Rez.Fin, Shqipëri-Gjeorgji 1-1Albania-sport do ta transmetoje live me tekst këtë ndeshje, duke ndjekur traditën e saj. Na ndiqni!

SHQIPËRI-GJEORGJI 1-1(0-1)
Shenues: Agolli 58' / Dvalishvili 2'
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
E mërkurë, 10 qershor 2009, ora 19:00
SHQIPËRIA: Ujkani, Vangjeli (54' Lila), Beqiri, Dallku (46' Bylykbashi), Curri, Muzaka (46' Berisha), Vila (80' Teli) , Agolli, Bulku, Salihi (70' Lika), Kapllani (54' Hyka). Trajner: Josip Kuzhe
93'- Mbaron ndeshja. SHQIPËRI-GJEORGJI 1-1(0-1).
92’- Hyka pati një rast të shkëlqyer në minutën e fundit, por mesfushori shtatshkurtër i Mainc 05 ia përplasi topin në trup Bediashvilit.
90’ – Tri minuta shtesë nga gjyqtari i katërt, shqiptari Kridens Meta.
80’- Admir Teli luan në vend të Vilës. Ky është zëvendësimi i gjashtë nga trajneri Kuzhe.
58’- Shqipëri-Gjeorgji 1-1. Ansi Agolli lëshoi një silurë të ulët nga reth 30 metra, duke mposhtur portierin Grigor Bediashvili. Për Ansi Agollin ky është goli i parë në 11 ndeshje me përfaqësuesen. Agolli bëhet kështu autori i golit të nëntë të realizuar nga Shqipëria kundër Gjeorgjisë dhe lojtari i shtatë që shënon kundër gjeorgjianëve në 11 takime kundër tyre. Tare (3), Skela (1), Bushi (1), Rraklli(1), B.Kola (1), Hasi (1) janë autorët e golave të tjerë.
54’ –Jahmir Hyka dhe Andi Lila në vend të Edmond Kapllanit dhe Kristi Vangjelit.
47’- Kobiashvili goditi sërish me kokë, por pa rezultat kësaj radhe, pasi sfera ishte jashtë kuadratit.
46’- Besart Berisha në vend të Muzakës dhe Dorian Bylykbashi në vend të Dallkut në pjesën e dytë, këto janë dy zëvëndsimet e Shqipërisë.
45’+1- Pjesa e parë: Shqipëri-Gjeorgji 0-1. Një pjesë e parë e varfër, lojë me shumë stacione, tepër horizontale, e ngadaltë dhe shumë pasive. E pakuptueshme, pasi të gjithë besonim në formacion shumë ofensiv, pasi Kuzhe pati në fushë dy sulmues të mirëfilltë Salihin (1 gol me përfaqësuesen) dhe Kapllanin (6 gola). Asnjë rast i pastër për gol, përveç ngacmimit nga Kapllani në minutën e 21-të.
34’- Aleksandar Ishavili (Karlsruhe) goditi në hyrje të zonës, por Ujkani (Palermo) e devijoi atë në goditje këndi me një veprim të bukur.
31’ – Bulku kombinoi bukur me Kapllanin, topi u përcoll më pas te Ansi Agolli, mesfushori i Tiranës gjuajti fuqishëm në qëndër të portës, por Bediashvili priti në pozicion.
30’- Shumë pak veprime agresive nga Kombëtarja jonë, aspak administruese e mesfushës dhe pa vertikalizim të aksioneve drejt gjysmëfushës gjeorgjiane.
21’ - Salihi përpunoi një top të bukur brenda zonës, duke u rrotulluar midis dy-tre lojtarëve gjeorgjianë, lëshoi një top për Kapllanin, por durrsaku nuk arriti të sinkronizojë kohën për ta shtyrë topin në rrjetë. Topi i larguar nga mbrojtësit gjeorgjanë përfundoi te Vila, por ky i fundit nuk goditi saktë. Moment shumë i mirë për Shqipërinë, por pa rezultat.
19’- Mesfushori Emiljano Vila lëshoi në mesfushë një top për Vangjelin, ky i fundit i i dhuroi një korridor të bukur Edmond Kapllanit, sulmuesi i Augsburgut në Bundesliga 2, doli përballë portierit Bediashvili, por goditja nuk ishte e saktë.
15’ – Një Shqipëri pa nerv, pa fantazi e me gabime me pasime, duke mos krijuar asnjë situatë të rrezikshme për Gjeorgjinë. Të paktën deri tani ndihet plotësisht prania dhe influenca e “senatorëve” si Skela, Cana, Bogdani.
2’ –Një krosim nga e majta nga Merabashvili brenda zonës sonë, portieri Ujkani u zë në befasi, dhe aty Vladimir Dvalishvili (Skonto FC, Letoni) nuk fali, duke befasuar Shqipërinë, me një gol pas vetëm 100 sekondash. Një nisje e keqe e kuqezinjve. Shqiperi-Gjeorgji 0-1
1’ - Nis ndeshja. Ky është takimi i 11-të midis dy skuadrave. Bilanci i dhjetë takimeve të para: 3 fitore Shqipëria, 6 fitore Gjeorgjia dhe një barazim. Shqipëria luan komplet me të bardha, ndërsa gjeorgjianët me të kuqe. Rreth 3 mijë shikues në “Qemal Stafa”. Kapiteni i Shqipërisë në këtë takim është mbrojtësi Elvin Beqiri i Vllaznisë. SHQIPËRIA: Ujkani, Vangjeli, Beqiri, Dallku, Curri, Muzaka, Vila, Bulku, Salihi, Kapllani
E Merkure, 10 Qershor 2009