E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi: Për t’u anëtarësuar në EUROPOL dhe INTERPOL duhet më shumë njohje të Kosovës

Prishtinë, 29 gusht - Ministri i  Brendshëm , Bajram Rexhepi ka thënë për Kosovapress se institucionet e sigurisë së Kosovës janë në rrugë të mirë për anëtarësim në organizatat policore evropiane, EUROPOL dhe atë ndërkombëtare INTERPOL, por mungesa e njohjeve të shtetësisë ka bërë që Kosova ende mos të jetë pjesë e këtyre mekanizmave të sigurisë.
Autoritetet e Kosovës janë të përgatitura që te jenë sa më shpejt pjesë e organizatave policore evropiane, siç është Europol dhe ajo ndërkombëtare Interpol, por njohja e deritashme nga vetëm 69 shtete vështirëson gjasat për anëtarësim të shpejt të vendit tonë në këta mekanizma.
Edhe pse vlerëson se Kosova është në rrugë të mirë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi kujton faktin se për t’u anëtarësuar në Interpol, Kosova duhet të ketë përkrahjen e pjesës më të madhe të anëtarëve prej 188 sosh të Asamblesë Gjenerale të Interpolit.
Ministri Rexhepi ka sqaruar se Kosova momentalisht ka bashkëpunim indirekt me Interpolin, të cilin e realizon përmes përfaqësuesve të UNMIK-ut.
Më tutje, ai ka thënë se tash për tash interesi i Kosovës është këmbimi i informatave me Interpolin, për arsye se kjo do të ndihmonte në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar, vjedhjeve të ndryshme, falsifikimit të dokumenteve, vjedhjeve të automjeteve dhe fshehjes së kriminelëve nëpër vende të ndryshme.
Ministri Rexhepi tregon se në pamundësi për të qenë aktualisht edhe pjesë Europolit, në aspektin e sigurisë Kosova me të gjitha shtetet e regjionit dhe ato evropiane ka filluar të vendos bashkëpunim bilateral shumë të mirë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›