Rezoluta e PD-së për vizat, PS mbledh grupin
Partia Socialiste pritet të mbledhë sot grupin parlamentar për të vendosur nëse do të jetë i pranishëm në seancën e radhës në Parlament. Burime nga selia rozë thanë se gjasat më së shumti shkojnë në favor të vendimit për të shkuar në seancën e së enjtes në Parlament, në një kohë kur mazhoranca do të paraqesë edhe një rezolutë që ka lidhje me liberalizimin e vizave. Sakaq, mësohet se socialistët do të kërkojnë në këtë seancë votimin së bashku me rezolutën edhe të dy nismave që po diskutohen në Komisionin Parlamentar për çështjet Ligjore. Ky dokument u paraqit disa ditë më parë nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili ftoi grupin socialist që ta votojë në këtë seancë. Forca kryesore politike në opozitë nuk është shprehur ende zyrtarisht për këtë çështje, por pritet që vendimi të merret sot në mbledhjen e grupit. I vetmi element që mund të ndikojë në shtyrjen e mbledhjes së grupit parlamentar është vonesa në kthimin e kreut të partisë, Edi Rama, nga vizita e tij në Strasburg. Në rast të kundërt, pohojnë burimet, mbledhja mund të shtyhet për paraditen e së enjtes, pak orë para seancës. Duket se një ndër çështjet më delikate dhe më të prekshme në Shqipëri, ajo e liberalizimit të vizave, do të risjellë në Kuvend socialistët, pavarësisht se këta të fundit kanë bërë më dije se nuk do të votojnë asnjë nismë ligjore nëse nuk miratohen dy kërkesat e saj për hapjen e kutive. Nga ana tjetër, kjo çështje ka sjellë çarje në selinë rozë, pasi pesë deputetët e LMN-së bënë me dije se pavarësisht vendimit të grupit parlamentar socialist, ata do të shkojnë të votojnë rezolutën, për shkak të ndjeshmërisë që ka kjo çështje te të gjithë shqiptarët. Madje deputeti socialist Andis Harasani, pak ditë më parë deklaroi për gazetën “Shqip” se, nëse grupi socialist nuk është i pranishëm në seancën e ditës së enjte do t’i kërkojnë mazhorancës shtyrjen e votimit për në seancën e datës 18 mars, kur pritet të votohen edhe dy nismat ligjore të Partisë Socialiste. Kalimi për miratim i kësaj rezolute nga ana e Parlamentit u bë më dije të premten nga Astrit Patozi. Rezoluta, tha ai, ka për qëllim të inkurajojë ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër të lidhur drejtpërdrejtë apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij. “Për grupin parlamentar të Partisë Demokratike, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim i yni elektoral, por një objektiv i madh kombëtar, ndaj edhe ai ka nevojë për kontributin e gjithsecilit”, u shpreh Patozi. Por një ditë më vonë, një tjetër deputet i Partisë Socialiste deklaroi se kjo është vetëm një rezolutë që as e pengon dhe as e përshpejton liberalizimin e vizave. “Ka ende kohë deri ditën e enjte, por unë s’e shoh të nevojshme praninë e grupit parlamentar socialist në këtë seancë, pasi ajo një rezolutë është. As e përshpejton, as e pengon procesin e liberalizimit të vizave. Problemi qëndron te kjo mazhorancë, e cila nuk e ka kuptuar akoma se ku qëndron problemi i krizës. Nga ana tjetër nuk pajtohem as me disa kolegë që rendin të shprehen në gazeta. Ka ende kohë deri të enjten”, u shpreh Beqja një ditë pasi u bë e ditur nisma e demokratëve.
#