Nga PKSH, PPSH deri te PSSHNga Luljeta Progni(Gazeta “TemA” vijon të botojë pjesë nga libri i autores me titull “Trashëgimtarët. Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë”, botuar nga “IDEART”. Libri përmban materiale arkivore, analiza
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nga PKSH, PPSH deri te PSSHNga Luljeta Progni(Gazeta “TemA” vijon të botojë pjesë nga libri i autores me titull “Trashëgimtarët. Partia Socialiste midis transformimeve dhe vazhdimësisë”, botuar nga “IDEART”. Libri përmban materiale arkivore, analiza dhe intervista të protagonistëve që kanë ndërtuar historinë e një prej partive më të mëdha dhe më të rëndësishme të skenës politike shqiptare në periudhën e tranzicionit nga regjimi komunist në sistemin pluralist)
Një ndër debatet e Kongresit të 10 të PPSH ishte edhe çështja e emrit të partisë. Një pjesë e konsiderueshme e udhëheqjes së PPSH, përfshirë edhe Ramiz Alinë, ishte e mendimit se nuk ishte e nevojshme të ndryshohej emri. Por për të rinjtë që do ta drejtonin këtë parti ndryshimi i emrit konsiderohej pjesë e rëndësishme e ndryshimit të imazhit. Konsiderohej i domosdoshëm një tjetër emër për këtë parti, me qëllim që të largohej vëmendja nga trashëgimia komuniste e saj. Por ajo çfarë po tentohej ishte vetëm riemërtimi i PPSH, dhe ky nuk ishte i pari riemërtim që i bëhej partisë së themeluar në 8 nëntorin e vitit 1941. Në vitin 1948, në Kongresin e Parë të PKSH, kryetari Enver Hoxha, propozoi që emri PKSH të kthehej në Partia e Punës së Shqipërisë. Propozimi vinte nga Stalini, kreu i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1). Kongresi i parë i PKSH u mblodh më 8 nëntor 1948, shtatë vjet pas themelimit të PKSH. Në këtë kongres një ndër pikat më të rëndësishme ishte edhe ndryshimi i statutit të partisë. Në rrethana të caktuara politike Enver Hoxha vendosi të ndryshojë emrin e Partisë Komuniste Shqiptare, pikërisht në atë kongres të parë, kur dhe po demaskohej grupi armiqësor i Koçi Xoxes. Në raportin e mbajtur në kongres, Sekretari i Parë i KQ të PKSH, Enver Hoxha, deklaroi: “Kongresi i Parë i Partisë Komuniste Shqiptare, vendosi ndryshimin emrit të partisë nga Partia Komuniste e Shqipërisë në Partia e Punës së Shqipërisë. Ky ndryshim i emrit lidhet me përbërjen shoqërore të vendit e të partisë dhe nuk cenon karakterin dhe qëllimin e saj”. Në Shqipëri shumicën e popullsisë, rreth 80% e përbënte fshatarësia. Kjo pasqyrohej edhe në parti, ku shumica e anëtarësisë përbehej nga fshatarësia. PPSH do të jetë Partia Komuniste në vazhdim. Në librin e Enver Hoxhës, “Me Stalinin”, bëhet fjalë për momentin kur Enver Hoxha në takim me Stalinin në Moskë flasin për ndryshimin e emrit të partisë nga Komuniste Shqiptare në PPSH. Në atë takim ishte folur edhe për legalizimin e partisë, pasi PKSH që prej themelimit të saj konsiderohej parti në ilegalitet, edhe pse kishin kaluar katër vjet qysh kur kjo parti kishte ardhur në pushtet, pas çlirimit të vendit më 1944.
“Më 14 korrik arrita në Moskë në krye të delegacionit të parë zyrtar të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare për një vizitë miqësore në Bashkimin Sovjetik”. Për takimin me Stalinin Enver Hoxha shprehet: ”Veç të tjerash shoku Stalin shfaqi mendimin që partia jonë komuniste, meqenëse përqindja e komunistëve fshatarë në radhët e saj ishte më e madhe, të quhet “Partia e Punës e Shqipërisë”. Sidoqoftë tha ai, unë dhashë një mendim, dhe jeni ju, partia juaj që do të merrni vendimin.
Ne do ta shtrojmë propozimin tuaj në kongresin e parë të partisë që jemi duke përgatitur, dhe kam bindjen se si baza e partisë, ashtu edhe udhëheqja e saj do të gjejnë me vend e do të aprovojnë propozimin tuaj….” (2).
