ka shkruar ato fjali që, po të jem i sinqertë, dhe ta themi të vërtetën, me keqardhje, i përgjigjen plotësisht një mendësie të shqiptarëve sot. Ato fjali mund të shkruhen për pushtetin shqiptar sot dhe për ato që ngjajnë në politikën shqiptare sot dhe për protagonistët e kësaj politike në Shqipëri. Ato të këqija, ato korrupsione, mashtrime, ato gënjeshtra për të cilat flet Lamartini e me të cilat protagonistët e politikës së Francës e mashtruan popullin, e gënjyen, e fyen popullin francez, e cënuan në jetën e tyre, e shpërfytyruan Francën e madhe me kulturë dhe tradita të mëdha, ato fjali mund të shqiptohen edhe këtu. Po ti lexoni shkrimet e mia, në kohë të buta apo të ashpra, janë thënë edhe këto, edhe këtu në librin tim.

Rudina Xhunga: Në parathënien tuaj, kur e mbyllni, ju shpreheni: Mospajtimi im me këtë politikë, ngritja e zërit kundër saj, është jo vetëm çështje e etikës sime intelektuale por njëkohësisht çështje e përkushtimit tim ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, domethënë çështje e atdhetarizmit tim. Ky është edhe shpjegimi pse ju flisni, jeni kaq i shpeshte në intervista, shkruani, i jeni kushtuar çështjes shqiptare?

Rexhep Qosja: Unë kam një koncept për demokracinë që e kam krijuar nga letërsia e rilindjes sonë kombëtare që është liri e konceptit demokratik, e formuar mbi traditën pozitive, mbi traditën e virtyteve, dinjitetit, krenarisë së popullit të vet dhe e formuar mbi iluminizmin francez dhe mbi filozofinë e demokracisë franceze, në radhë të parë mbi veprat e Volterit, Diderotit, Zhan Zhak Rusoit, Lamartinit, Shatobrianit dhe filozofëve të tjerë të evropës në atë kohë. Ata kanë ndërtuar filozofinë e demokracisë dhe teorinë e demokracisë dhe ne e dimë qysh nga shkolla fillore e tutje se ata janë shkolluar, pjesa më e madhe e tyre, në gjimnazin Zosimea ku numri më i madh i profesorëve ishin francezë dhe grekë të formuar në kulturën franceze, së cilës shenjën themelore ia kishte vënë iluminizmi me filozofinë e tij demokratike. Ata, po ti lexojmë rilindësit, habitesh sesa të rinj ishin dhe janë me mendimet e tyre demokratike. Jani Vreto, profesor i etikës dhe filozofisë, shkrimtar i etikës dhe filozofisë, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa le ti lexojmë sot sesi mendonin dhe çfarë donin ata. Ata donin një Shqipëri të lirë prej pushtimit otoman por edhe një Shqipëri me institucione demokratike. Unë jam formuar mbi atë filozofi demokratike, mbi atë krijimtari. Kam mendimin tim se ai regjim, që e cënon këtë koncept, unë nuk mund ta shikoj i paanshëm dhe nuk mund të hesht. Unë nuk pranoj të hesht kur shoh se baza e çdo demokracie, ndarja e pushteteve, pavarësia e pushteteve, të pushtetit ligjvënës, pushtetit zbatimor dhe pushtetit gjyqësor, janë të cënuara, janë të përvetësuara prej qeverisë dhe kryeministrit. Unë nuk mund të hesht kur këto pushtete nuk kanë pavarësi sepse kjo sjell shumë të këqija, e cënon demokracinë rëndë. Unë, nuk mund të hesht kur shoh sa i madh është korrupsioni sepse e di që aty ku ka korrupsion, nuk mund të ketë demokraci, aty ku ka korrupsion nuk mund të ketë barazi e përafërt sociale, një solidarësi sociale, një kujdes për disa njerëz që janë në gjendje të pamundur. Aty ku cënohet barazia e dinjiteteve, nuk mund të ketë demokraci. Aty ku shkelen ligje, shkelet Kushtetuta, siç po shohim se po shkelen në Shqipëri, nuk mund të hesht, nuk mund të shikoj dhe të dëgjoj i paanshëm. Aty ku shkelet pavarësia e medieve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sidomos e medieve elektronike. Disa media që lëvrojnë në Shqipëri janë bërë shërbëtorësi, jo shërbëtorë, por shërbëtorësi të qeverisë. Ndërsa disa të tjera që nuk pranojnë ti shërbejnë, shantazhohen, kërcënohen prej qeverisë sepse nuk dëshiron ti shohë mediet të lira dhe të pavarura. Aty ku flitet, ashtu si flitet në institucionet politike në Shqipëri, aty ku kryeministri i Shqipërisë fyen përfaqësues të popullit, duke e bërë fytyrën opingë, duke nxjerrë dhembë e dhëmballë. E tha para disa netësh por nuk e dëgjova shumë mirë megjithatë tha diçka të tipit ti nxjerr ngjalat prej fyti. Aty ku kryetarja e qeverisë fyen ashtu siç po i fyen ajo deputetët, burra dhe gra, aty ku kryeministri i Shqipërisë, një përfaqësuese të denjë, të zonjën, i drejtohet me fjalët me të cilat ai iu është drejtuar publikisht në qeveri dhe në parlament, një zonje të Shqipërisë me detyrë të lartë. Aty ku të njëjtën gjë e bën edhe kryetarja e parlamentit, unë nuk mund të shikoj dhe të dëgjoj i heshtur. Si mund të flitet ashtu në një qeveri dhe në një parlament. Qeveria dhe parlamenti janë pasqyra e një vendi, i një populli. Të tjerë do na çmojnë si është parlamenti, si është qeveria, çfarë etike, çfarë morali, çfarë pedagogjie i ofrojnë popullit. Populli mëson edhe prej tyre. Si të shoh unë indiferent siç e shikojnë fatkeqësisht disa intelektualë. Unë nuk mundem. Kjo është

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›