E Diel, 1 Nëntor 2026

Richard Edson: Jam i kënaqur me cilësinë e filmave në Tirana Film Festival Nga “Reporteri”, TIFF- Intervistë me anëtarin e jurisë së edicionit të shtatë të Tirana Film Festival, aktorin Richard Edson, i cili është një nga personazhet e mëdhenj të kin

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Richard Edson: Jam i kënaqur me cilësinë e filmave në Tirana Film Festival Nga “Reporteri”, TIFF

- Intervistë me anëtarin e jurisë së edicionit të shtatë të Tirana Film Festival, aktorin Richard Edson, i cili është një nga personazhet e mëdhenj të kinematografisë, që i përket botës së Hollivudit. Edson flet për festivalin, Shqipërinë dhe Hollivudin

Ju zoti Richard Edson jeni njëri nga anëtarët e jurisë që do të jepni votën tuaj për filmin më të mirë. Kanë kaluar disa ditë që po e ndiqni festivalin. Cili është vlerësimi juaj rreth filmave konkurrentë në këtë festival?

- Kam mbetur shumë i kënaqur me cilësinë e filmave. Pjesa më e madhe e subjektit të këtyre filmave kanë shumë motive të zymta. Unë do të isha shumë i interesuar se përse regjisorët e këtyre filmave zgjedhin skenarë kaq të errët. Unë kam teorinë time për të vërtetuar se përse këta filma janë kaq shumë të errët. Në botën ku jetojmë ka shumë ngjarje jo pozitive. Prandaj edhe regjisorët zgjedhin që të bëjnë filma me skenarë kaq problematikë që tregojnë ngjarje të cilat e trembin publikun. Mbase vetë organizatorët e filmit i pëlqejnë filmat me këtë tematikë të zymtë. Unë do t’i pyes ata se përse kanë zgjedhur kaq shumë filma me skenarë të zymtë. Por e ritheksoj se janë filma me cilësi pozitive, por ka shumë zymtësi. Ka zymtësi me tepri.

Sipas shumë kritikëve, zymtësia është pjesë e skenarëve dhe e regjisë lindore? A është kjo mundësia se përse ka kaq shumë filma të tillë?

- Kjo është e vërtetë. Me sa kam dëgjuar Ballkani ka shumë ngjarje të mbushura me beteja dhe me ngjarje jopozitive. Sigurisht që gjithë këto ngjarje nuk mund të kalojnë pa lënë gjurmë në psikologjinë e popujve të Ballkanit dhe të pasqyrohet në prodhimet e artistëve të këtij rajoni. Një film me metrazh të shkurtër jepte historinë e një personi të moshuar. Ky i moshuar kujtonte historinë nga jeta e tij. Në rini ai kishte qenë pjesëtar i Luftës së Dytë Botërore. Skenari është fenomenal, por përsëri ka shumë motive negative. Unë kam qenë pjesëmarrës edhe në festivalin prestigjioz të Kanës. Edhe aty kishte shumë filma konkurrues me motive negative, por kishte edhe balancë. Kishte mjaft filma me motive të gëzueshme. Nuk kishte vetëm errësirë. Kishte edhe dritë.

Gjatë festivalit të filmit kemi kuptuar se shumë protagonistë të filmave nuk janë prezentë. A ndikon në mënyrën e vlerësimit tuaj?

- Ky nuk është një problem për mua. Kjo ndodh edhe në festivale të tjera prestigjioze të botës. Mua nuk më intereson të shoh personin që e ka ideuar apo ta njoh atë. Mua më intereson skenari, ideja, subjekti, kamera, pra të gjithë elementët që përbëjnë një film dhe e dallojnë atë nga një tjetër. Unë kam parë filma shumë të mirë dhe nuk kam asnjë pikë interesi të takoj njerëzit që i kanë realizuar. Kjo s’ka asnjë pikë rëndësie për mua. Filmat janë mënyra më e mirë për të njohur një regjisor. Nuk kanë nevojë që të flasin regjisorët, janë veprat e tyre ato që flasin. Ajo që më pëlqen në festivalet e vogla të filmit është mundësia për të takuar njerëz që e duan filmin. Njerëz të cilët janë idealistë, të cilëve nuk ju interesojnë paratë. Ky është një avantazh i madh për një festival si TIFF-i. Ambienti është tepër miqësor. Unë kam qenë edhe në festivalet e tjera të mëdha si në Venecia apo në Kanë. Unë mund të them se në ato festivale dhe në të tjera të ngjashme nuk janë shumë të interesuar për atmosferën, por janë të interesuar se si të promovojnë filmin, kastën e aktorëve dhe komponentët e tjerë dhe ka shumë paparacë, të cilët të bezdisin gjatë gjithë kohës. Te festivalet e vegjël artisti ka shansin që të jetë pranë njerëzve ku mund të bisedojë gjatë me ta. Ndërsa te festivalet e mëdhenj nuk ndihet kjo ngrohtësi.

A mund t’i dimë se cilat janë disa nga kriteret e vlerësimit tuaj?

