E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria shpall fajtor Neranxin, të dënohet me 10 milionë lekë gjobë

Gjyqi Pretenca për ish-deputetin e LSI-së: Kontrabandoi mallra me vlerë rreth 13 milionë lekë

Ish-deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, është shpallur fajtor dje nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e kontrabandës dhe kërkoi që të dënohet me 10 milionë lekë gjobë. Neranxi akuzohet nga prokuroria të jetë i implikuar në 21 raste kontrabande të mallrave që tregton kompania e tij, nga Greqia në Shqipëri duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 13 milionë e 664 mijë lekë.
Sipas prokurorisë, nga viti 2001 deri në gusht 2004, Neranxi ka kaluar mallrat e ndryshëm kontrabandë si kaseta, albume fotografike, CD apo filma fotografikë. Prokuroria deklaron se dogana greke kishte hapur një hetim ndaj shoqërisë greke “Salcofot”. Për këtë hetim u kërkua edhe bashkëpunimi i doganave shqiptare dhe gjatë verifikimeve doli se në 21 raste, sipas faturave të kësaj shoqërie, rezulton se malli i saj ka hyrë në Shqipëri i pazhdoganuar dhe në të ishte përfshirë edhe biznesmeni shqiptar Nikollaq Neranxi. Më datë 7 prill 2008, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën e “kontrabandës me mallra të tjerë”. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pas hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal, u arrit të provohen të 21 rastet. Menjëherë hetimet nisën edhe nga prokuroria e vendit tonë. Pasi u vërtetuan nga akuza se Neranxi kishte kryer evazion fiskal në disa raste, u kërkua edhe heqja e imunitetit si deputet i LSI-së. Prokurorët grekë, me anë të një shkrese, kërkuan asistencën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës për një hetim administrativ të nisur në Greqi ndaj shoqërisë greke “Salcofot” A.E. Selanik, përfaqësuar nga shtetasi Salvator Kunio, për periudhën 2001-2004. Ndërkohë që akuza tha se bashkëlidhur me këtë shkresë, autoritetet doganore greke kanë dërguar dhe kopje të faturave dhe deklarimeve doganore të eksportit, nga të cilat evidentohet se: për 21 raste faturat e kësaj shoqërie i janë lëshuar klientit I. T., me banim në Tiranë. Malli është deklaruar për eksport në degën doganore greke Kastoria dhe është transportuar në drejtim të Shqipërisë me disa kamionë me targa shqiptare. Kamionët që bënë transportin kanë qenë njëri në pronësi të S. D. dhe katër të tjerë në pronësi të babait të të pandehurit. Nga verifikimet e kryera nga dogana shqiptare dhe nga hetimet e kryera nga prokuroria, rezulton se kamionët e deklaruar si transportues përpara autoriteteve doganore greke, në vijim kanë kryer procedurën transit në degën doganore Kapshticë dhe procedurat e zhdoganimit në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›