Një grevë ndaj indiferencës së politikës dhe shoqërisë shqiptareNga Bledar LumaniMë pak se 100 metra nga Kuvendi i Shqipërisë, 6 ish-të burgosur politikë, prej 39 ditësh janë futur në grevë urie. Konstandin Gjordeni, Mirak Bejko, Petrit Shpuza, Fatmi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një grevë ndaj indiferencës së politikës dhe shoqërisë shqiptareNga Bledar LumaniMë pak se 100 metra nga Kuvendi i Shqipërisë, 6 ish-të burgosur politikë, prej 39 ditësh janë futur në grevë urie. Konstandin Gjordeni, Mirak Bejko, Petrit Shpuza, Fatmir Lamaj, Gergj Ndreca dhe Liço Çalaj, në emër të të burgosurve politikë, shprehen se do të flijojnë jetën deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Edhe pse të përndjekur politikë, Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë nuk i ka lejuar që ta zhvillojnë grevën e tyre në ambientet e kësaj ndërtese. Për këtë arsye, ata kanë ngritur një çadër në oborrin e kësaj godine dhe në të ftohtin e dimrit kanë kaluar aty më shumë se një muaj.
Edhe pse kanë një kohë kaq të gjatë që kanë hyrë në grevë urie, kur tre prej tyre tashmë janë shtruar në spital, në gjendje të rëndë, asnjë prej përfaqësuesve të politikës nuk është interesuar për ta. Deputetët e mazhorancës, që pretendohet se është edhe përfaqësuesja e kësaj shtrese, edhe pse vetëm 100 metra më larg zhvillojnë mbledhjet e tyre në parlament, nuk kanë denjuar që t’i vizitojnë ata, për t’u njohur me kërkesat e tyre.
Grevistët shprehen të vendosur se do t’i shkojnë deri në fund asaj, edhe pse nuk po mbështeten nga ana e shoqatave dhe sindikatave. Ata thonë se këto sindikata drejtohen nga ana e ish-sekretarëve komunistë dhe që nuk kanë qenë asnjë ditë të përndjekur. Grevistët shprehen të zhgënjyer edhe nga shoqëria, e cila është treguar indiferente ndaj tyre, por edhe medieve, që nuk e kanë pasqyruar këtë grevë. Gjergj Ndreca, një prej grevistëve, thotë se nuk kërkon asnjë favorizim nga shteti, vetëm zbatimin e atyre ligjeve që ka miratuar vetë për dënimin e krimeve të komunistëve dhe komunistët vetë, gjë që, sipas tij, nuk mund të ndodhë, pasi komunistët janë në krye të këtij shteti.
“Nuk po kërkojmë asnjë favorizim nga ky shtet. Po kërkojmë vetëm të drejtën tonë, dëmshpërblim për burgun e pamerituar që kemi bërë, pronat që na morën dhe konfiskuan në regjimin komunist dhe punësim dhe arsimim”, - thotë Ndreca.
Grevistët shprehen se ndjehen të persekutuar njëlloj si në kohën e komunizmit, pasi shoqëria dhe shteti i sheh ata ende me syrin e armikut. Edhe pse kanë vuajtur në burgjet dhe kanë pësuar torturat më të tmerrshme të regjimit komunist, grevistët thonë se ata që i kanë bërë këto gjëra nuk janë dënuar. Madje, sipas tyre, ata vazhdojnë që të jenë në krye të shtetit shqiptar dhe ta drejtojnë atë. Ish-të burgosurit politikë shprehen se po vdesin një nga një, pas pasur mundësinë që të shohin vënien e drejtësisë në vend dhe dënimin e autorëve që u kanë shkaktuar atyre vuajtje, pasojat e të cilave vazhdojnë që t’i vuajnë edhe sot e kësaj dite.
Ish-i burgosuri politik: Pas 20 viteve demokraci, ende na shohin si armiq
Gjergj Ndreca është një ndër grevistët që kërkon vëmendjen e shtetit dhe shoqërisë shqiptare ndaj ish-të burgosurve politikë. Ai është dënuar nga regjimi komunist, kur ishte vetëm 18 vjeç dhe ka qëndruar në burgjet e këtij regjimi nga viti 1981 deri në vitin 1991, duke provuar torturat më çnjerëzore.
Gjergji është nga Mirdita, e cila, sipas tij, ka qenë një nga zonat më të persekutuara nga regjimi komunist, pasi ka qenë e fundit që i është nënshtruar, vetëm në vitin 1954, pas dhunës barbare të ushtruar ndaj banorëve, një pjesë e madhe e të cilëve u vranë, persekutuan dhe burgosën. Historia e persekutimit të fisit të Gjergjit nis që në vitin ‘46, kur komunistët i vranë xhaxhanë, ndërsa i dogjën edhe shtëpinë. I ati i vet, Ndrec Ndreca, gjatë kësaj kohe del malit, duke luftuar përkrah me kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjoni. Por, për hir edhe të familjes, u detyrua që të dorëzohej dhe në vitin 1968 gjen vdekjen në burg, si pasojë e torturave barbare të regjimit.