- Unë do të jem i interesuar që të vlerësoj filma të cilët të kenë një impakt të gjerë dhe ta godasin publikun. Unë nuk jam i interesuar për filmat me elementët më të përzgjedhur, por për ata filma të cilët publiku është i interesuar dhe i kupton. Filmi bëhet për publikun dhe kjo është mjaft e rëndësishme për një artist. Ky film duhet të ketë një impakt emocional dhe intelektual. Është shumë e rëndësishme, pasi publiku duhet të shohë të realizuara idetë e tij. Është shumë e rëndësishme që të ketë një balancë mes motiveve të errëta dhe atyre me dritë. Ky do të jetë një nga kriteret e mia që do të jetë primare në vlerësimin e filmave. Unë mund të them që në ditën e sotme kam pikasur një film që mund të jetë fitues i seksionit të filmave me metrazh të shkurtër. Në këtë film jepet diçka nga bota e çlirët e botës së fëmijëve. Kishte shumë motive të bukura në atë film.

Impresioni juaj rreth festivalit?

- Ky festival po më le një shije shumë pozitive. Megjithëse ka një atmosferë pak kaotike dhe të rrëmujshme, por programacioni është mjaft i pasur dhe po respektohen oraret e filmave. Kjo rrëmujë nuk i pengon, përkundrazi i ndihmon njerëzit që të jenë më të çlirët dhe të jenë më të komunikueshëm me njëri-tjetrin.

Keni qenë më parë në Shqipëri?

- Fatkeqësisht nuk më ka rastisur që të jem në Shqipëri më parë. Jam shumë i lumtur që m’u dha shansi që të jem këtu. Unë nuk kam pasur pothuajse asnjë informacion për Shqipërinë. I gjithë informacioni im ishte nga ato pak lajme që dëgjoja nga media. Media nuk është se ka dashur të krijojë një imazh negativ për Ballkanin apo për Shqipërinë, por media gjithmonë për fat të keq do t’u japë prioritet ngjarjeve negative. Në këtë aspekt mund të them se Shqipëria si gjithë Ballkani e ka vuajtur këtë ndikim të medias.

Cilat janë përshtypjet tuaja për këtë vend?

- Njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe tepër të dashur. Është një vend i cili ka provuar komunizmin dhe dëshiron që të jetë pjesë e progresit, pjesë integrale e Evropës. Kjo është një gjë shumë e mirë. Këtu njerëzit janë të motivuar. E shoh te mënyra se si ata flasin. Por gjithsesi mbetet shumë punë për t’u bërë. Shqipëria është pjesë e Ballkanit. Ballkani është një vend në tranzicion dhe me ngjarje që rrjedhin shumë shpejt. Unë nuk dua që të bëj një incident diplomatik që të them se shqiptarët janë më të mirë se serbët, apo e anasjella.

Ju jeni pjesë e botës së Hollivudit. Si funksionon kjo botë?

- Ka diçka që është shumë zhgënjyese në botën e Hollivudit. Në atë vend gjithçka mendohet për të fituar para dhe jo për cilësinë e tyre në aspektin e vlerave. Ata i kushtojnë më shumë rëndësi parave dhe sigurisht që kjo e zbeh atë që filmi ka primare. Të gjithë ata njerëz janë pjesë e botës së biznesit. Tashmë Hollivudit është një industri e prodhimit të parave. Të vjen keq që tashmë Hollivud është bërë thjesht një vend ku parimi kryesor është për të grumbulluar para. Shumë prej personave që kanë filmat e tyre në konkurrim nuk duan t’ia dinë për cilësinë e filmit. Kinemaja është një vend, i cili duhet të ketë ideale si edhe pasione. Nuk duhet punuar për para. Ky nuk është funksioni i artit. Prandaj unë jam shumë i kënaqur që jam anëtar i jurisë së këtij festivali të filmit këtu në Tiranë. Këtu mund të shohësh plot filma me të vërtetë artistik dhe të realizuar, të cilët kanë shumë elementë të gjetur dhe janë të mbushur me ide fenomenale. Këtu ka plot realizime të shkëlqyera. Gjithashtu në këtë festival filmi mund të gjesh plot njerëz idealist, njerëz dhe artistë fisnik të cilët bëjnë kujdes dhe i kurojnë filmat e tyre me ide njerëzore. Ata nuk e venë përfitimin e tyre ekonomik në vend të parë.

A mund të na përmendni ndonjë emër të rëndësishëm kinematografik hollivudian me të cilin ju keni bashkëpunuar?

- Unë kam pasur fatin e madh që të bashkëpunoj me dy koka të regjisurës amerikane dhe botërore. Bashkëpunimi i parë ka qenë me regjisorin Spike Lee, një regjizor me ide fenomenale dhe tepër artistik në punë e tij. Bashkëpunimi im i dytë i rëndësishëm është me regjisorin amerikan Oliver Stone. Unë kam qenë pjesë e kastit të filmit “Platoon” së bashku me aktorin e famshëm William Defoe. Ky film është realizuar në vitin 1986. Ky film flet për ngjarjet në Vietnam. Regjisori Stone ka shkëlqyer me të vërtetë në atë film. Stone është një emër po ashtu maksimalisht tej mase i vlerësuar në botën e kinemasë. Është një nder dhe privilegj për çdo tip aktori që të bashkëpunojë me emra të tillë. Ndjehem tepër me fat që i kam pasur mundësinë që së pari të flas me ta dhe natyrisht të njoh nga afër punën dhe aktivitetin e tyre kinematografik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›