KSHH: KQZ-ja nxitoi në dhënien e rezultateve pa përfunduar procesi i numërimit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagoi dje për dhënien e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pa përfunduar ende procesi i numërimit të votave. Në një deklaratë për mediat KSHH e vlerësoi të nxituar deklaratën e KQZ-së së bërë publike një natë më parë. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me njoftimin e datës 3 korrik, përmes zëdhënësit të tij, bëri të njohur ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo forcë politike, pavarësisht se procesi i numërimit të votave nuk ka mbaruar tërësisht. Për më tepër, ky deklarim u krye në të njëjtën kohë, kur në KQZ kishin mbërritur dhe po trajtoheshin disa kuti votimi të panumëruara nga KZAZ-të përkatëse. Pavarësisht se deklarimi i mandateve ishte paraprak, i kryer pa përfundimin e numërimit të votave, si dhe pa u shuar ende përplasjet dhe tensionet politike midis garuesve në lidhje me këto kuti votimi, ai nuk i shërben mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
KSHH vlerëson se ky veprim i KQZ-së është një hap i nxituar, që cenon besueshmërinë e tij si një organ i paanshëm, por njëkohësisht cenon edhe respektimin e votës së qytetarit”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Më tej kjo organizatë vëren se edhe në raste të tjera, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer disa sjellje që vënë në dyshim paanësinë e tij.
“KSHH i bën thirrje KQZ-së për maturi, pasi mendon se veprime të tilla mund të cenojnë standardet e përgjithshme të këtyre zgjedhjeve, si dhe mund të sjellin acarime dhe tensione të mëtejshme. Gjithashtu, KSHH, u bën thirrje të gjitha forcave politike që të shmangin konfrontimet dhe të tregojnë qetësi, duke respektuar votën popullore”, - përfundon deklarata e KSHH-së.
6 Korrik 2009