Rezultatet e Ollit rikthyen tensionet mes PD-së dhe PS-së
TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa një vendim, ka shpallur mbrëmjen e së premtes rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke i dhënë koalicionit “Aleanca e ndryshimit”, të kryesuar nga PD-ja, 71 mandate. Pavarësisht se KQZ-ja nuk ka mbyllur ende rezultatet për 9 kutitë e katër komisioneve zonale të administrimit zgjedhor që i përkasin qarkut të Fierit, mbeten ende kuti votimi pa numëruar, çka në njërin prej këtyre rasteve dhe pikërisht në atë të Fierit, mund të sjellë dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve, jo vetëm në vota, por edhe në mandate. Zëdhënësi i këtij institucioni, duke u konsultuar vetëm me kryetarin Arben Ristani dhe pa dijeninë e anëtarëve të tjerë të këtij komisioni, ka shpallur mbrëmjen e dy ditëve më parë rezultatet paraprake. Sipas nënkryetares së KQZ-së, zonjës Dëshira Subashi, Olli ka shkelur në këtë mënyrë Kodin Zgjedhor, i cili nuk parashikon në asnjë nen të tij rezultatet paraprake, aq më shumë kur për to nuk ka një vendim. Deklarata e dy ditëve më parë shkaktoi tensione në selinë rozë. Zoti Gramoz Ruçi, një nga drejtuesit kryesorë të PS-së, deklaroi se partia do të mbrojë votën me çdo mjet demokratik, duke paralajmëruar edhe daljen në protesta etj. Menjëherë replikoi edhe selia blu përmes strukturave të saj dhe përmes kreut të PD-së, zotit Berisha, i cili i kërkoi Ruçit që të shkojë pranë qendrave të numërimit të votave dhe të shohë me lupë në dorë procesin.
REZULTATET (SIPAS KQZ-së)
Aleanca e Ndryshimit - 46.69%
Aleanca “Poli i lirisë” - 1.82%
Aleanca Socialiste për Integrim - 5.56%
Bashkimi për Ndryshim - 45.36%
REZULTATET (SIPAS ECA-s)
Aleanca e Ndryshimit - 46.85%
Aleanca “Poli i lirisë" - 1.82%
Aleanca Socialiste për Integrim - 5.55%
Bashkimi për Ndryshim - 45.36%
REZULTATET E PARTIVE (SIPAS ECA-s)
PS – 40.83 për qind
PD – 40.01 për qind
LSI – 4.81 për qind
PR – 2.1 për qind
PSD – 1.8 për qind
PBDNJ – 1.18 për qind
PDI – 0.95 për qind
G99 – 0.87 për qind
PDK 0.86 për qind
PAA – 0.85 për qind
LZHK – 0.7 për qind
FAKTE NGA PROCESI
PD-ja ka marrë më pak vota si parti në krahasim me Partinë Socialiste
PD-ja ka marrë më shumë vota si koalicion në krahasim me grupimin e PS-së
LSI-ja ka arritur pragun prej 5% në Tiranë me ndihmën e partive të vogla
PDI-ja ka shumë më pak vota se PBDNJ dhe ka 2 herë më shumë mandate (2)
6 Korrik 2009