Rexhepi: Do të kërkohen dy “të arratisurit” nga Maqedonia

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës do të shqyrtojë kërkesën e ministrisë maqedonase për të kërkuar dy prej të dyshuarave për përfshirjen në grupin që dyshohet për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill në Smilkovc të Shkupit.
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankulovka, ka thënë se dy nga pesë të dyshuarit për vrasjen e pesëfishtë, dhe përkatësisht Afrim Ismailoviç dhe Halil Demiri janë arratisur ilegalisht në Kosovë.
Ministri Bajram Rexhepi, në një prononcim për “Tribuna Shqiptare”, ka thënë se do të shqyrtohet kërkesa e palës maqedonase. “Kjo bëhet në bazë të protokollit të bashkëpunimit policor ndërmjet të dy vendeve. Prandaj, dy policitë do të bashkëpunojnë për ta zbardhur rastin”, ka thënë Rexhepi.
Sipas tij, nëse të dyshuarit ndodhen në Kosovë dhe arrestohen, atëherë çështje e ekstradimit të tyre është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë.