E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezultatet, maturantët e pakënaqur, afat për ankesat

Tiranë-Maturantët e pakënaqur me rezultatet në provimet me zgjedhje kanë dhjetë ditë kohë për të bërë ankesat, lidhur me pretendimet që mund të kenë për vlerësimin.  Sipas Frederik Shalësit, drejtor i Agjensisë të Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) të dhënat per secilin do te publikohen ne Librin e Transparencës, qe do kete të gjitha të dhënat, notët dhe pikët e secilit maturant në provimet e Maturës Shtetërore( ato me detyrim dhe provimet me zgjedhje).

Në Librin e Transparencës, secili nxënës ka mundësi të verifikojë të gjitha të dhënat e tij dhe të kontestojë pasaktësitë e mundshme.

Aktualisht sipas grafikut të parashikuar, u bënë publike në të gjitha shkollat e Shqipërisë rezultatet e provimeve me zgjedhje. Shpallja e këtyre rezultateve u bë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Kjo Agjenci, në varësi të MASH, është krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në prill të këtij viti.

Ndër detyrat që ka kjo agjenci, kryesorja është krijimi i një sistemi unik kombëtar për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Institucionet e Publike të Arsimit të Lartë (IAL). Ky përcaktim realizohet në bazë të parimit Meritë-Preferencë.

Kështu APRIAL vihet në shërbim të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë. Nga këto Institucione merren kërkesat për koeficientët për programet e studimit dhe provimet me zgjedhje. Pas miratimit nga MASH, bazuar në këta koeficientë bëhet llogaritja e pikëve të fituara nga secili kandidat maturant për secilën prej preferencave të tij.

Tashmë APRIAL ka bazën e të dhënave me të gjithë elementët e duhur për secilin kandidat maturant: rezultatet e provimeve D1, D2, Z1, Z2; notën mesatare të marrë nga Formulari A2 si dhe preferencat e përcaktuara nga vetë kandidati. Me këto të dhëna do të fillojë llogaritja e pikëve për secilën preferencë, të çdonjërit prej kandidatëve maturantë.

“Me përfundimin e këtij procesi do të botohet Libri i Transparencës, që parashikohet të dalë nga mesi i muajit Gusht. Duke qenë që i gjithë procesi është tërësisht transparent, sikurse është vepruar për rezultatet e të katër provimeve edhe libri i transparencës do të vihet në dispozicion të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore të rretheve, për t’u publikuar në shkolla”- tha ai.

Rruga zyrtare e kontestimit, sipas tij, kalon nga shkolla, në DAR / ZA dhe vjen zyrtarisht në APRIAL. Kjo për arsye se janë këto institucione arsimore kompetente për kontrollin dhe konfirmimin e ndryshimit të një të dhënë të secilit nxënës të rrethit të tyre.

Pasi të merren kontestimet dhe të realizohen ndryshimet e argumentuara zyrtarisht, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, parashikohet të bëhet përcaktimi i fituesve të fazës së parë. Edhe këto lista do të publikohen nëpër shkolla, nëpërmjet DAR/ZA. Njëkohësisht listat e fituesve të fazës së parë do t’i jepen edhe të gjithë IAL-të.

Për secilin fitues është e detyrueshme të regjistrohet në programin e studimit ku është shpallur fitues në fazën e parë. Kjo për arsye të verifikimit të kandidatëve që do të largohen jashtë vendit për studime, që merret nga mos rregjistrimi i tyre në programet e studimit ku ata janë shpallur fitues.

Pasi këta kandidatë që nuk janë regjistruar “hiqen” nga baza e të dhënave, ribëhet përcaktimi i fituesve në fazën e dytë. Listat e fituesve u dërgohen fakulteteve dhe realizohet regjistrimi përfundimtar. Për të gjithë këtë proces, do të jepen udhëzimet përkatëse nga MASH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›