E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ri-shpërthen dhuna në Lindjen e Mesme

Si pasojë e një ri-shpërthimi të dhunës në mes të Izraelit dhe palestinezëve kanë humbur jetën së paku 10 persona.

Gjatë sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, u vranë nëntë luftëtarë të grupit radikal islamist palestinez, Xhihad. Sipas palës izraelite, sulmet ishin drejtuar kundër personave, që synonin të shkrepnin raketa në drejtim të Izraelit.

Ndërkaq në Aschkelon të Izraelit, humbi jetën një civil nga një raketë. Gjithsej, në jug të Izraelit kanë rënë mbi 20 raketa.

Në ndërkohë, disa dhjetëra mijëra njerëz protestuan sërish kundër çmimeve të larta të jetës në Izrael.

Tubimi më i madh protestues u mbajt në Tel Aviv, ku sipas të dhënave të policisë në rrugë dolën rreth 20 mijë vetë.

Gjatë gjithë verës në Izrael janë zhvilluar protesta. Në fillim të shtatorit, në rrugë kishin dalë mbi gjysmë milioni njerëz, të cilët kërkuan më tepër barazi sociale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›