Rezoluta e Senatit Amerikan, sinjal për parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje Rezolutën e Senatit Amerikan për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, në Samitin e ardhshëm, si “një mbështetje të madhe dhe inkurajim që ligjvënësit amerikanë i japin Shqipërisë dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare për finalizimin e anëtarësimit të plotë të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut”. “Kryeministri Berisha siguron shqiptarët se qeveria e tij do të përmbushë me seriozitetin më të madh të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në NATO”, bëri të ditur përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani. Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paraqiti ditët e fundit një rezolutë për të përshëndetur Shqipërinë dhe Kroacinë, lidhur me ftesën për të filluar bisedimet e anëtarësimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe duke shprehur mbështetje për vazhdimin e zgjerimit të Aleancës. Senati, nëpërmjet kësaj rezolute, shpreh mbështetjen e fuqishme për përfundimin në kohë të bisedimeve të pranimit me tre vendet e Kartës së Adriatikut, për të lehtësuar procesin e pranimit. Kjo rezolutë u përshëndet dje në mbrëmje edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë seancës plenare.