PD-ja rrëzon Çomon, opozita braktis Komisionin: “Po fyeni Presidentin”
Eljona Ballhysa
Demokratët në Komisionin Parlamentar të Ligjeve miratuan gjatë mbledhjes së djeshme kandidaturën e Medi Bicit për në Gjykatën e Lartë, ndërsa rrëzuan atë të Sokol Çomos për shkak të sjelljes së tij arrogante dhe postit të zëvendësministrit që ka mbajtur në kohën e qeverisë së PS-së. Ndërsa anëtarët socialistë në këtë komision nuk morën pjesë në shqyrtimin e kandidaturave për shkak se e braktisën mbledhjen pasi nuk u mor në konsideratë kërkesa e tyre për më tepër kohë në dispozicion për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Në fillim të mbledhjes së djeshme fjalën e ka marrë deputeti socialist Fatmir Xhafa, i cili kërkoi në emër të PS-së që shqyrtimi i kandidaturave të shtyhej për një mbledhje tjetër dhe t’u lihej më tepër kohë deputetëve për vendimmarrje. Por, kjo kërkesë e Xhafës u hodh poshtë nga deputetët e PD-së. Duke e quajtur të paracaktuar fatin e të zgjedhurve të Topit, Fatmir Xhafa deklaroi se procesi është tejet politik. “Është përcaktuar te zyra e kryeministrit se si do të votohet, dhe kjo është e qartë. Problemi që po kërkojmë ne është të na jepni kohën e nevojshme për të bërë një debat. Dhe çfarë? Në fund do të përfundojë me kartonët tuaj”, - tha Xhafa.
Ndërsa deputeti socialist Pandeli Majko e cilësoi procedurën e ndjekur nga PD-j fyese jo vetëm për kandidatët, por edhe për Presidentin e Republikës, të cilit i po rrëzohen dekretet një e nga një. “Partia juaj, me sa duket dhe nga relacionet, dhe nga mënyra e sjelljes, për herë të dytë po i rrëzon në mënyrë masive, njëherë 100 për qind të kandidaturave, njëherë 2/3 e kandidaturave të Presidentit, i cili nuk është i partisë sonë, por përfaqëson unitetin e kombit. Në këtë mënyrë ju po fyeni jo vetëm kandidaturat, por edhe institucionin e Presidentit”, - është shprehur Majko. Më pas, deputetët e PS-së braktisën mbledhjen duke refuzuar të merrnin pjesë seancën e diskutimit të dekreteve të presidentit Topi.
Rrëzimi i Çomos
Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, lexoi në Komision relacionin për dekretin e Sokol Çomos për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Në relacionin e tij Hoxha nënvizoi se “në historikun e eksperiencës profesionale raporti i Çomos me sistemin gjyqësor nuk ka qenë koherent dhe i qëndrueshëm. Kështu, zoti Sokol Çomo është shkëputur dy herë nga sistemi me kërkesë ose për shkak të politikës: në vitin 1998, kur u emërua zëvendësministër i Drejtësisë dhe në vitin 2006, kur dha dorëheqjen si gjyqtar për të mbetur vetëm anëtarin e KLD-së. Funksionet që kandidati Sokol Çomo ka kryer ndër vite brenda sistemit të drejtësisë, si në kuadrin individual, ashtu dhe atë kolegjial, kanë qenë thelbësore për mbarëvajtjen dhe menaxhimin e vetë sistemit të drejtësisë. Posaçërisht korrupsioni i lartë brenda sistemit gjyqësor, mungesa e profesionalizmit dhe mungesa e transparencës, jo vetëm që e kanë shoqëruar sistemin ndër