Përfundon ëndrra, Hungaria golat, Shqipëria shtyllat
Dash Frashëri
Kthim në realitet. Dy gola Hungaria, dy shtylla Shqipëria. Bilanc negativ në aventurën hungareze. Kuqezinjtë morën një mësim të hidhur në “Ferenc Pushkash” të Budapestit, duke humbur me rezultatin e pastër 2-0, por ajo që e bën më të hidhur humbjen e parë në eliminatore ishte loja e varfër. Premtuese në pjesën e parë. Shumë e dobët në fraksionin e dytë. Tashmë, sërish në vendin e pestë. Por me zhgënjimin e madh. Shqipëria nuk ka forcën e duhur për të qenë midis të mëdhenjve të grupit. Fillimi i ndeshjes u duk premtues për Shqipërinë, e cila ishte më e organizuar në mesfushë e me një vizion të gjerë drejt sulmit. Humbja e parë zyrtare me Hungarinë dhe e treta përfshirë edhe miqësoret, në katër përballje historike.
Mbrojtësi i Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, Armend Dallku, ndërmori një inkursion nga e djathta, duke vertikalizuar topin në rrethin e zonës së 16-metërshit te Ervin Skela, fantazisti kuqezi bëri një manovër taktike, duke i lënë hapësirë Erjon Bogdanit, sulmuesi i Kievos tërhiqet pak prapa, duke lëshuar në minutën e 10-të lëshoi një diagonale të fortë nga 17 metra, duke detyruar portierin hungarez të bëjë një pritje të vështirë.
Në minutën e 17-të Arjan Beqaj, bëri një dalje jo të mirë, topi i grushtuar nga portieri i Anorthosit, nuk arriti të dalë jashtë vijave kufizuese, Bodor i Hungarisë mund të rrezikonte.
Në minutën e 35-të kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, i dhuroi një top të artë dhe Ervin Skela nga 18 metra goditi fuqishëm, duke tronditur traversën e katërkëndëshit hungarez të mbrojtur nga Pulop. Një rast i madh për Ervin Skelen dhe Shqipërinë. “Duam fitore, duam fitore”, - buçiti korri i tifozerisë shqiptare ne “Ferenc Pushkash” të Budapestit. Kamerat e regjisë hungareze shfaqën portretin e një Ari Hani të qeshur.
Dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, në të 43’, Armend Dallku ishte vendosur keq në mbrojtje, e aty hungarezi Bodor përfitoi, duke rrezikuar seriozisht portën e Arjan Beqajt. Shqipëria mund të ishte ndëshkuar keq.
Pjesa e dytë nisi fatale për Shqipërinë, pasi pa kaluar pesë minuta lojë, Torgele i pambuluar në zonën e vogël shënoi me kokë, duke nxjerrë bllof tre mbrotjësit shqiptarë. 1-0 për Hungarinë. Nuk mund të ishte më keq, aq më tepër kur pjesa e parë ishte thuajse një lojë perfekte taktike e kuqezinjve.
Trajneri Han i pakënaqur nga veprimet e shumta të gabuara në mbrojtje, zëvendësoi mbrojtësin e Arisit të Selanikut, Kristi Vangjelin me mesfushorin e Maincit, Jahmir Hyka.
Në të 60’, Ansi Agolli goditi topazi brenda zonës, por portieri Pulop ishte në pozicion. Loja e Shqipëisë ishte tërësisht e zbehtë, teksa Hungaria pati më shumë se një rast për të realizuar golin e dytë. Trajneri Han kuptoi se frymëarrja e mesfushës mungon e Erjon Bogdani i vetëm në sulm është thjesht një hije. Në të 74’ tekniku holandez i Shqipërisë hodhi në fushë sulmuesin Edmond Kapllani, në vend të mbrojtësit Elvin Beqiri, i cili duhet pranuar se nuk ishte në një ditë të mirë, kjo dhe për shkak të dëmtimit disa javor që kishte kaluar me Vllazninë.
