E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Disfata e Al Qaedës është afër

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se “koha e luftës” po përfundon dhe se disfata e Al-Qaidës tash “është afër”.

Në fjalimin e tij televiziv në kohën më të shikuar në Shtetet e Bashkuara, ai foli nga baza ajrore Bagram në Afganistan, ku shkoi për një vizitë të paparalajmëruar.

“Amerikanët e mi të nderuar, ne kemi udhëtuar për më tepër se një dekadë nën mjegullën e zezë të luftës. Tash këtu, para agimit në Afganistan, mund të shohim dritën e një dite të re në horizont”, tha Obama.

Ai, në kryeqytetin Kabul, u takua me presidentin afgan, Hamid Karzai, pas nënshkrimit të marrëveshjes, me të cilën më gjerësisht rregullohen raportet ndërmjet dy vendeve, pas tërheqjes së trupave të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, e paraparë për fundin e vitit 2014.

Marrëveshja e cila është arritur pas negociatave që zgjatën me muaj të tërë, i rregullon raportet Shtetet e Bashkuara – Afganistani, në sferën e sigurisë, qeverisjes dhe ekonomisë dhe nënkupton tranzicionin e Shteteve të Bashkuara, nga prania e jashtme në luftë, në një partner të afërt për Afganistanin sovran.

Sipas marrëveshjes, Washingtoni nuk përkushtohet për ndonjë prani specifike të ushtarëve, por lejon që Shtetet e Bashkuara potencialisht t’i mbajë trupat në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›