vite, por dukshëm janë thelluar si plagë madhore të tij. Kandidati Sokol Çomo refuzoi ose anashkaloi t’u përgjigjej pyetjeve të deputetëve që cekin problematikën e sistemit të drejtësisë. Kandidati nuk paraqiti në Komision asnjë të dhënë në lidhje me veprimet, rezultatet, arritjet konkrete të tij në ushtrimin e detyrave për të luftuar këto sëmundjet e sistemit të Drejtësisë”, - është shprehur Hoxha. Më tej, relatori i Komisionit vlerësoi se kandidatit i mungon vullneti për të dhënë një kontribut të drejtë dhe të paanshëm në sistemin e drejtësisë dhe posaçërisht në Gjykatën e Lartë, pasi lidhja e tij me politikën, ndikimi prej saj si dhe mungesa e karrierës në sistemin gjyqësor evidentohen qartë si nga seanca dëgjimore, ashtu edhe nga dokumentacioni i depozituar në Komision. Në përfundim relatori i propozoi Komisionit që t’i rekomandojë seancës plenare rrëzimin e kandidaturës për anëtar të Gjykatës së Lartë të zotit Sokol Çomo si kandidaturë me mangësi dhe mungesë besueshmërie në integritetin profesional dhe moral. Edhe deputetët e tjerë të PD-së, që morën fjalën, si Enkelejd Alibeaj dhe Eduard Halimi, përveçse vunë theksin në ndikimin politik të kandidatit Çomo, nënvizuan edhe sjelljen e tij arrogante në Komision si një arsye për të mos u votuar për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
Miratimi i Bicit
Relacioni për kandidaturën e Medi Bicit u lexua nga deputeti i PD-së, Dashnor Sula, i cili vlerësoi lart karrierën profesionale të tij. “Nga informacioni i KLD-së konstatohet se z. Bici nuk ka qenë në hetim penal për shpërdorim detyre, vepra korruptive apo për dhënie vendimi të padrejtë. Z. Bici nuk ka qenë pjesë e strukturave të hetimit apo persekutimit të periudhës së diktaturës. Kjo ka bërë që figura e tij e pastër morale të reflektojë siguri për publikun. Zoti Bici ka pasur guximin që të shprehë opinionet e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me sëmundjet e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, si dhe duke evidentuar edhe korrupsionin dhe promovimet e pamerituara në gjyqësor si të meta që gërryejnë këtë sistem dhe nuk e lënë të reformohet. Komisioni vlerëson se parimi i pavarësisë dhe paanësisë kanë qenë udhërrëfyese për krijimin e figurës profesionale të z. Bici. Ato mishërohen në faktin se z. Bici, në veprimtarinë e tij për ushtrimin e detyrës, nuk ka qenë në asnjë rast pjesë e ndonjë organizimi politik, nuk ka ushtruar asnjëherë funksione politike, nuk është ndikuar asnjëherë në vendimmarrjen e tij nga politika dhe nuk është bërë pre asnjëherë e presioneve politike. Vetë karriera e tij për një kohë të gjatë në Gjyqësor pa ndërprerje në shkallë të ndryshme të tij, është indikacion domethënës i paanësisë së figurës së kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë”, - është shprehur Sula. Në përfundim të fjalës së tij Sula propozoi që miratimin e kësaj kandidature në komision dhe dërgimin në seancë plenare për t’iu nënshtruar votimit për dhënien e pëlqimit.
