Rezoluta, PE: Shqipëria ka bërë progres në procesin e integrimit, por ka ende për të bërë
Eneida Jaçaj
Parlamenti Europian, në diskutimin e djeshëm mbi Rezolutën për Shqipërinë ka vlerësuar hapat e rëndësishëm që ka bërë vendi për procesin e integrimit, por ka shprehur rezerva se vendi ynë ka ende për të bërë. Eurodeputetët, në diskutimet e tyre u kanë bërë apel politikanëve shqiptarë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen e krizës politike, pasi kjo rrezikon integrimin e vendit. Europarlamentarët kanë shprehur rezerva edhe ndaj luftës së korrupsionit, lirisë së medias, të cilat janë kritere të rëndësishme për procesin e plotë të integrimit të Shqipërisë. Gjatë diskutimeve në PE, eurodeputetja Doris Pak është sulmuar nga një eurodeputet i majtë, i cili e akuzoi se ajo nuk ndikon që palët politike në Shqipëri të bashkëpunojnë, por nxit kryeministrin Sali Berisha të bëhet i papërgjegjshëm në zgjidhjen e krizës. Gjatë diskutimit për Rezolutën, eurodeputetët e majtë propozuan 11 amendamente të reja, ndërsa të djathtët propozuan amendamente krejtësisht radikale për vizat dhe korrupsionin si dhe kërkuan që Shqipëria të regjistrohet në Konferencën e Islamikëve dhe të ndërpresë procesin e integrimit. Sot pasdite pritet që Parlamenti Europian të miratojë rezolutën për Shqipërinë.
Fyle
Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it duhen të merren parasysh përpara 2011-s dhe se duhet të rikthehet dialogu konstruktiv mes palëve politike. Kjo është thirrja që u bën palëve politike shqiptare komisioneri europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, dje, gjatë diskutimit të Rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Komisioneri Fyle ka deklaruar se vendi ynë ka bërë progres në kuadër të procesit për liberalizimin e vizave. “Përshëndes Rezolutën për Shqipërinë, e cila ka bërë progres në çështjen e liberalizimit të vizave. Propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë është pranuar”, - ka pohuar Fyle. Por, zyrtari i lartë europian ka nënvizuar se vendi ka ende kritere të tjera për të plotësuar, duke e vënë theksin te lufta kundër dukurive negative dhe te liria e medias. “Shqipëria të zbatojë kriteret. Duhet bërë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të qenieve njerëzore, si dhe për përmirësimin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, duhet të forcohet edhe liria e medias pasi intimidimi i saj është tepër shqetësues”, - është shprehur Fyle. Edhe eurodeputeti i Partisë Popullore Europiane, Rusek, i ka bërë thirrje politikës shqiptare të gjejë konsensusin mes opozitës dhe partisë në qeveri. “Partitë politike të marrin përgjegjësitë dhe të gjendet zgjidhja për reformën zgjedhore”, - nënvizoi Rusek. Ai vlerëson se është bërë pak progres në çështjen e pronës si dhe mbetet problem korrupsioni.
Kauntis
Hartuesi i Rezolutës për Shqipërinë, Nikolas Kauntis, në një intervistë për Dojçe Velen para diskutimit të Rezolutës në Parlamentin Europian, deklaroi mbështetjen që PE-ja duhet t’i japë vendit tonë drejt BE-së. “Mendimi im është se ne duhet t’i ndihmojmë shqiptarët të vazhdojnë të hedhin hapat e duhur në drejtim të demokracisë për t`iu afruar sa më shumë Bashkimit Europian”, - theksoi Kauntis. Ndërkohë, në një deklaratë për shtyp, Parlamenti Europian shkruan në prag të zhvillimit të debateve se korrupsioni, krimi i organizuar dhe institucionet e dobëta janë problemet kyçe për të dyja vendet. Lidhur me këtë, Kountis, gjatë fjalës së tij në PE, nënvizoi se në Shqipëri ekzistojnë ligje të mira në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ose të grupeve shoqërore, por problemi kryesor është zbatimi i tyre. Kauntis pret që projektrezoluta të aprovohet dhe shpreson që ajo të sjellë diçka të re për njerëzit në Shqipëri. Ai beson se ajo do të jetë mbështetje për të bërë hapat e duhur për vendin drejt BE-së.
