E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi konfirmon plagosjen e disa personave në veri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar plagosjen e disa personave gjatë përleshjeve të sotme në veri të Mitrovicës, mes KFOR-it dhe banorëve lokalë.
 

Misioni paqeruajtës i NATO-s ka bërë përpjekje të largojë barrikadat në fshatin Rudarë, ku edhe ka hasur në rezistencën e banorëve lokalë.
 

Në një prononcim për mediat në Prishtinë, Rexhepi ka thënë se turma e serbëve ka qëlluar në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, ndërsa ky i fundit ka përdorur gazin lotsjellës, plumba gome dhe ujë për shpërndarjen e tyre.
 

Rexhepi ka pranuar se gjendja vazhdon të jetë e tensionuar, ndërkohë që ka bërë të ditur se KFOR-i ka larguar dy barrikada.
Sipas tij, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it janë në gjendje gatishmërie në rast nevoje.
 

Serbët lokalë kanë vendosur barrikada në veri që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›