Në vitin 1981, Gjergj Ndreca mbaron gjimnazin, por, pavarësisht dëshirës për të vazhduar studimet e larta, nuk mundi, pasi regjimi nuk e lejonte.
I lodhur dhe i vuajtur në maksimum nga persekutimi monist, ai vendos që të arratiset në Jugosllavi, pasi nuk mund të duronte më. Por spiunët kishin bërë punën e vet, duke raportuar në polici, e cila e arreston fare pranë kufirit. Pas kësaj, Gjergjin e marrin dhe e dërgojnë në hetuesinë e Shkodrës, ku e torturojnë në mënyrë çnjerëzore. Grupi hetues kishte në krye Bashkim Asllanin, ndërsa në përbërje të tij ishte edhe Agim Tirana, aktualisht avokat.
Gjergji kujton momentin kur është marrë në pyetje nga ana e Agim Tiranës, kohë në të cilën ka qenë vetëm 18 vjeç.
“Qen bir qeni, kush të ka fut në rrugën e krimit?” - më thotë ai. “Babai më ka thënë që t’ju urrej, se jeni kriminelë”, - i them unë. Në këtë kohë më pyet se ku punon babai dhe unë i them që punonte në minierë, në Bulqizë a Batër, nuk e mbaj mend. Të nesërmen që në mëngjes, ai niset në Milot, ku dhe banonte familja ime dhe pyet për tim atë. Aty i thonë që ai ka vdekur prej disa vitesh. “Si ka vdekë, ne do ta dënonim atë me 25 vjet burg”, - ishte reagimi i tij, pasi mori vesh që im atë kishte vdekur. Këtë rreng që i punova do ta pësoja keq, pasi, kur u kthye në hetuesi, i tërbuar me atë që i kisha bërë, Agim Tirana ka ushtruar tortura çnjerëzore ndaj meje. Kur erdhi, më dha një cigare për ta pirë. Sapo kisha pirë gjysmën e saj, ma mori dhe ma fiku në anë të hundës. Shenjën e saj e kam edhe sot e kësaj dite. Aq të pamëshirshëm dhe kriminelë ishin, sa për ta nuk kishte rëndësi jeta e një njeriu, po fakti se kishin harxhuar një sasi nafte që kishin shkuar deri në Milot. “Këtë duhet ta dënojmë edhe për sabotim, pasi na harxhoi naftën që shkuam deri në Milot”, - tha ai në hetuesi. Pas hetimeve dhe torturave nga më të rëndat, më dënuan me 18 vjet burg. Në vitin ‘91, pas rënies së komunizmit, munda që të dal nga burgu. Por ende më duket sikur jam në burg, pasi, edhe pse kanë kaluar 20 vjet demokraci, ne ende na shohin me syrin e armikut, pasi komunistët vazhdojnë që të kenë pushtetin. Unë tashmë jam 61 vjeç, por nuk do ta harroj kurrë kohën e burgut, ku na trajtonin në mënyrat më barbare të mundshme. Dhe sot asnjë njeri nuk e dënon atë që ne kemi vuajtur, duke u treguar indiferent ndaj fatit dhe dhimbjes sonë. Janë dhimbje që nuk kalojnë lehtë dhe pasojat e të cilave mbeten gjatë gjithë jetës. Ndihem i zhgënjyer për faktin se në ditët e sotme ndihem më i braktisur se kurrë nga shoqëria, unë dhe ish-të burgosurit e tjerë politikë, të cilët po vdesin një nga një, duke mos arritur që të shohin dënimin e personave që u shkaktuan vuajtje gjatë jetës”, - përfundon rrëfimin Gjergj Ndreca.
