E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS taktikë mashtruese kundër PSD-së”

09/07/2009  Gjinushi për rezultatin e zgjedhjeve

Kreu i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi deklaroi dje publikisht pakënaqësitë e tij lidhur me taktikat e zgjedhura nga PS-ja lidhur me zgjedhjet parlamentare. Kreu socialdemokrat cilësoi si shkaqe kryesore për humbjen bashkëpunimin e keq të PS-së me aleatet dhe shitja e votave nga LSI-ja. “PS-ja ka gabuar, sepse ky sistem zgjedhor, pavarësisht kapriçove të tij, papërshtatshmërisë së tij, kishte vetëm një zgjidhje: optimizmin e aleancës. Ky sistem kërkonte pikërisht që në PS të mos rilindnin taktika, mentalitete të dikurshme që “aleatët t’i përdorim për mbështetje, sa më pak mandate dhe mundësisht 0”, që të gjitha frytet e bashkëpunimit të shkonin vetëm te PS-ja”, u shpreh Gjinushi. Madje, duke kaluar në një akuzë të drejtpërdrejtë, ai e vuri në dukje se “fatkeqësisht këtë taktikë të gabuar më 2001-shin, këtë taktikë të deformuar më 2005-n PS-ja e ripërdori më 2009-n, madje duke kaluar edhe në mashtrim elektoral se vota për PSD-në ishte votë për Berishën, se vota për PSD-në do të shkonte dëm”. Ndalur në largimin ose jo të Ramës, Gjinushi u shpreh se “nga PS-ja kërkojmë ato ndryshime që çojnë në ndryshim të politikës së PS-së, mentalitetit të saj se gjoja ka monopolin mbi të majtën dhe aleatët janë vetëm bezdi dhe nëse ndryshimi i emrave ndryshon mentalitetin, janë të mirëpritura, kushdo qofshin këto ndryshime”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›