E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objektivi i integrimit s’u ndal edhe me bllokadën e opozitës

11-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pritet në Paris nga homologu i tij, Francois Fillon. Investimet franceze cilësohen si një histori suksesi në Shqipëri, ndërkohë që integrimi i vendit në BE vlerësohet se s’u ndal dot nga dy vitet e bllokimit të opozitës


Kryeministri Sali Berisha, në ditën e fundit të vizitës së tij në Francë, u prit në një takim nga Kryeministri i Republikës Franceze, Francois Fillon. Kryeministri Fillon i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen në Francë dhe shprehu kënaqësinë për takimin jo vetëm në kuadër të PPE-së, por edhe në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Shqipërisë. Ai i cilësoi marrëdhëniet politike mes të dy vendeve si shumë të mira. Në vijim, ai shprehu interes për fushat e bashkëpunimit me interes dypalësh. Kryeministri Berisha e njohu homologun francez me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e tyre, si dhe programin e investimeve që ajo ka ndërmarre me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e vendit. Ai e siguroi Kryeministrin Fillon se integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë së tij dhe gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim. Kryeministri theksoi disa histori suksesi të investimeve madhore franceze si kompanitë Sagem në prodhimin e dokumenteve biometrike të identitetit, Eurocopter, Societe General, Credit Agricole dhe së fundmi Carrefour, që janë shembull për investime të mëtejshme. Të dy kryeministrat u ndalën tek energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tirane, modernizimi i administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave si fusha me interes për investime apo ku Franca mund të ofroje ekspertizë dhe asistencë. Berisha e njohu homologun e tij edhe me zhvillimet politike në vend. Ai theksoi se, pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga mazhoranca gjatë dy viteve dhe tashme situata politike dhe jeta parlamentare janë  normalizuar dhe një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen. Në takim u bisedua edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe atë në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se ruajtja e kufijve aktualë dhe fokusimi tek integrimi europian janë vitale për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Në përfundim, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Fillon që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit me kënaqësi. Kryeministri Berisha mori pjesë në  punimet e kongresit të 20-të të Partive Popullore Europiane, që u zhvillua në Marsejë. Në samit merrnin pjesë personalitete të njohura të politikës evropiane, kryetarë shtetesh e qeverish dhe liderë të opozitës së vendeve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së, si dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, ai i Parlamentit Europian Jerzy Buzek dhe presidenti Grupit të PPE në Parlamentin Evropian Joseph Daul. Kryeministri Berisha është takuar gjatë punimeve të Kongresit të PPE-ve me një sërë personalitetesh pjesëmarrëse, si Kryetari i grupit të PPE në Parlamentin Evropian, Josef Daul, kryeministrin finlandez Jyrki Katainen, Presidentin e Parlamentit Evropian Jerzy Busek, Presidentin e PPE Wilfried Martens, ish kryeministrin italian dhe Presidentin  e PDL (Il Popolo della Libertà) Silvio Berluskoni, përfaqësues i PDL Franco Fratini, Kryetarin e Partisë greke Demokracia e Re, Antonis Samaras, Presidentin e bordit të Fondacionit Robert Schuman, Dominique Giuliani, Sekretarin e Përgjithshëm të Grupit të EPP Martin Kamp, si dhe ish Guvernatorin e Minesotës Tim Paëlenty, zëvendëspresidenten e IRI (Instituti Ndërkombëtar Republikan), Judy Van Rest, Drejtorin për Europën të IRI Jan Surotchak, etj, me të cilët ka diskutuar rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, si ato në rrafshin politik, ashtu edhe atë ekonomik, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në arritjet dhe përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të bërë realitet projektin e shekullit për shqiptarët, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Vizita e kryeministrit në Francë kulmoi me qëndrimin në Paris, ku u prit në një takim të veçantë nga kryeministri francez, Francois Fillon. Parisi zyrtar shprehu edhe njëherë mbështetjen e palëkundur për rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›