“Shqipëria ka nevojë për “doktorë të vërtetë”, jo për pseudodoktorë të elitës komuniste”
Të dashtun bashkëvuajtës, vetëm tre vjet para përkujtimit të qindvjetorit të pavarësisë kombëtare shqiptare, mora nji mesazh nga Shqipëria. Logjika ma elementare dikton me mendue se do të ishte nji urim për këtë datë fatlume që solli ringjalljen e kombit tonë, pruni pavarësinë e humbun në 1479 dhe hodhi themelet e shtetit të parë shqiptar, që nga kohët e lavdishme të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ashtë shumë e vështirë me përshkrue trishtimin që pësova nga leximi i mesazhit. Për efektin e duhun, duhet që lexuesi të familjarizohet me përmbajtjen sa të dhimbshme, aq madhështore, që evokon enthuziasmi për demokraci, që na frymëzoi gjatë dekadave të vështira të diktaturës komuniste në Shqipëri, e këtij amalgami të paditunisë, gënjeshtrës, urrejtjes, hakmarrjes dhe terrorit të pafre. Leximi ringjall kujtimet tona të ditëve kur akoma shpresohej tek vlera e së vërtetës, e së drejtës fisnike, të andrrës sonë demokratike, “të lirë nga frika, të lirë nga uria” dhe shfaq dhimbjen e plagës së hapun, dëshpërimin e zhgënjimin rrënimtar të “sundimit” në emën të demokracisë dhe të shkeljes me çizme diktatoriale të “gjakut dhe varreve tona” nga “elita gjakatare e komunistëve” dhe pjella e tyne e painformueme. Teksti i mesazhit që më drejtohet nga “lugina e lotëve”:
“Të jesh luftëtar i së vërtetës dhe i së drejtës në një vend ku sundon gënjeshtra dhe padrejtësia është nji detyrë fisnike e aq njerëzore. Padrejtësia në këtë vend është kthyer në formën më të keqe të sundimit, duke hedhur mbi vete mantelin “demokratik”. Demokracia u ngrit mbi dhimbjen, gjakun e varret tona, e sot frytet e saj i gëzojnë kriminelët dhe bijtë e tyre komunistë. Demokracia e sëmurë shqiptare ka nevojë për “doktorë të vërtetë” dhe jo pseudo doktorë, që dolën nga elita gjakatare e komunizmit. Falënderimet tona më të sinqerta për ju dhe gjithë shqiptarët që u solidarizuan me veprimin tonë.
Grevistët e urisë të burgosur politikë: Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca, Lizak Bejko, Konstandin Gjordeni, Petrit Shpuza, Liço Cola”.
E gjithë kjo në Shqipërinë “demokratike”, njizet vjet mbas ramjes së turpshme të komunizmit ndërkombëtar në një vend që “aplikon” dhe “shpreson” të hyjë në familjen e qytetënueme evropiane. E pabesueshme! Vllazën, motra! Hapni sytë, ndigjoni! Sepse kambana bie për të gjithë... edhe për ju! Kush janë këto gjashtë “heroj të gjallë”, që preferojnë vdekjen më parë se jetën me vorfni, të harruam dhe të përbuzun?
Kush janë këto “veteranë fisnikë të demokracisë”, që japin shembullin suprem të qytetarisë së ndërgjegjshme për fatin e individit shqiptar të shtypun nga maqina mishngranëse e shtetit, brutale dhe padenja?
Kush janë këto “jetë të lavdishme”, që nuk pranojnë përuljen para monstrit të politikës së ditës, me gjithë rrezikun që paralajmëron lugati, lubia, leprozi shtetnor?
Veterani fisnik i demokracisë, Lizak Bejko, tuberkuloz të marrun gjatë viteve të dënimit, i dërmuem në tortura, burgje e kampe pune të detyrueshme, nxjerr gjak nga goja dhe transportohet urgjentisht në spital. Qeveria, shtypi, mediat heshtin! Ashtu heshtin edhe për veteranin fisnik të demokracisë, Liço Cola, 70-vjeçari me probleme zemre dhe organe të dëmtueme, që paralajmërojnë pasoja katastrofale.
Ashtu heshtin edhe për veteranin fisnik të demokracisë, Kostandin Gjordeni, i dërguem urgjentisht në spital. Konstandini heroik, organizator i revoltës së Qafë Barit (1984), i plagosun me tre plumba, njeni nga të cilët gjindet akoma në klavikulën që e mundon. Grevistët e urisë janë pa punë, pa shtëpi dhe pa bukën e përditshme të fëmijëve. Heshtje! Pretendimet qeveritare për ndihmë janë vetëm premtime. Votohet për shpërblime dhe thuhet se nuk ka fonde pagese. Premtohet punësimi dhe thuhet se nuk ka vende punësimi. Premtohet përkrahja dhe jetohet përbuzja.