Në të 81’, Juhasz pas goditjes nga këndi shënoi një gol qesharak me kokë, duke e kaluar topin midis këmbëve të Beqajt, e ndërsa topi i drejtohej rrjetës Dallku, nuk mundi ta devijonte atë në goditje këndi. Më shumë se një turp goli i dytë. Një gabim i pafalshëm i Debatik Currit, i cili nuk ishte në pozicionin e duhur për të mbuluar Juhasz. Han, ngeli më shumë i nervozuar e vendosi të ndërrojë pas vetëm 20 minutash lojë Jahmir Hykën me mesfushorin shkatërrues Ervin Bulkun në të 82’. Momenti tjetër i bukur i përket Ansi Agollit, i goditi fuqishëm nga larg, teksa topi u ndal nga shtylla horizontale. Dy gola Hungaria, dy shtylla Shqipëria. Por, në futboll ka rëndësi rezultati. Nisemi drejt Portugalisë kokulur. Në pritje të një tjetër “dushi të ftohtë”.
GRUPI 1
Dita III
Hungari-Shqipëri 0-0
Danimarkë-Maltë 3-0
Suedi-Portugali 0-0
Renditja
Danimarka 7
Suedia 5
Portugalia 4
Hungaria 4
Shqipëria 4
Malta 0
Danimarka merr kreun e grupit
Danimarka nuk e pati vështirë të regjistronte një fitore të lehtë 3-0 ndaj Maltës, duke marrë dhe kryesimin e grupit 1, tashmë në kuotën e shtatë pikëve. Soren Larsen shënoi pa kaluar ende minutat e dhjetë golin e parë, ndërkohë që në të 29’, Daniel Ager dyfishoi rezultatin. Dy minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Soren Larsen firmosi golin e tretë për formacionin e Morten Olsenit. Suedi-Portugali u ndanë në barazim pa gola: 0-0
Anglia stërvitje me Kazakistanin, Ishujt Faroe ndalojnë Austrinë
Në grupin 2, Zvicra mundi me rezultatin e ngushtë 2-1 Letoninë. Të tre golat u realizuan në pjesën e dytë në harkun e dhjetë minutave. Aleksandër Frei shënoi në për zviceranët minutën e 63-të, Denis Ivanos barazoi për Letoninë në minutën e 71-të, por dy minuta më pas Blaise Isetsima NKufo vulosi fitoren e formacion e Otmar Hitcfeld.
Në grupin 4, Finlanda fitoi ngushtësisht me Azerbajxhanin, falë golit të Majkëll Forselit në pjesën e dytë (61’).
Uellsi arriti një fitore 2-0 pa probleme kundër Lihteshtejnit modest. David Eduards shënoi golin e parë në minutën e 42-të, ndërkohë që Kreig Belami humbi një 11-metërsh në të 45’. Për ta shënuar golin e dytë për uellsianët, ndihmoi Mario Frik i Lihteshtejnit, i cili shënoi një autogol në minutën e 80-të.
Në grupin 4, Anglia e Fabio Kapelos e ktheu në një formalitet fitoren me Kazakistanin: 5-1. Të gjashtë golat u shënuan në pjesnë e dytë. Rio Ferdinand çeli serinë e golave në minutën e 52-të për anglezët. Kazakistanezi Alkesandër Kuçma shënoi një autogol në portën e tij në të 64’. Kukek shkurtoi diferencën në minutën e 68’, e më pas nisi furia angleze me Uejni Runin (76’ e 86’). Për të vendosur qershizën mbi tortë mendoi Zhermën Defo, i cili realizoi golin e pestë në minutën e 90-të. Po për këtë grup, Ukraina e Kroacia u ndanë në barazim pa gola: 0-0.
Në grupin 7, Ishujt Faore shkaktuan surprizën më të madhe të ndshjeve të ditës së tretë të kualifikueseve, duke barazuar në shtëpi 1-1 me Austrinë e Ronald Gërcaliut. Boki Lokin shënoi në minutën e 47-të, ndërsa austriaku Martin Shtranzl barazoi dy minuta më pas.
Në grupin 8, Gjeorgjia arriti një barazim 1-1 në shtëpi me Qipron. Qipriotët kaluan të parët me anë të Michalis Konstantinou (66’), ndërkohë që vendasit barazuan me anë të Levan Kobiaschëili shtatë minuta më pas.
Në grupin 9, Skocia e Norvegjia u ndanë pa gola: 0-0.
11 Tetor 2008