Të hënën PD-ja pritet të rrëzojë kandidaturën e Muçmatës
Komisioni i Ligjeve vendosi që diskutimin për dekretin e tretë të presidentit Topi për anëtar të Gjykatës së Lartë ta zhvillojë gjatë mbledhjes së ditës së hënë. Pritet që në këtë mbledhje PD-ja t’i propozojë seancës parlamentare rrëzimin e dekretit për Vexhi Muçmatën. Kjo u duk qartë gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar një ditë me parë me kandidatin Muçmata. Gjatë kësaj mbledhjeje, kandidati i propozuar nga kreu i shtetit për Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmataj, deklaroi se ka qenë për 2 vjet anëtar i PPSH-së. Pikërisht kjo deklaratë e tij bie ndesh me kriteret e PD-së për të miratuar një kandidat për anëtar të institucioneve të pavarura. Pas kandidatit Sokol Çomo duket se Vexhi Muçmata do të jetë dekreti i dytë që do të rrëzohet brenda së njëjtës seancë nga PD-ja. Megjithatë, vendimi i PD-së do të bëhet publik gjatë mbledhjes së ditës së hënë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku do të lexohet relacioni i PD-së. Gjatë kohës së diktaturës, Muçmata ka kryer detyrën e hetuesit, por ai tha se nuk i kujtohej të ishte marrë me çështje të karakterit politik. Por ai i ftoi deputetët të shikonin dokumente të kohës, nëse gjendej ndonjë i tillë. “Për shkak të kohës së gjatë nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike që parashikoheshin në legjislacionin e kohës. Nëse do të më kujtohej ndonjë, do ta thosha para këtij komisioni, se nuk kam pse ta fsheh. Ajo është me dokumente. Por pjesëmarrja ime, e theksoj, nuk ka qenë për akte kryesore, siç janë aktet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Unë nuk kam pasur të drejtën e arrestit, nuk kam pasur të drejtën e përfaqësimit të akuzës në gjykatë dhe të kërkesës për fajësi apo kërkesë dënimi”, - tha Muçmata. Lidhur me veprimtarinë e tij si prokuror i Tiranës, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj veçoi rastin e arrestimit të një personi në Tiranë që ishte në konflikt pronësie me një kompani private të njohur, ku zoti Muçmata ka 25 për qind të aksioneve. Por, nga deputeti Alibeaj nuk u sqarua nëse ky arrestim është urdhëruar nga organi i akuzës kur Muçmata drejtonte Prokurorinë e Tiranës. Ndërkaq, vetë kandidati Muçmata u shpreh se nuk kishte asnjë dijeni për këtë çështje. Ai deklaroi se ka punuar me ndershmëri dhe se ka zbatuar ligjin në çdo kohë të ushtrimit të funksioneve të tij, duke theksuar gjithashtu se nuk është ndikuar politikisht në vendimet e tij. “Në të gjitha funksionet që kam ushtruar, në asnjë rast nuk kam pasur ndikime politike përsa i takon zgjidhjes së çështjeve, edhe kur kam qenë në Prokurorinë e Përgjithshme, edhe kur kam qenë në Prokurorinë e rrethit”, - tha Muçmata. Kandidati iu përgjigj dhe interesimit për problemet që shqetësojnë aktualisht sistemin e drejtësisë, duke theksuar se mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni janë ndër problemet kryesore. “Këto probleme luftohen duke forcuar kontrollin mbi veprimtarinë e gjyqtarëve, mbi procedurat që ndjekin ata për gjykimet dhe në çdo rast duke mbajtur qëndrimet përkatëse disiplinore”, - tha ai.
Dekretet do të votohen me votë të hapur në seancë parlamentare
Tri dekretet e presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë do të votohen me votë të hapur në seancë parlamentare. Ky vendim u sanksionua vetëm pak kohë më parë në Rregulloren e Kuvendit, kur deputetët e PD-së votuan të vetëm amendamentet për ndryshimin e Rregullores. Amendamentet e PD-së sanksionuan në Rregullore votimin e hapur për dekretet e Presidentit që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe rritjen e afatit që ka në dispozicion Kuvendi për shqyrtimin e këtyre kandidaturave. “Ndryshimi parashikon që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur. Një votim të tillë parashikon në rastin e miratimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të ministrave që emërohen dhe shkarkohen pas këtij momenti dhe për projektligjin e buxhetit të shtetit. Votimi i hapur gjithashtu sjell dhe një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe gjithashtu siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave ose për ministrat”, - argumentuan demokratët. Ndërsa deputetët e PS-së, e kundërshtuan këtë propozim duke e konsideruar ndryshimin e Rregullores një përpjekje të liderit të maxhorancës për të kontrolluar votën e fshehtë të deputetëve.
8 Korrik 2010