E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: EULEX-i të tërhiqet nga veriu

Ndërsa EULEX-i ka shpallur veriun e Kosovës si zonë të rrezikshme, për shkak të ndryshimit të situatës së sigurisë, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka kërkuar publikisht nga ky mision të tërhiqet nga veriu.
Në një intervistë për mediat kosovare Rexhepi ka theksuar se nëse EULEX-i nuk është në gjendje të veprojë në Mitrovicë ai duhet të tërhiqet.
“Gjendja në Mitrovicë ka ndryshuar dhe nëse EULEX-i nuk është në gjendje të veprojë atje, le të tërhiqet dhe për sigurinë do të kujdeset KFOR-i dhe Policia e Kosovës”, ka theksuar Rexhepi.
Por zëdhënësja e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Kristina Herodes ka deklaruar se ky vendim është marrë pas vlerësimit të fundit të situatës së sigurisë në atë pjesë.

“Të gjitha misionet ndërkombëtare kanë rregulla të sigurisë, të cilat vazhdimisht rishikohen në bazë të ndryshimit të situatës së sigurisë dhe u komunikohen të gjithë anëtarëve të misionit si çështje rutinë’, ka deklaruar Herodes.
Ndërkohë EULEX-i ka shpallur zonë rreziku veriun e Kosovës me anë të një vendimi që u është dërguar pjesëtarëve të këtij misioni, ku u kërkohet që të kenë kujdes në komunat veriore të Kosovës. Sipas këtij dokumenti, misioni evropian dëshiron që policët e tij t`i mbajë në kontroll, të dijë në çdo moment se në cilin vend gjenden.
EULEX-i ka vendosur rregulla të reja për anëtarët e tij në lidhje me qarkullimin në veri të lumit Ibër, si dhe në portat G1 dhe G31. Sipas dokumentit, pjesëtarë të EULEX-it që udhëtojnë për në komunat veriore të Kosovës-Zubin Potok, Zveçan, Leposaviç, Mitrovicë matanë lumit Ibër, si dhe në pikat kufitare G1 dhe G31, duhet t`u përmbahen rregullave, që janë vënë në funksion nga ky mision që pas incidenteve në veri të Mitrovicës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›