E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi:Në pikat kufitare me Serbinë vetëm simbolet e BE-së

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi tha sot se në pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të vendosen simbolet shtetërore të asnjërit shtet, por vetëm ato të Bashkimit Evropian.
 

Kjo sipas tij ka ardhur si pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve, nën mbikëqyrjen e BE-së.
 

“Në protokoll është parashikuar që aty të ketë vetëm simbole të BE-së. Ndërsa në ato pjesët klasike që i kemi, secili mundet në territorin e vet ti vendosë simbolet e tij. Por në objektin e përbashkët si është konceptuar në të ardhmen do të jenë vetëm simbolet e BE-së”, theksoi Rexhepi.
 

Ministri i Kosovës Rexhepi tha se njëra ndër kushtet kryesore për liberalizim të vizave është menaxhimit i Integruar i Kufijve. Ndërsa duke folur rreth zbatimi të kësaj marrëveshje në veri të Kosovës, ai tha se kjo nuk duhet parë si dështim të institucioneve kosovare.
 

“Sa i përket liberalizimit të vizave, menaxhimi i integruar i kufirit është njëri ndër kushtet, dhe kjo tek ne funksionon, ndërsa nëse diçka nuk do të funksionoj në veri të Kosovës, nuk zbatohen disa nga 95 kriteret atëherë nuk do të penalizohet Kosova, sepse nëse ka pasur dështim, kjo ka qenë më shumë tek ndërkombëtarët”, tha ai.
 

Serbia ka shkëmbyer letrat me Komisionin Evropian dhe me këtë ka konfirmuar se pranon Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
 

Sipas zyrtarëve serb, ndonëse ata ende vendkalimeve kufitare me Kosovën u referohen si “vendkalime administrative” kanë pranuar se me shkëmbimin e letrave është hapur rruga për bisedime dhe për zbatimin konkret të marrëveshjes.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›