Rexhepi: Vetëm Natalie Velija është çelësi i 1.4 milionëshit

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka pohuar se në lidhje me skandalin e zhdukjes së 1.4 milionë eurove dyshohet se zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë të përfshirë dhe, sipas tij, pas dy-tri ditësh do të shihen edhe rezultatet e para të këtij hetimi.
Në një intervistë për TV21, Rexhepi ka deklaruar se e dyshuara Natalije Velijaj është çelësi i cili do të tregojë se nga janë shpërndarë mjetet.
“Ne i kemi disa nga informatat, por tash është punë e hetuesve dhe e prokurorit. Ajo është çelësi e cila e di se nga janë shpërndarë mjetet. Aludohet se kanë marrë edhe zyrtarë të MPB-së. Unë inkurajoj prokurorin, i cili merret me këtë rast, që t’i shkojë deri në fund këtij procesi dhe ai që ka abuzuar me këto mjete të ballafaqohet me ligjin e drejtësinë. Ne kemi dhënë fakte se Ministria i ka paguar mjetet me dinamikën e paraparë dhe tash është çështje e prokurorisë të mësojë nga e dyshuara se ku kanë shkuar mjetet dhe të tregojë emrat ku dhe çka”!, ka thënë ministri Rexhepi.
Në këtë intervistë ai ka mohuar t’i jetë konfiskuar vetura në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Kjo është një ndër gënjeshtrat për arsye se unë e kam veturën para objektit tuaj dhe ju do ta shihni tash, është Range Rover 2012 e kurrë nuk kam pasur Craisler. Këto janë insinuata të një mendje të sëmurë. Ditë më parë isha në një konferencë në Vjenë me Albert Rohanin, Ulrike Lunacek dhe zyrtarë të tjerë për çështjen e liberalizimit të vizave dhe është plasu nga një anëtar i Vetëvendosjes se unë kam shkuar për t’u rrëfyer para kompanisë austriake, çka u demantua me foto nga Ministria. Dhe kjo strategji është në vazhdën e gënjeshtrave të Vetëvendosjes, e cila do ta humbë besueshmërinë edhe te ai elektorat që e ka dhe do ta dëmtojë vet atë subjekt”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme./Indeksonline/