Eurodeputetët: Kriza politike rrezikon integrimin e Shqipërisë
Europarlamentarët kanë shprehur shqetësimin për krizën politike në vend, e cila përbën rrezik për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në prag të votimit të Rezolutës për Shqipërinë, dje, në Parlamentin Europian, zv.kryetari i Delegacionit për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, Viktor Boshtinaru dhe zv.presidenti i PE-së, Xhani Pitela, komentuan në një prononcim për mediat situatën politike në Shqipëri. Ata hodhën poshtë po ashtu idenë se futja e opozitës në Parlament shënon fundin e krizës politike. I pyetur në lidhje me Rezolutën përpara se ajo të miratohej, Boshtinaru deklaroi se Rezoluta synon të konfirmojë mbështetjen, por edhe shqetësimin që ende ekziston në Parlamentin Europian në lidhje me situatën politike në Shqipëri. “Ideja për ta shtyrë këtë rezolutë për disa javë ishte shprehje e shpresave të deputetëve europianë se më në fund të dyja blloqet politike në Tiranë do të gjejnë një zgjidhje politike dhe do t’i japin fund krizës. Por, nëse i kthehemi përmbajtjes së Rezolutës, ka disa pika, disa prej të cilave u propozuan së fundi nga grupet kryesore politike, në të cilat ne ripërsëritim thirrjen tonë për një zgjidhje politike. E përsëris, se pa një zgjidhje politike për krizën politike që ende ekziston në Shqipëri, kjo situatë mund të vërë në rrezik fatin europian të Shqipërisë”, - u shpreh Boshtinaru.
Zv.kryetari Boshtinaru komentoi po ashtu dhe deklaratën e përbashkët të kryetarëve të grupeve më të mëdha politike në PE, Zhozef Daul dhe Martin Shultz si dhe hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrë PE-ja për të ndikuar në zgjidhjen e krizës, e cila, sipas tij, nuk mund të quhet e zgjidhur. “Pa dyshim që në Shqipëri vazhdon të ketë probleme dhe është pikërisht kjo arsyeja përse nesër do të diskutohen, negociohen dhe votohen disa amendime të reja të Rezolutës. Deklarata e përbashkët përmendi faktin që negociatat nuk ishin në gjendje të arrinin një zgjidhje të negociuar, dhe kjo konfirmon që kriza ende ekziston. Ajo çfarë duam të arrijmë ne në Parlamentin Europian, pa bërë asnjë përpjekje për të qenë të njëanshëm, as në anën e zotit Berisha dhe as në anën e zotit Rama, është thjesht që të arrihet një funksionim më i mirë i institucioneve demokratike në vendin tuaj”, - u shpreh Bostinaru, duke theksuar se nëse nuk gjendet një zgjidhje politike kjo mund të dëmtojë aspiratat europiane të Shqipërisë. “Nëse shohim përmbajtjen e kësaj rezolute dhe lexojmë ashtu siç duhet çdo fjalë dhe fjali të saj, keni për të kuptuar menjëherë, dhe shpresoj që këtë ta bëjë edhe kryeministri, se ka një nevojë dramatike për një zgjidhje politike”, - tha Boshtinaru. Edhe zv.presidenti i PE-së, Xhani Pitela, u shpreh në të njëjtën linjë se kriza politike përbën një pengesë të madhe në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Pitela deklaroi se nuk mjafton vullneti i mirë që tregoi PS-ja duke hyrë në Parlament për të deklaruar se kriza është zgjidhur, pasi që sistemi politik në Shqipëri të funksionojë nevojitet zbardhja e zgjedhjeve të shkuara. “Parlamenti Europian po tregon edhe njëherë vëmendjen dhe interesin e tij në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë. Shqipëria është një vend që ne e duam shumë. E konsiderojmë tashmë si pjesë të familjes europiane dhe po punojmë që të hyjë në familjen europiane. Kjo rezolutë e fundit e Parlamentit Europian rithekson këtë miqësi dhe këtë raport të privilegjuar. Këtë e kemi treguar edhe ndër vite. Por, jemi po ashtu shumë të shqetësuar, duam ta themi këtë me shumë sinqeritet, sepse në këtë rrugë, këtë rrugë të bashkëpunimit më të madh, rrugë të njohjes së Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim, ekziston një pengesë e madhe. Pengesa që ekziston është klima politike në Shqipëri”, - u shpreh Pitela.
Braçe: “Berisha të mos i rritë pagat e shtetarëve më shumë se pensionet”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, dje, përpara bulevardit të Kryeministrisë, i ka bërë thirrje kreut të Ekzekutivit, Sali Berisha, të mos i rritë rrogat e shtetarëve, deputetëve dhe drejtuesve të tjerë politikë në këtë situatë krize ekonomike, por të fokusohet te rritja reale e pensioneve e rrogave të qytetarëve të thjeshtë. “Kryeministri të mos e rritë pagën e presidentit, pagën e tij, të ministrave e të mos rritë pagat e drejtorëve politikë”, - u shpreh Braçe. Sipas tij, kjo situatë bëhet edhe më amorale edhe për shkak të pasurimit të qeveritarëve aktualë nëpërmjet abuzimeve dhe korrupsionit në të gjithë nivelet e tij, ose duke parë në krahun tjetër shtimin e pasurisë së djalit të kryeministrit me 200 mijë euro vetëm brenda një viti. “Kryeministri sot po miraton një vendim që do të rritë pagën e tij 6 herë më shumë se paga e pensionistëve; po rrit pagën e kryetares së Kuvendit 9 herë më shumë dhe të ministrave, 5 herë më shumë sesa paga e pensionistëve”, - theksoi Braçe.
8 Korrik 2010