Rexhepi, do të jemi në çdo pikë kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se marrëveshja e arritur me Serbinë për vulat doganore dhe kadastrat nuk ndërlidhen me pjesën e punës operacionale të Policisë Kufitare, ndërkohë që së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in janë duke u bërë përgatitjet për kthimin e doganierëve dhe policëve kufitarë edhe në pikat 1 dhe 31 në veri.
Ai këto komente i bëri të shtunën në kampin Villaggio Italia të KFOR-it në Pejë, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së dorëzim-pranimit të gjithë kufirit me Malin e Zi nga KFOR-i tek Policia Kufitare e Kosovës.
Me këtë rast, ministri Rexhepi ka thënë se për dërgimin e doganierëve dhe policisë kufitare në veri presin garantimin e sigurisë nga ana e KFOR-it, ndërkohë që ende nuk ka një datë të saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
Ai ka shtuar se lidhur me këtë çështje janë duke diskutuar bashkërisht me KFOR-in dhe EULEX-in.
“Fillimisht duhet riparimi i objekteve të shkatërruara në pikën 1 në Jarinje dhe në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in do t’i çojmë sa më parë doganierët dhe Policinë Kufitare, në mënyrë që të fillojë implementimi i marrëveshjes, por duhet të jetë e qartë se Policia Kufitare dhe doganierët e Kosovës do t’i kryejnë detyrat në të gjitha pikat e Kosovës, përfshirë edhe pikat 1 dhe 31 në veri me mbështetjen e policëve dhe doganierëve të EULEX-it”, ka thënë ministri Rexhepi.
I pyetur nga mediat në lidhje me shqetësimet e disa banorëve të komunës së Pejës për vijën e demarkacionit me Malin e Zi, ministri Rexhepi ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, mirëpo kjo nuk do të ndërrojë qëndrimin e institucioneve dhe se demarkacioni do të fillojë shumë shpejt.
“Unë nuk e di çfarë shqetësime dhe çfarë arsyeje kanë. Unë dhe Brajoviq jemi marrë vesh që vija administrative që ka qenë do të jetë edhe kufi ndërshtetëror. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm”, ka thënë Rexhepi.
Nga ana tjetër homologu i tij malazez, Ivan Brajoviq, ka thënë se Mali i Zi nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe se lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ndaj disa shkrimeve nëpër media.
“Sa i përket përdorimit të pronës përgjatë zonës kufitare, jemi duke shikuar mundësit që të pajtohemi me zgjedhjet dhe të kemi një zgjedhje të mirë. Unë mendoj se nuk kemi ndonjë mos marrëveshje dhe nënshkrimet tona në vitin 2008 na tregoj se nuk do të kemi ndonjë problem”, ka thënë Brajoviq.
Policia Kufitare e Kosovës kohë më parë ka marrë kompetencat për ruajtjen e kufirit edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë.