Rexhepi: KFOR kishte informacione të gabuara

Fillimisht u tha se një njësi i KFOR-it kishte kontrolluar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës - ROSU në Mitrovicë. Por, më vonë u tha se ishte keqkuptim.
“E kanë pasur një patrullë edhe janë tërhequr, kanë pasur informata të gabuara, dhe janë tërheq sot. Nuk ka pasur asnjë incident.”, ka thënë për mediat vendase ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
Edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në Prishtinë, ku thuhet se KFOR-i gjatë gjithë natës së kaluar, ka ruajtur dhe vëzhguar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës në Mitrovicë, pasi ka pasuar një informacion se ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.