VOTA NE 26 SHTATOR - Tërhiqet Malaj, Rama në garë me Maqo Lakrorin
Malaj vendos tërheqjen nga gara
BLEDAR HOTI
Fjalimi i ashpër dhe sulmues i Edi Ramës, ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe detyron Arben Malajn të japë dorëheqjen nga kandidimi për kreun e Partisë Socialiste. Vetë Malaj nuk ka ngurruar që t’ia transmetojë direkt Ramës një mesazh të tillë për largimin nga beteja për kreun e PS-së, duke ia dhënë edhe arsyen se pse nuk do të kandidojë. Gjithçka ka ndodhur në momentin kur Rama, pas mbylljes së fjalës së tij mbi një orësh, i shtrëngoi dorën rivalit të tij, duke iu drejtuar me shprehjen se “na pret një garë e pastër të dyve”. Por vetë Malaj ka reaguar, duke iu drejtuar “ti na bëre të gjithëve armiq, ndaj unë të uroj ta shijosh fitoren. Unë bëj garë me kundërshtarë, jo me armiq”. Vetë Malaj pritet ta bëjë publik të hënën qëndrimin zyrtar për t’u tërhequr nga gara. Gjatë këtyre dy ditëve Malaj me mbështetësit e tij do të bëjnë publike vendimin final. Tashmë gara për kreun e PS-së do të ketë vetëm dy “rivalë”. Socialistët në zgjedhjet e 26 shtatorit do të votojnë deri më tani për Edi Ramën apo Maqo Lakrorin për kreun e PS-së. Malaj shihej si kandidati më potencial në këtë betejë, pasi kishte mbështetjen e një pjese të madhe të socialistëve, të mbështetur nga deputetë dhe anëtarë të Kryesisë së PS-së.
Reagim për fjalimin e Ramës
Fjalimi i kryesocialistit në detyrë, e ka bindur akoma më shumë Malajn që të mos konkurrojë. Në një prononcim për median, vetë deklaroi se “ne u tronditëm për mënyrat se si u ndërtuan akuzat, mungesa e deklarimit të përgjegjësisë, e qëndrimit stoik se ai s’ka pasur asnjë gabim të tij, të lë të kuptosh se nuk kemi hapësira për të bërë një garë të plotë”. “Fjalimi i Ramës ishte me një sjellje aq shumë arrogante, kaq abuziviste, nihiliste dhe regresive, që po përdor lideri i PS-së. Është në rritje bindja për të mos u bërë pjesë në garë, e cila do të kthehet në një konflikt dhe më pas në një alibi për humbjen e radhës të Edi Ramës”, deklaroi Malaj. Për anëtarin e Kryesisë së PS-së kishte vite që në familjen socialiste nuk u dëgjonte një fjalor i tillë aq i ashpër, cinik dhe që shpallte grupe armiqësore brenda PS-së, në të cilën kërkohej përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve. “Është e pafalshme që nëpërmjet fjalimeve të Ramës për humbjen, në të cilën ai u tregua cinik dhe i trajtoi kolegët e tij që kanë mendime ndryshme si unë, Blushi dhe të tjerë si një grup armiqësor, që vepron brenda PS-së pengon fitoren e Ramës. Një ambient i tillë politik të krijon idenë që gara zhvillohet mes armiqve, gjë që është parakusht i asaj që unë kam kërkuar. Nuk dëshiroj që të bëhen pjesë e një gare, e cila e deformon nga një konkurrim kolegësh potencialisht në kundërshtarë deri në armiq. Kurrë nuk kam dëgjuar deri më sot përcaktime kaq cinike dhe dashakeqëse ndaj kolegëve”, theksoi Malaj. Ai sqaron se edhe në fjalim e tij, këtë qëndrim e ka mbajtur dhe në momentin e fjalimit të tij në shpalljen e platformës. “Unë po e shihja Ramën në sy kur deklarova se hyj në garë në kushte reale konkurrimi, jo si armiq, por si kolegë. Por Rama nuk e mori një mesazh të tillë”, theksoi Malaj.
