E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: KZAZ-të u vendosën në ambiente private

09/07/2009  Socialistët zbardhin parregullsitë e procesit zgjedhor

“KQZ-ja nuk mori në konsideratë ankesat dhe kërkesat e PS-së”

Partia Socialiste nis zbardhjen e parregullsive që u vunë re gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Vendosja e KZAZ-ve në ambiente private ishte një nga akuzat për kundërshtarin politik, si dhe një nga elementet e dosjes që po përgatit PS-ja për të gjitha parregullsitë dhe shkeljet gjatë këtij procesi. Kandidati për deputet i PS-së për Qarkun e Tiranës Namik Dokle gjatë një konference për shtyp u shpreh se “një nga teknikat e makinerisë elektorale të Sali Berishës për manipulimin dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve lidhet me vendndodhjen e qendrave të votimit”. Sipas tij, Kodi Zgjedhor e përcakton qartë se “qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendet e numërimit të votave nuk mund të krijohen në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi pjesërisht ose tërësisht të një partie politike apo kandidati ose të afërmve të tij”. Nisur nga ky përcaktim i Kodit Zgjedhor, Dokle vuri në dukje se “Partia Socialiste ka denoncuar dhe ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshimin e vendndodhjes së qendrave të votimit në 92 raste”. Sipas tij, vetëm në Qarkun e Tiranës ishin 27 qendra votimi në lokale të militantëve apo drejtuesve lokalë të Partisë Demokratike. “Shumica e tyre ishin në zonat periferike të Tiranës dhe 19 prej të tyre ishin në zonën administrative zgjedhore nr. 56 të Kamzës dhe Bathores. Komisioni i kësaj zone administrative zgjedhore në mbledhjen e tij më datë 14 qershor 2009 me shumicë votash kundërshtoi vendimin nr. 51, datë 8 qershor 2009, të kryetarit të Bashkisë së Kamzës për vendosjen e qendrave të votimit”, - nënvizoi kandidati për deputet i PS-së. Po në këtë linjë, Dokle akuzoi se “më të keqen e bëri KQZ-ja, më saktë pjesa e detashmentit politik të Sali Berishës, që nuk mori në konsideratë këtë ankesë dhe kërkesë së shumicës së komisionit të zonës administrative zgjedhore nr. 56”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›