E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajon: “Nuk duhet të dëmtohet liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën”



Eurodeputetja sllovene, Tania Fajon, shprehet se rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia në Belgjikë do të krijojë dilema nëse procesi i liberalizimit të vizave të finalizohet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën. “Lajmet e fundit për rritjen e numrit të strehimkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Belgjikë dhe Gjermani kanë krijuar dilema dhe drojë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Kërkoj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë jo vetëm për të përmbushur kriteret, por dhe t’i dërgojnë njerëzve një mesazh të qartë rreth asaj se çfarë do të thotë realisht liberalizimi i vizave”, - deklaroi Fajon. Ajo shtoi se Maqedonia dhe Serbia duhet të marrin masa dhe se rritja e numrit të azilkërkuesve do të bëjë që procesi të ngadalësohet për Shqipërinë dhe Bosnjën. “Ne jemi në mes të përgatitjeve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjën. Nëse ka një pozicionin negativ për shkak të shtimit të numrit të azilkërkueseve që vijnë në Belgjikë, vendet e BE-së do të jenë më shumë të shqetësuara, çka do të çonte në ngadalësimin e procedurave. Politikanët duhet të ndalojnë menjëherë fluksin e imigrantëve të rinj që kërkojnë strehim në vendet e BE-së”, - ka thënë Fajon. Ajo çfarë ka ndodhur me strehimkërkuesit nga Maqedonia e Serbia “në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”, - përfundon deklarata e europarlamentares sllovene.

Nisma, “celularët të përdoren për të kryer transferta bankare”

Kryeministri Berisha thirri dje pranë Këshillit të Ministrave një mbledhje të posaçme për të diskutuar mbi Mobile-Banking, për mundësinë e përdorimit të celularëve nga qytetarët për veprime dhe transferime bankare. Kryeministri Berisha theksoi se përdorimi gjerësisht i celularëve nga qytetarët shqiptarë për veprime bankare është një standard që duhet të arrihet me shpejtësi, duke sjellë kështu një zhvillim të madh në përdorimin e internetit, si dhe duke qenë një aspekt që lehtëson ndjeshëm dhe ka leverdi të madhe për qytetarët shqiptarë. Kështu, lidhur me këtë aspekt, kryeministri Berisha solli shembujt e disa vendeve në të cilat brenda një kohe të shkurtër dhe përmes implementimit të teknologjisë, kjo praktikë ishte përqafuar nga miliona qytetarë dhe ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë e tyre të jetesës. “Ky është një shërbim i rëndësishëm, të cilin shqiptarët duhet ta kenë sa më shpejtë dhe për këtë qeveria do të hartojë një politikë stimuluese dhe një plan eficient veprimi, në mënyrë që sa më shpejt të kapen nivele të tilla të larta të përdorimit të internetit, nisur edhe nga përdorimi i gjerë i celularëve në Shqipëri”, - është shprehur Berisha. Ai ngarkoi ngritjen e një grupi pune, i cili do të fillojë menjëherë nga puna për të hartuar një plan veprimi në këtë drejtim.

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›