Platforma e bashkimit
Në pikat e platformës së shpallur, Malaj kishte si synim bashkimin e të majtës, drejtimin me kolegjialitet dhe fitimin e zgjedhjeve vendore dhe më pas synimin e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. “Në Partinë Socialiste nuk do ketë kurrë të ndëshkuar, ky është modeli i ri që ju ofroj. Me një lider dhe ekip të ri në krye të PSSH të gjithë janë të ftuar e të lutur të bëhen kontribuues për vizionin dhe angazhimet tona madhore kombëtare. Ne duhet ta shpëtojmë Partine tonë Socialiste nga grindjet dhe përçarja. Ne na duhet bashkimi i gjithë forcave të majta, mbështetur në vlera dhe parimet e socialisteve evropiane. Jeta më ka mësuar të jem optimist dhe i përkushtuar”, tha Malaj në fjalën e tij. Më pas ai shtoi se “kandidoj jo për t’u bërë një lider i përjetshëm, por për të udhëhequr socialistët dhe progresistët shqiptarë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme dhe sfidat politike imediate”. Ndërsa Malaj kishte si projekt të platformës së tij bashkëpunimin e LSI-së si pjesë e së majtës së bashkuar. “Askush nuk është i panevojshëm, askush nuk është i parëndësishëm. Të gjithë janë të domosdoshëm, të gjithë janë të rëndësishëm, për t’u ribashkuar e për t’u ringritur përballë sfidave elektorale, që nuk mund t’i humbasim nga arbitri, por që i fitojmë bindshëm nga përgatitjet dhe ekipet tona. Partia Socialiste duhet ta mbajë zemrën dhe derën hapur për çdo parti politike të spektrit të majtë”, theksoi Malaj. Ai shtoi se me një parti të hapur dhe me kolegjialitet mund të arrihej në fitoren e zgjedhjeve nga ana e PS-së. “Unë nuk kam aftësi mbinatyrore për të bërë mrekullira, unë nuk jam një misionar i Zotit, por njëri prej jush, me vullnet, pasion dhe përkushtim për të ofruar fitoren, që votuesit na e japin, por ne nuk e mbajmë dot”. “Unë dëshiroj të bëhem Kryetari i partisë sonë, jo thjesht se ajo është pa kryetar, por se dëshiroj ta udhëheq PS nga stacionet e opozitës, ku mbetëm dy herë radhazi, në terminalin e fitores. Do jem i pari midis të barabartëve, një socialist si ju, i dalë nga ju, i rritur mes jush dhe juaji”, shtoi Malaj. Në përfundim të fjalimit të tij, ai nuk ngurroi që t’i jepte dorën kreut aktual të PS-së, si një shenjë e evropiane e konkurrimit.
Lakrori: 10 pikat për bashkimin e së majtës e fraksionet
Kandidati për kryetar të PS-së, Maqo Lakrori ka qenë i pari që ka hapur serinë e shpalosjes së platformës së tij politike, duke shpallur demokratizimin e partisë, legalizimin e fraksioneve në forume. Lakrori deklaroi se në platformën e tij synohet bashkimi i së majtës me fitimin e sfidës së ardhshme elektorale zgjedhjet vendore dhe më pas çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme dhe fitimi nga e majta e bashkuar.
Maqo Lakrori
Objektivat e afërt politikë të socialistëve shqiptarë. Pas rezultatit të 28 qershorit, për ne socialistët kanë dalë në plan të parë tre objektiva politike: (1) Aftësimi i PS që të organizojë në strukturat e saj të gjithë socialistët shqiptare; të bashkojë të gjitha formacionet e tjera të majta demokratike shqiptare dhe të bashkëpunojë me çdo formacion tjetër progresist, për interesat madhore të vendit e të kombit. 2) Mundësimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe fitorja e tyre nga e majta e bashkuar; (3) Fitorja e së majtës së bashkuar edhe në zgjedhjet vendore 2011. Drejtimet kryesore të përmirësimit. Që të arrihen këto, duhen përmirësime organizative dhe programore. Sipas bindjes sime, këto përmirësime duhet të përqendrohet në: 1-Zhvillimin e demokracisë së brendshme në parti, sepse vetëm një parti me demokraci të brendshme mund t’i shërbejë funksionimit demokratik të shtetit. 2-Rikthimin e solidaritetit dhe të frymës shoqërore në marrëdhëniet brenda nesh, sepse vetëm një parti me solidaritet mund të ndërtojë një shtet solidar me çdo shtetas të vet. 3- Mbrojtjen e partisë sonë nga çdo përpjekje për kapjen e saj nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, sepse vetëm një parti e pa kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar e gjen forcën për të luftuar me sukses kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Ndryshimet ne Statut
