E Diel, 1 Nëntor 2026

Klodiana Shala - Pas lojërave të Pekinit do martohem me Taulantin

 

Atletja më e famshme në Shqipëri, por që ka arritur të thyejë një tjetër rekord në jetën private. 12 vite bashkëjetesë me Taulant Stërmasin, e tani gati për ceremoninë martesore në stilin sportiv: Udhëton me një makinë të 2008 “Jeep Suzuku” të zezë. Por dhe me një motor të madh, kur i duhet të sfidojë trafikun e mërzitshëm në Tiranë, sepse ajo është mësuar ta bëjë jetën me vrap. Dhe nesër niset drejt Pekinit, atje ku i duhet të çajë smogun e atij qyteti të madh kinez, për të garuar në Lojërat Olimpike Verore “Pekin 2008”.  Është Klodiana Shala. Bjonde tipike, e përsosur në ambicjet e saj. 29 vjeçe i mbush më 22 gusht, dhe do të jetë në Pekin edhe ditën e ditëlindjes. Pas katër javësh atje, ca pushime me shoqërinë në Egjipt, dhe gati për një ceremoni martesore me Taulant Stërmasin, sepse tani nuk ka më kuptim. Ata jetojnë bashkë, që pak ditë pasi u njohën 12 vite më parë dhe janë në momentin e tyre të mirë për martesë.  

Taulanti
Ishte kthyer nga Greqia, për pak orë në Tiranë dhe e prisnin disa takime pune. Një nga telefonatat ishte e Taulantit, i cili i kërkoi të takoheshin, pasi kishin 10 ditë pa u parë. E dinë të gjithë, që ajo jeton me Taulantin, por asnjëherë nuk ka vendosur të publikojë fotot e tij. Sepse ajo është çapkëne, ndërsa ai është tip ndryshe, i qetë dhe i tërhequr. E s’ka problem, pasi si gjithmonë të kundërtit tërhiqen. “Serioz në dukje por shumë gazmor në shoqëri, e për më tepër që nuk ma prish qejfin për asgjë”, thotë ajo. Dhe kjo është e vërtetuar, pasi kanë vite që bashkëjetojnë, aq sa kanë harruar dhe të martohen. Ai tani është 31 vjeç dhe Klodiana shprehet se, “janë rritur bashkë, e janë njohur më 22 gusht 1996, ditën e ditëlindjes së saj, kur ajo mbushi 17 vjeç”. Taulant Stërmasi, një djalë brun, 1.92, tirans qind për qind, nga fisi i Sterman Stërmasit, u takua me Klodianën jo fare rastësisht. Ajo çfarë i lidhi ishte pasioni i përbashkët për sportin. Dhe ai karrierën e nisi si futbollist, por për arsye të shkollës, që e përfundoi në vitin 2000 për Juridik, e la futbollin. Por u lidh më shumë me Klodianën, pasi që nga viti 2002, vendosi të bëhet trajner personal i saj, por edhe i disa sportistëve të tjerë. E tri vite iu përkushtua tërësisht asaj. “Ka sakrifikuar për mua, kur pikërisht në vitin 2003, la Shqipërinë dhe u vendos së bashku me mua në Greqi deri në vitin 2006, gjithçka për karrierën time”. Tashmë ai punon në Raiffeisen Bank, dhe i duhet të menaxhojë aktivitetet sportive të së fejuarës. Dhe kur merr me mend, se Klodiana është tipi që gjithçka e kërkon në perfeksion, mund ta imagjinoni lodhjen e tij. 

Martesa
Ceremonia e martesës që ka planifikuar në shtator, me fustan të shkurtër e party me shoqërinë. Muzika që ajo dëgjon është e lehtë, por atë natë gjithçka do të jetë e fortë. Taulanti është i dhënë pas mbrëmjeve, dhe aspak xheloz. Dhe ndoshta mezi po pret ceremoninë e martesës edhe pse ata kanë vite, që jetojnë bashkë. Por arsyeja pse ata e kanë shtyrë deri tani ceremoninë, ka qenë pasi ajo që është mësuar t’u ikë nga sytë të tjerëve duke vrapuar, e ka shumë bezdi të jetë qendra e vëmendjes. Dhe këtë gjë ka dashur të shmangë, edhe me ceremoninë e martesës, pasi e ka bezdi vështrimin e të tjerëve. Por mjaft më, tani është momenti, dhe ata kanë vendosur që të organizojnë një ceremoni tip party vetëm me shoqërinë në shtator. Një martesë në vjeshtë dhe pushime dimërore me Taulantin.

