Rezoluta për vizat, manovra e PD-së për të tërhequr opozitën në Kuvend
Eljona Ballhysa
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të miratojë ditën e enjte, në seancë parlamentare, një rezolutë që synon mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së. Kjo nismë është bërë e ditur dje nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili theksoi se rezoluta ka si synim që të nxisë Ekzekutivin dhe të gjitha institucionet e tjera që të përfshihet me të gjitha kapacitetet e mundshme për të ecur sa më shpejt në drejtim të liberalizimit të vizave.
Manovra
Por duket se synimi i vërtetë i demokratëve është që të provojë nëse opozita do të marrë pjesë në seancën e së enjtes për ta miratuar apo jo këtë rezolutë. Dhe, nëse opozita nuk do të marrë pjesë, atëherë demokratët e përdorin këtë për të thënë se opozita po pengon procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Pikërisht kjo kauzë u përdor edhe gjatë seancës së fundit parlamentare, kur socialistët nuk pranuan që të votonin projektligjin për Gjykatën Administrative. Në fakt, socialistët ishin shprehur se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim para se të votohej projektligji i tyre për disa ndryshime në ligjin për komisionet hetimore. Por, refuzimi i PS-së u konsiderua nga kryetarja e Kuvendit një përpjekje e opozitës për të penguar procesin integrues, pasi miratimi i projektligjit për Gjykatën Administrative është një kërkesë e ndërkombëtarëve. Gjithashtu mendohet se paraqitja e rezolutës ditën e enjte përkon edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Një ditë më pas, të premten e ardhshme, do ta vizitojë Shqipërinë drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pier Mirel, i cili do të drejtojë Komitetin e Stabilizim-Asocimit, organizëm që monitoron zbatimin e detyrimeve të Shqipërisë pas hyrjes në fuqi një vit më parë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Duke qenë se kriteret politike janë një nga shtyllat kryesore të kësaj marrëveshjeje, situata aktuale politike në vend pritet të jetë në fokusin kryesor të bisedimeve mes Brukselit dhe Tiranës zyrtare.
Nisma
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi, bëri të ditur se PD-ja e konsideron miratimin e kësaj rezolute në interesin e drejtpërdrejtë të çdo qytetari shqiptar. Ai tha se “ne vlerësojmë hapat e deritanishëm të ndërmarrë nga qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, në funksion të këtij qëllimi madhor. Rezoluta ka për qëllim të inkurajojë Ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër të lidhur drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij”, - është shprehur Patozi. Më tej ai theksoi se “për Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim i yni elektoral, por një objektiv i madh kombëtar, ndaj edhe ai ka nevojë për kontributin e gjithsecilit. Duke pasur parasysh peshën e madhe që ka Kuvendi në hierarkinë institucionale të Republikës sonë, si dhe nisur nga fakti që koha është një element shumë i rëndësishëm për këtë proces, kjo rezolutë do të paraqitet për miratim në seancën më të afërt, pra të enjten e ardhshme”, - ka përfunduar deklaratën e tij kreu i deputetëve demokratë.
6 Mars 2010