Ndryshimet që unë propozoj, synojnë korrigjimin e gabimeve në funksionimin e brendshëm të partisë sonë dhe bashkimin e gjithë potencialit njerëzor të socialistëve. Në këto ndryshime përfshihen: (1) Rikonfirmimi pa mëdyshje se PS është një parti e majtë demokratike. (2) Përcaktimi i PS si elektorale dhe funksionale. Ky përcaktim themelor është në logjikën e organizimit të brendshëm dhe të veprimit të një partie, e cila fton çdo shtetas tjetër, që të jetë pjesëmarrës aktiv në jetën politike të vendit. (3) (4) - Ndryshimet (3) dhe (4) janë për ndarjen nga kulti politik i individit dhe detyrimin për drejtim kolegjial në çdo nivel organizativ të PS. Personalisht, kam besuar e vazhdoj të besoj në një parti të fortë dhe jo në një “dorë të fortë”. Beteja politike për të sjellë të majtën në pushtet, nuk është garë personale ndërmjet kryetarëve të partive rivale dhe sapo është provuar që nuk mund të fitohet si e tillë. Një mendje e vetmuar nuk mund të zëvendësojë kurrë diturinë, fuqinë e ndryshimit dhe aftësitë mbrojtëse që prodhojnë shumë mendje të organizuara në ekip. Dhe, pa këto as që bëhet fjalë për marrjen, mbajtjen dhe mirëpërdorimin e pushtetit politik. Nëse e mbështesin këtë platforme, socialistët shqiptarë do të kenë vendosur ndarjen përfundimtare të partisë sonë nga kulti i individit në politikë, si shfaqja më e shëmtuar dhe e dëmshme e një politike “de facto” të vjetër. Kështu, me votën e anëtarëve të partisë, metoda demokratike e drejtimit kolegjial dhe puna në ekip do të fitojnë mbi metodën autoritariste personale. Ky do të jetë një hap madhor reformator, jo vetëm për PS por për gjithë jetën politike shqiptare. (5) Ndryshimi i 5-të detyron konkurrim të hapur publik për çdo detyrë përfaqësuese politike. Kështu sigurohet cilësi e lartë dhe mundësohet bashkërendimi i vlerave. Por konkurrimi i hapur publik është edhe rruga e lirisë dhe dinjitetit për secilin, sepse karriera politike e tij ose e saj do të përcaktohet nga vlerat individuale që ka, dhe jo nga marrëdhëniet personale të nënshtrimit ndaj kryetarit të radhës.
(6) Ndryshimi i 6-të rregullon bashkëjetesën demokratike të mendimit zyrtar me mendimin ndryshe. Thelbi është garantimi strukturor i lirisë së shprehjes dhe rritja e aftësive vetëkorrigjuese të partisë. Këtu përfshihen procedurat për vlerësimin e mendimit që është ndryshe nga mendimi zyrtar i partisë dhe detyrimi për integrimin e tij në vendimmarrjen e partisë. Parashikohet edhe ligjërimi i së drejtës për të krijuar fraksione vetëm në forumet qendrore – në Asamblenë Kombëtare dhe në Kongres. Kjo e drejtë, e quajtur ndryshe edhe oponencë kolektive, nëse miratohet do të jetë një garanci strukturore potenciale (pra një lloj shpate Demokleu) për mbrojtjen e demokracisë së brendshme dhe për të shtuar aftësitë vetëkorrigjuese të partisë. Këtë mundësi strukturore e ka në dorë që ta aktivizojë dhe t’ia përcaktojë përmasat, vetëm vota e anëtarëve të partisë, dhe jo forumet drejtuese. (7) Ndryshimi i 7-të lidhet me socialistët në emigracion. Sot një e katërta e popullit tonë është në emigracion. Prandaj, në Statut do të ketë një kapitull të posaçëm, që detyron forumet drejtuese që të mbledhin mendimin e OS-së në emigracion, ta përfshijnë atë në vendimet dhe veprimtarinë politike të PS, të garantojë përfaqësimin e drejtpërdrejtë të socialistëve emigrantë në Kongres dhe në Asamblenë Kombëtare dhe të marrin çdo masë tjetër organizative që integron socialistët në emigracion. (8) Platforma parashikon edhe rishikimin e normave për lidhjet e GPS me zgjedhësit, në kushtet e sistemit me lista qarqesh, për riaktivizimin e FG-së dhe FRESSH-it, për zëdhënien në emër të PS në kushtet e teknologjive të reja të komunikimit dhe përgjithësisht për marrëdhëniet e saj me shoqërinë civile. (9) Platforma përfshin edhe detyrimin me Statut për të përdorur flamurin dhe simbolet e tjera të PS, në çdo tubim publik të organizuar në emër të saj. (10) Ndryshimi i 10-të i kushtohet organizimit dhe funksionimit të aleancave me partitë e tjera të majta ose të qendrës, duke përfshirë miratimin kolegjial të marrëveshjeve me aleatët dhe detyrimin për respektimin e angazhimeve ndaj tyre. Kështu, Statuti na detyron që të hartojmë marrëveshje të menduara mirë dhe të jemi seriozë në zbatimin e tyre. Sapo kemi dalë nga një eksperiencë e hidhur në këtë drejtim.