E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi u shet deputetëve makinat e shtetit me vlerë simbolike



Deputetët e maxhorancës kanë blerë makinat e Kuvendit me një vlerë simbolike. Shitja e makinave është bërë në bazë të ligjit për transportin e zyrtarëve të lartë që u miratua pak kohë më parë nga Kuvendi, por nga shitja e makinave kanë përfituar vetëm deputetët e PD-së, ndërsa ata të PS-së nuk janë njoftuar. Në bazë të këtij ligji, deputetët nuk do të mund të mbajnë shoferë dhe makina shtetërore, por do të kenë të drejtën e parablerjes së këtyre makinave. Por, për shitjen e tyre duhet të ngrihet një komision që të bëjë vlerësimin e vlerës financiare të këtyre makinave dhe më pas t’u jepet e drejta e parablerjes deputetëve. Mësohet se shitja e makinave është bërë në mungesë të plotë të transparencës dhe deputetët nuk janë njoftuar për ngritjen e komisionit, për anëtarët e komisionit që kanë bërë vlerësimin dhe shitjen e tyre. Madje mësohet se nga ky proces kanë përfituar vetëm deputetët e maxhorancës.
Kërkesa
Burime nga Kuvendi kanë bërë të ditur se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar informacion zyrtar edhe sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, edhe kryetares së Kuvendit për shitjen e makinave dhe nuk ka mundur të marrë asnjë informacion të tillë. Madje, sipas burimeve, makinat shtetërore të tipit “Tuareg” që kanë qenë në përdorim të ish-deputetëve, si Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Bamir Topi etj., dhe që kanë një vlerë mbi 25 mijë euro, u janë shitur deputetëve të Partisë Demokratike me një vlerë simbolike që varion nga 600-800 mijë lekë të rinj.
Burimet nga PS-ja e kanë konsideruar prej kohësh miratimin e ligjit antikushtetues për shkak se ky ligj prek nene të ligjit për statusin e deputetit. Ligji për statusin e deputetit, në të cilin parashikohet mënyra e transportit të deputetëve, është miratuar me 84 vota, ndërsa ligji për udhëtimin e funksionarëve publikë është miratuar vetëm nga votat e deputetëve të maxhorancës, vetëm 74 të tilla.
Kriteret e ankandit
Këshilli i Ministrave miratoi pak kohë më parë ligjin që përcakton mënyrën se si duhet të shiten makinat e deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë për të cilët është vendosur më parë që nuk do të lëvizin më me makinat e shtetit. Sipas këtij ligji, titullarët e institucionit duhet të miratojnë listën e mjeteve të transportit që do të shiten. Lista e mjeteve të transportit që do të shiten së bashku me të dhënat përkatëse për vitin e prodhimit, markën dhe modelin, i dërgohet zyrës doganore më të afërt, e cila, brenda pesë ditëve kalendarike, përgjigjet zyrtarisht për vlerën që rezulton për secilin automjet. Zyra doganore bën verifikimin në përputhje me udhëzimin e të ministrit të Financave, “Për procedurat e shqyrtimit të vlerës doganore, burimet e informacionit dhe afatet e publikimit të dosjes me të dhëna të disponueshme, si dhe zhdoganimin e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit të tyre. Titullarët e institucioneve, brenda 3 muajve nga marrja e përgjigjes nga zyra doganore, duhet të ngrenë komisionet e ankandit. Komisioneve të ankandit u vihet në dispozicion inventari i mjeteve të transportit, në pronësi të autoritetit shitës, duke përcaktuar ato mjete që u janë dhënë në përdorim titullarëve, zyrtarëve apo nëpunësve të tjerë dhe që posedohen prej tyre, si dhe i gjithë dokumentacioni për këto mjete transporti. Ngarkohen komisionet e ankandit që, në emër të autoritetit shitës, në përputhje me dispozitat e ligjit dhe të këtij vendimi, të organizojnë procedurat e ankandit për mjetet e transportit, në pronësi të autoritetit shitës. Komisionet e ankandit, brenda dy muajve nga data e krijimit, hartojnë dokumentet e ankandit. Komisionet e ankandit, në emër të autoritetit shitës, në mbledhjen e parë, vendosin për formën e komunikimit të dokumentacionit të lidhur me ankandin. Gjithashtu, komisionet mund të vendosin të publikojnë të gjitha njoftimet dhe dokumentacionin e ankandit, apo njoftimin për vendin se ku të interesuarit mund ta sigurojnë këtë dokumentacion, në faqen zyrtare të internetit të secilit institucion. Por duket se e gjithë kjo procedurë e detajuar nuk është ndjekur nga Kuvendi duke e kryer procesin e shitjes së makinave në mungesë të plotë të transparencës.

Deputetët e rinj nuk kanë ende karta hyrëse në Kuvend

Burime nga Grupi Parlamentar i PS-së kanë bërë të ditur se gjatë periudhës së bojkotit ata kanë hasur shumë pengesa nga administrata e Kuvendit, duke mos pasur mundësi të marrin një vërtetim për pagat apo për sigurimet shoqërore. Madje deputetët e zgjedhur për herë të parë në këtë legjislaturë nuk janë pajisur ende me kartën e deputetëve dhe u ndodh shpesh të pengohen për t’u futur në Kuvend nga personeli i Gardës. Dhe kjo, sipas burimeve, ndodh për shkak se administrata e Kuvendit gjen justifikime të tilla, siç është mungesa e bojës së printerit. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se deputetët e PS-së nuk kanë marrë pagesën e ditëve të shkurtit kur ata thyen bojkotin dhe morën pjesë në seancë parlamentare.

Kushtetuesja: Gjyqtarët kanë të drejtë të kenë makina

Kryetarët e gjykatave të të gjitha niveleve në vend, si dhe gjyqtarët, do të kenë të drejtë të lëvizin me automjete shtetërore deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka pezulluar veprimin e ligjit të qeverisë, e cila i përjashton zyrtarët e lartë nga përdorimi i automjeteve shtetërore. Në një seancë të posaçme, Kushtetuesja vendosi që kategoria e gjyqtarëve dhe krerëve të të gjitha niveleve të Gjyqësorit të përjashtohet nga ky kufizim deri në një vendim përfundimtar. Unioni i gjyqtarëve kishte ankimuar disa dispozita të ligjit në fjalë si antikushtetuese. Vendimi për përjashtimin e zyrtarëve nga e drejta e përdorimit të automjeteve zyrtare u mor në fillim të tetorit nga qeveria dhe u miratua më pas në Kuvend. Nga e drejta e përdorimit të makinave përfshihen deputetët, si dhe nivelet e dyta dhe të treta të qeverisjes, të Presidencës, të institucioneve kushtetuese dhe të tjera. Njëherazi ligji parashikon dhe kufizim lëvizjeje për Presidentin, kryeparlamentaren, kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, që duan të lëvizin në fundjavë me makinën e shtetit, pa paguar 50 mijë lekë në vit.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›