E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja sulmon Edita Tahirin me domate

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 16:53

(E plotesuar) Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga kjo lëvizje janë arrestuar nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës- thuhet në një njoftim për media nga kjo lëvizje.

“Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët tanë në Kuvendin e Republikës së Kosovës u arrestuan sot brutalisht nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje sot ka organizuar një aksion protestues kundër zëvendëskryeministres Edita Tahirit dhe koncesioneve të vazhdueshme të saj ndaj Serbisë dhe në dëm të shtetësisë së Kosovës. Ndërhyrja brutale e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk i kurseu as deputetet e Kuvendit të Kosovës të cilat i ishin bashkuar kësaj proteste”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se aktivistët e lëvizjes ishin grumbulluar në pjesë të ndryshme të rrugës që e lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me kryeqytetin e Kosovës, “për t’ia bllokuar atë zëvendëskryeministres dhe koncesioneve që ajo po i sillte në Kosovë”.

“Negociatat për Kosovën mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë përkundër fjalëve të mëdha të Hashim Thaçit e Edita Tahirit, të cilët pas sulmit të Serbisë mbi institucionet e Kosovës dhe vrasjes së policit të Kosovës, Enver Zymberit, filluan ta shohin qartë se kush është Serbia dhe madje me fjalë edhe të na e tregojnë këtë hapje të re të syve të tyre karshi armiqësisë së Serbisë. Por veprat e tyre megjithatë flasin ndryshe, në kundërshtim me fjalët e tyre. Kjo tregon se ata janë të vetëdijshëm për dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës, por prapëseprapë janë të gatshëm të vazhdojnë me këtë mënyrë veprimi”, konsideron Lëvizja “Vetëvendosje”.

Bëhet e ditur se aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kishin hedhur domate në drejtim të veturës së zëvendëskryeministres Tahiri, ndërsa me këtë rast policia ka arrestuar 31 aktivistë të lëvizjes, ndër ta edhe deputetet Albana Fetoshi dhe Albulena Haxhiu.

Vetëvendosja sulmon Edita Tahirin me domate

Kryenegociatorja Edita Tahiri është gjuajtur me domate nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa po dilte nga Aeroporti i Prishtinës ku mbajti një konferencë për media pas kthimit nga Brukseli.

Sipas gazetarit të Express-it në Aeroportin e Prishtinës, pas konferencës, Tahiri nuk ishte nisur në drejtim të Prishtinës për më shumë se 40 minuta.

Këtë situatë e kanë shfytëzuar aktivistët e Vetëvendosjes.

Më të dalë, Zëvendëskryeministrja është sulmuar me domate nga aktivistët e kësaj partie, përderisa para se ajo të nisej dikush nga aktivistët kishte shpërthyer edhe gomën e prapme të makinës së saj.

Po ashtu, Tahiri nuk ka qenë e shoqëruar me ndonjë eskortë policore edhe pse e ka mbajtur konferencën në aeroport.

Ndryshe, Tahiri tha për gazetarët se marrëveshjet me Serbinë për Vulat Doganore ishin të vështira, por me interes shtetëror të Republikës së Kosovës.

Sipas saj, marrëveshja për tregti të lirë pritet që të zbatohet deri me 10 shtator ashtu siç janë marrë vesh dje të dyja shtetet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›