“Veteranët fisnikë të demokracisë”, ata që mbajtën mbi shpatullat e tyne peshën e randë të diktaturës komuniste 45-vjeçare, ata që u torturuen e nuk u thyen, që përkulën kurrizin në punët moçalore dhe në miniera vdekjeprurëse, por nuk e ulën kokën, ata që të parët ngritën krye në nji përpjekje vigame me shkatërrue nji sistem sa gjakatar, aq edhe shtazarak, në ato ditë të paharrueshme të fundvjetorit të 1990 dhe në fillim të 1991, kur “sundimtarët” e nomenklaturës sotme dhe meturinat e diktaturës strehoheshin në skuta nga frika e sigurimit kriminal dhe “stampistave” gjakpirës, këto “reparte avangarde” të demokracisë në Shqipëri, sot janë lënë mbasdore e persekutohen përsëri, sepse nuk pranojnë krimin, korrupsionin e kërcimet akrobatike të politikës së paskrupullt, që karakterizon klasën sunduese shqiptare. Vllazën, motra! Hapni sytë, ndigjoni, sepse kambana bie për të gjithë, edhe për ju! Heshtja e madhe e mjeteve të informimit, sepse nga qeveria nuk mund të pritet mirëkuptim, ashtë çmendëse, e frikshme dhe ogurzezë. Ata që mbushin kolonat e shtypit me bisedat parlamentare, që kanë zbritë aq poshtë, se edhe fjalët e kumarxhinjve në klubet e bixhozit ma vulgar, ose historitë e “dashurive” të çoroditura e thellësisht pornografike, nuk gjejnë vend për këto “histori njerëzore”, që kalojnë pa jehonë, pa heroizma, të këtillë që i mbulon heshtja e harresa, sepse jo larg nga tenda e tyne, ku janë ngujue afër njiqind metra larg parlamentit, zhurma e dëfrimeve të natës ka përfshi masat e dehuna nga fitimet e paligjshme, e mbyt zanin e mekun të viktimave në prakun e vdekjes.
Vllazën, motra! Si mund të flini të qetë në shtëpitë tuaja plot komfort?
Dëshiroj t’u baj thirrje gjashtë vllaznëve e motrave të grevës së urisë në Tiranë: Të dashtun bashkëvuajtës! Sakrifica juaj e ka ba efektin e vet. Kudo që ka shqiptarë dhe jo shqiptarë, mendohet për ju, bahen lutje për ju. Mos sakrifikoni jetët tueja fisnike, me binde monstrin- shtet, shurdh dhe të pashpirt. Pushoni grevën! Kthehuni në shtëpitë tueja, të mbuluem me lavdi e falënderime nga mijëra e mijëra bashkëvuajtës, e të tjerë, që ju kuptojnë. Me grevën tuaj ju keni avancuar kauzën e drejtë të njohjes, mirënjohjes dhe shpërblimit të vuajtjeve tuaja të jashtëzakonshme. Nga heshtja që ju rrethon do të lindë, unë jam i sigurt, zani i fortë i protestës popullore, në atë “luginë të lotëve”, që asht sot atdheu ynë i përbashkët.
Ju mbroni të drejtën, të vërtetën, njerëzoren dhe nderin kombëtar shqiptar.
Ju meritoni të gëzoni më shumë se asnjeri fitoren tuej, që ashtë e pa evitueshme. Me ju ne jemi ma të fortë. Pa ju jemi ma të dobët, dhe lumi i lotëve të derdhun për dekada me radhë do të vazhdojë të rrjedh akoma më shumë. Betejën tonë për nji shoqëni civile të ndërgjegjshme dhe të qytetënueme do ta fitojmë të gjithë së bashku.
Vllazën dhe motra grevistë të urisë! Bashkëvuajtësit tuaja dëshirojnë shpëtimin e jetës suaj fisnike. Sot, ndoshta nji jetë njerëzore nuk çmohet shumë; por asgja, e përsëris, asgja, nuk ka vlerë më shumë se nji jetë njerëzore.
Me përzemërsi dhe respekt të veçantë nga një bashkëvuajtësi i juaj, Sami Rapishti, Ph. D City University of New York, ish-i burgosun politik në Shqipërinë komuniste (1946-1956” dhe në Jugosllavinë komuniste(1959-1960).
Kërkesat e grevistëve, ish-të përndjekur politikë
1. Dëmshpërblim i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë që janë gjallë. (Shumë prej ish-të burgosurve politikë kanë vdekur, ende nuk është marrë në konsideratë ose po vonohet dëmshpërblimi i atyre që janë gjallë).
2. Trajtim me pensione speciale (Aktualisht nuk ka një trajtim special të njerëzve që kanë qenë nëpër burgjet e diktaturës, e ndërkohë ka trajtime të veçanta për veteranët: persona që kanë marrë pjesë në luftën antifashiste, por që kanë qenë shpeshherë edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të regjimit komunist).
3. Krijimi i lehtësirave për banim, punësim dhe arsimimin e fëmijëve tanë. (Shumë nga fëmijët e ish-të burgosurve politikë janë rritur në kushte të rënda dhe pa mundësinë e një shkollimi të duhur).
4. Lehtësimin në marrjen e vizave dhe kurimin falas për të gjithë ata të burgosur politikë dhe familjarë të tyre, që kanë mbetur me pasoja nga trajtimet njerëzore gjatë kohës së hetuesisë dhe burgut nën regjimin komunist.
5. Kompensimin e pronave të sekuestruara arbitrarisht nga regjimi komunist dhe të njohura nga shteti postkomunist.