Greqia në grevë, bllokohet qarkullimi në Kapshicë 27-28 shtator
Bllokohet qarkullimi i automjeteve në pikën kufitare të Kapshticës. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria Rajonale e Kufirit Korçë, e cila njofton për një grevë 24 orëshe nga pala greke në doganën e Kapshticës që do të startojë prej orës 00:00 të datës 27 deri në orën 00:00 të datës 28 shtator.
Si rezultat i kësaj greve, nga pala greke në doganën e Kapshticës s`do lejohet kalimi i automjeteve por vetëm i këmbësorëve.
Greqia është paralizuar sot nga greva 24 orëshe, e shpallur nga dy grupimet më të mëdha sindikale në vend, në shenjë proteste ndaj finalizimit të paketës së masave të reja shtrënguese.
Në grevë marrin pjesë punonjësit e sektorit publik në zyrat tatimore, ata të urbanistikës, të pushtetit lokal dhe ndërmarrjet shtetërore, arsimtarët dhe pedagogët, mjekët dhe infermierët, avokatët, punonjësit e bankave. Grevës do t`i bashkohen edhe zejtarët dhe tregtarët, pas vendimit të federatës së tregtarëve që dyqanet të qëndrojnë mbyllur deri në orën 15:00 të ditës së sotme.