Rezoluta e PE: Opozita të ndërpresë bojkotin, të përfaqësojë zgjedhësit në kuvendit

"Shqipëria pa viza në zonën “Schengen”, brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës"
Nëpërmjet një rezolute të miratuar në seancën plenare të mesditës, Parlamenti Europian i ka bërë thirrje opozitës shqiptare t’i japë fund bojkotit të parlamentit dhe i kërkon asaj të kryejë detyrën e saj kryesore që është përfaqësimi i votuesve të saj në legjislativ. Thirrja e sanksionuar në amendamentin 15 a të kësaj rezolute shpreh qartë qëndrimin e legjislativit europian për vendimin e Partisë Socialiste për të lënë jashtë dyerve të kuvendit deputetët e saj të zgjedhur më 28 qershor.
Ndër të tjera Amendamenti 15 a i Rezolutës Strategjia e Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Islandës dhe Turqisë thotë shprehimisht se Strasburgu është i kënaqur me përbërjen e koalicionit të ri qeverisës në Shqipëri, dhe me raportin e fundit të OSBE-së mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetët e Parlamentit Europian vlerësuan gjithashtu ecurinë e Shqipërisë, që pas raport progresit të fundit, në veçanti në fushën e dokumentave të identitetit. Ata përgëzuan gjithashtu Shqipërinë për përmbushjen e kritereve kryesore të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër autoritetet shqiptare ftohen të të përshpejtojnë implementimin e reformave në mënyrë që të përfitojnë sa më shpejt nga regjimi i liberalizimit të vizave. Eurodeputetët ritheksuan qendrimin e tyre si avokatë të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën duke u kërkuar këtyre dy vendeve të nxitojnë në plotësimin e kushteve të mbetura në mënyrë që ky regjim të hyjë në fuqi që nga Korriku i vitit 2010. Në këtë seancë plenare eurodeputetët i kërkuan gjithashtu Serbisë që të sillet në mënyrë konstruktive me shtetin e saj fqinj Kosovës dhe i rekomanduan Komisionit Europian që të nisë sa më parë, dialogun për liberalizimin e vizave me Prishtinën Zyrtare. Rezoluta e Parlamentit Europian është një tjetër hap i rëndësishem për liberalizimin e vizave pas miratimit të propozimit të eurodeputetes Tanja Fajon për të futur në listën e bardhë të Shengenit me procedura të përshpejtuara Shqipërinë dhe Bosnjen, sapo të përmbushin kushtet.