E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e demokracisë s’mund të kalojë nga Çunat e Bllokut

1. Kur vije ne Tirane me punë, pi nje kafe diku aty tek blloku. Nje kafe qe të rrjep kokën thonë në anët tona. Dhe ky dreq blloku në çdo kohë ta rripka kokën. Asokohe rrethuar me mure Berlini. Ushtarë, oficerë, kallashë, përgjime. Dy botë që rrethonin kryeqytetint tonë. Si askund. Një oaz, që ndrinte nga vilat. Një jetë që ëndërronin vashat e bukura të Tiranës për të qenë ndonjëherë nuse në bllok. Mirëpo fati ishte i ndarë që në feksje të diellit, blloku ishte vetëm për bllokmenët. Prapa mureve të bllokut jetohej si në Perëndim, përtej tij Lindja ishte aty. Për t’u futur në Bllok. Asnjëherë shqiptarët, ata që vdiqën në diktaturë, nuk arritën ta shihnin se ç’jetë bëhej prapa atij muri që ndante kryqendrën tonë mëdysh. Prapa shiheshin banesa tip vila, pemë, shatërvane, rrugica të bukura, komoditete dhe shtetarë që i prisnin tek dera ushtarët, mercedesi dhe shoqëruesit. Prapa atij muri, mjegullina fshinte gjithshka. Misteri që kishte kapluar u shpërnda diku nga fillimi i vitit 1991, kohë kur muri berlinez brenda Tiranës u hap. Asokohe isha në kryeqytet dhe bëra këmbë nga Blloku. Dikur kisha tentuar - një i njohuri im kishte thënë se do të siguronte një “vizë garancie për të hyrë në Bllok - por që asnjëherë nuk u realizua. Brodha asokohe nëpër rrugicat ku shumë fakir-fukarenj si puna ime mahniteshim me Bllokun. Ai ishte ashtu siç kishte funksionuar 50 vjet brenda kryeqendrës së shtetit shqiptar. Kush e ngriti këtë mur në qendër të Tiranës? Sa ishte lartësia e tij? Ç’sipërfaqe përmblidhte ai? Sa është numri i banorëve që jetonin brenda tij? Sa hynë në fillim dhe sa mbetën përgjatë viteve, deri në hapjen e tij? Këto duhet t’i gjeni në epiqendër të kujtimeve të bllokmenëve, kujtimet e të cilëve gazetat tona majtiste i botojnë me aq dëshirë.
2. Diku aty ka jetuar edhe ministri i Ramiz Alisë. Ndoshta kjo banesa këtu, ajo më tej ku i dihet ka qenë vila e shtetarit komunist ministrit të Arsimit, që pardje birbilonte në protestën e popullit opozitar sipas zdhënëses së shtypit rozë. Ndërtesa është e stilit Blloku. Ai iku, kur ne horizontin e qeverisë komuniste qiriri  i tyre ishte shuar përgjithnjë, ju dha ultimatumi "këtu është kufiri juaj, për të mos u lejuar të shkelnin pragun e shekullit tjetër si shtetarë. Nëse atë kohë nuk do ta kishte djegur fryma e shekullit shpëtimtar, ai do të ishte ministër dhe banesën do ta kishte aty, në Bllokun e vilave, me roje te porta. Gjurma e një ndërtese tjetër është pak më tej. Ndoshta e Xhelilit. Sikur orët e atij shekulli të kishin mbetur në vend, sekretarin e K.Q.PPSH do ta kishim me sytë nga qelqi, d.m.th duke dëgjuar ç’thoshte populli për mirësitë që u kishte sjellë udheheqja e talebanëve shqiptarë. Do të ndrisnin sytë e tij për rrugën që kishte zgjedhur udhëheqja, për shqiptarët fakir-fukarenj të botës. Në të djathtë ka qenë shtëpia e Spiro Kolekës. Shtëpi apo vilë, zotëri? më drejtohet dikush. Sot mund të quhet banesë, ndërsa asokohe ka qenë vilë e shkuar vilës. Diku ka qenë edhe ministri Kiço. E nxorën përtej tij vetë ata që e futën brenda.
3. Qumështi për udhëheqjen vinte direkt nga ferma. Copërat e basmave vinin direkt nga marketet perëndimore. Frutat vinin nga fermat, të gjitha me bollëk. Kur u erdhi vllau kamboxhian, Norodomi i Sihanukëve për vizitë tek komunistët talebanë të Shqipërisë, më shkoqiste një profesor, miku im: “veqilët e shtetit” ia plotësuan kërkesën duke i shtruar darkën me karkaleca deti dhe koqe kaposhi. Thuhet se kanë therur deri 200 kaposha deti dhe mirë bënë se miq si Norodomi njëherë ua zinin derën. Kudo që shkonte, Norodomi shprehej: karkaleca dhe k..kaposhi si në Shqipëri nuk kam gjetur asgjëkundi. Në Shqipëri thonë që burrin e prishin huqet, por kjo shprehje gjente vende vetëm për vegjëlinë, sepse paria brenda Bllokut rrufiste të mirat materiale që prodhonin argatët ndër ara, fabrika e kantiere ku vlonte puna. Iki më tej dhe nuk shoh më gjurmë. As mure të rrëzuar. Janë ndërtesa me xhame luksi, ndrin qelqi. Çunat e Bllokut ikën këtej njëzet vjet më parë, me baballarët e tyre. Ikën natën sepse u druheshin turmave që mund t’i shqyenin për së gjalli. Ikën dhe ndjen mall për kohën dhe vitet që shkuan në fermën e madhe. Ndrisnin dhëmbët, duke mërmëritur nën zë: “do të na shihni kur të na vijë ora”. Dhe ora e mbetur mbriti në ’97-n, kur ministrat e Ramiz Alisë dhe të fundit të diktaturës, çunat e Bllokut nxorën kallashët, shkrepset dhe urën e zjarrit, dogjën, vranë dhe masakruan, në emër të kohës së ikur.
Pas kataklizmës u tërhoqën ca vite. Mblidhen sëbashku nën një strehë. Ku është nënë Nexhmija? Xhaxhi Ramiz a mbahet ndoca? Po ai burri që mbeti nëpër televizione dhe thotë, jam avokati që ngre gishta e duar, kur iku nga blloku? Ishte goxha djalë. Pyesin si u bë teto Vitua? Kur e ka përvjetorin Bilua, po çunat e tjerë të Bllokut ç’bëhen, përse janë vonuar sonte tek selia? Pinë kafe tek selia e opozitës. Kujtojnë kohët e shkuara. Ah, ç’kohë që na iku nga duart. Dhe ndrisnin dhëmbët. Shikojnë orët që shënonin ’97-n. Japin kushtrimin. Erdhi ora jonë e çunave të Bllokut. E shikoni atë gjatulin. Ai është nipi i Spiros. Ai do na udheheqë. Si atëherë, sa për popullin. Bar miu ka për të ngrënë nga dora jonë. Nuk di tjetër çfarë shkojnë nëpër mend. Por dua të di dhe të them:
4. Jo të gjitha rrugët për në demokraci domosdoshmërisht duhet të kalojnë nga çunat e Bllokut dhe ministrat e Ramiz Alisë. Soji nga kanë rrjedhur ata bie erë krime të rënda që mbanë emrin mure dhe qelitë ishin shtrojera për një pjesë jo të vogël shqiptarësh, ndërsa varret anonime mbeten ende sot anonime.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›