Fustan nusërie mini
Fustan të bardhë sigurisht, por i shkurtër. I tillë do të jetë fustani i martesës, që ajo ka menduar të veshë, pasi shijet e saj janë nga më të çuditshmet. Por kësaj here ndikuar dhe nga ai, pasi është Taulanti, që e shtyn gjithnjë drejt minifundit. Ajo është tipi i duhur për të përshtatur veshjen kudo. Sa sportive, aq dhe klasike, kur bëhet fjalë për mbrëmje, dhe ku duhet të jetë në majë të takave. Linja e saj e preferuar është “Burberry”, ku blen këmishat, këpucët apo çantat.
Apartamenti
Mobilja e fundit, që ka porositur për shtëpi është një etazher, ku ajo do të vendosë të gjitha diplomat, medaljet e kupat e marra gjatë karrierës së saj sportive. E udhëtimeve e mundimeve të tyre të mëdha para dy vitesh, iu dhanë fund me blerjen e një apartamenti, pranë shkollës “Partizani”, lagjja e fëmijërisë së Klodianës. “Ai dilte nga shtëpia në orën 08:00 dhe kthehej në orën 23:00, dhe s’ka pasur kohë të merret me mobilimin, ndaj gjithçka e kam kombinuar vetë”, shton ajo. Ajo është maniake e rregullit  dhe e marrosur pas gatimit, e duket pak e çuditshme kur mendon tipin e saj sportiv.

Plani për 3 fëmijë
Edhe 2 vite sport, dhe me pas gati për të lindur tre fëmijët që ka në plan. Por ç’ndodh me karrierrën e një një atleteje kur ajo është shumë pranë të 30-ave. Në fakt mos mendoni se është keq, pasi për Klodianën ndodh e kundërta. “Ndihem mirë, tani më shtyn më shumë dëshira për të bërë sport dhe gjithçka tjetër”, thotë ajo. “Dhe ajo çdo gjë e bën me plan, pasi edhe dy vite sport i ka të planifikuara dhe pastaj, gjithçka do e lërë për t’iu përkushtuar bebit të parë. Dhe kjo nuk është një ëndërr kot, pasi ajo ka menduar dhe emrat, që tani. Nëse do të jetë djalë emrin do ta ketë Shon, dhe nëse do të jetë vajzë emrin do e ketë Ester. Por nuk mbaron me kaq, pasi dhe një fëmijë i tretë do të jetë në jetën e saj, për emrin e së cilës ka kohë.

Në formë
Është e gjatë 1.68, peshon 59 kg dhe duket se ka një trup të tonifikuar me muskuj, dhe natyrisht në formë. Por ajo nuk është një sportiste totalisht në stilin sportiv, pasi kur vjen puna për delikatesën dhe fytyrën e bukur, i nënshtrohet trajtimit estetik, njësoj si një vajzë spektakli. Është shumë e dhënë pas kozmetikës dhe linjave delikate. S’mban dietë, dhe ha ëmbëlsira atëherë kur nuk i prishin punë. Por mishi, supa peshku nuk mungojnë në tavolinën e saj, aty ku janë kategorikisht të ndaluara duhani dhe alkooli. Madje, ajo tregon se gjatë gjithë jetës së saj mund të ketë provuar vetëm 3 gota verë.

Rekordet
Eshtë rekordmene e garës së 400 metrave dhe doli e para në Çmimin e Madh të Greqisë të zhvilluar në Kastoria në qershor. Koha e Shalës ishte 54"98, një rezultat më i ngadaltë në krahasim me atë që arriti në Kupën e Europës “Bruno Zauli” në Sllovaki me 54"62. Por ajo tashmë njihet si atletja shqiptare që ka thyer më shumë rekorde dhe ka fituar më shumë medalje. Sepse është kampione shqiptare dhe rekordmenia absolute në 50, 100, 200, 400 metrave, dhe 110 metrave. Klodiana Shala gjatë vitit 2006 ka thyer 5 rekorde kombëtare, 2 në garën e 220 metrave, 2 në garën e 400 metrave dhe 1 në garën e 100 metrave. Por ka qenë edhe nënkampionja e Ballkanit në vrapimin e 200 metrave me kohën 24,34 në Novi Sad të Serbisë dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete të tjera si në Bukuresht, Izmir, Odesa, Athinë etj. Ka përmirësuar rekordin kombëtar të vendosur pikërisht katër vite më parë, e mban tri rekorde kombëtare në 200 metra, 400 metra dhe në 400 metra me pengesa që deri tani nuk janë thyer nga asnjë atlet tjetër shqiptar.

Pas Pekinit pushime pas 10 vitesh

Ajo sot është nisur drejt garës, ku në atletikë garojnë 150 sportistë. “Tani shkoj me besim”, thotë Klodiana, duke pasur parasysh që merr pjesë për herë të tretë. Në Sidnei ishte 21 vjeç kur garonte, dhe po ashtu dhe në lojërat “Athinë 2004”, nuk ndiente siguri të madhe.”Vij nga një operacion të vështirë në gju, dhe e shoh të vështirë këtë garë, kur mendon që në finalen e atletikës, nuk ka asnjë atlet evropian, të gjithë janë atletë me ngjyrë, dihet kampionë të shpejtësisë. Kryesorja është të kaloj
turet”, tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›