Në kongresin e dhjetë të PPSH, më 12 qershor 1991, 43 vjet pas kongresit të parë të kësaj partie, kur u ndryshua emri nga PKSH, në PPSH, kjo e fundit u riemërtua Partia Socialiste e Shqipërisë. Emri i ri i PPSH u përcaktua pikërisht në sallën e kongresit të dhjetë të kësaj partie. Kishte disa versione për emrin e ri të partisë, pasi ishte përjashtuar versioni i vazhdimësisë me të njëjtin emër. Për t’u veçuar është propozimi për ta quajtur Partia e Progresit të Shqipërisë, propozim që garantonte mos-ndryshimin e inicialeve. Emri Partia Socialiste e Shqipërisë ishte diskutuar mjaft gjerë në seancën e debatit, gjithashtu për shkak të inicialeve dhe përmbajtjes, pasi të njëjtin emër kishte edhe Partia Socialiste e Millosheviçit në Serbi. Megjithatë, në fund të debatit emri i ri u vendos dhe u pranua nga të gjithë delegatët e kongresit. A mund ta përkthenin riemërtimin si zëvendësim delegatët e kongresit: “S’ka më PPSH, tani jemi një forcë tjetër politike”.
Pa bërë as pastrimin më të vogël të ndërgjegjes, drejtuesit e rinj të PSSH (të cilët gjithsesi vinin nga radhët e PPSH, por nga nivele më të ulëta se Byroja Politike e KQ), nisën punën për ndryshimin e imazhit të partisë. Po ata nuk kishin bërë një akt minimal, s’kishin kërkuar ndjesë publike për të shkuarën kriminale të partisë së tyre. Pa dyshim, ndryshimi i imazhit kishte filluar që me ndryshimin e emrit dhe të emrave që do të zgjidheshin në forume, apo edhe me emërtimin e vetë forumeve. Emërtimi Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH, zëvendësohej me emërtimin kryetar i partisë. Komiteti Qendror i Partisë zëvendësohej me emërtimin Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë. Byroja Politike u zëvendësua me Kryesinë e Partisë dhe të tjera forume i ndryshuan emërtimet e tyre. Kongresi i Dhjetë i PPSH zgjodhi si kryetar të partisë së re Fatos Nanon, të propozuar nga Ramiz Alia. Ndërsa anëtarë të forumeve drejtuese u zgjodhën figura të rëndësishme të PPSH. Në këto forume u zgjodhën edhe një grup intelektualësh, të cilët u vendosën në postet e rëndësishme të partisë, për t’i dhënë asaj një imazh të ri. Por, procesi i zgjedhjeve nuk kaloi pa kundërshtime nga salla, ende komuniste, e Kongresit të Dhjetë të PPSH. Komiteti organizator i kongresit kishte marrë disa propozime nga rrethet dhe nga salla u propozuan disa emra të tjerë për t’u zgjedhur në KPD. Është një moment për t’u veçuar. Kandidatura e Dritëro Agollit u refuzua nga salla, por me kujdesin e Ramiz Alisë dhe të grupit organizator të këtij kongresi, kandidatura e Agollit u përfshi përsëri dhe, siç pohojnë të gjithë protagonistët e kongresit, veçanërisht ata që u morën me organizimin, kandidatura e Agollit u përfshi në KPD me anë të manipulimit të votave, pasi delegatët nuk e harruan kritikën e ashpër ndaj figurës së Enver Hoxhës. Ky është një moment që dëshmon se ajo sallë kongresi e mbushur nga më shumë se një mijë delegatë nga e gjithë Shqipëria, përbënte edhe frymën e partisë së re. PPSH dhe më tej PS, nuk ishin ndarë aspak nga e shkuara e komuniste. Edhe vetë Agolli e pohon faktin që është zgjedhur me manipulim në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të PS (3).
“Veprimet e ndërmarra në këtë kongres shënuan fillimin e një rivlerësimi zyrtar të historisë së pasluftës së Shqipërisë. Partia ishte për nga organizimi dhe ideologjia, një hije e vetes së saj. Pas një spastrimi në shkallë të gjerë të udhëheqjes së partisë, nisi të reformohej ideologjia e partisë; manifesti i saj i ri thoshte, se PS do të ishte moderne dhe progresive, e përkushtuar ndaj demokracisë, drejtësisë sociale dhe reformave ekonomike. Në këtë mënyrë shpresohej të vendosej partia në një linjë me partitë e majta të Evropës Perëndimore”. (4)
Në të vërtetë bazat marksiste të programit të PSSH hedhin poshtë këtë konstatim, edhe pse ndryshimet ishin të rëndësishme, duke e krahasuar PSSH e sapokrijuar me PPSH e pak muajve më parë. Por thelbi ideologjik kishte mbetur dhe kjo u bë shkak për një debat të brendshëm mjaft të ashpër në vitet që pasuan.. PS nuk u nda nga e shkuara e saj komuniste në Kongresin e 10 të PPSH për disa arsye. Pavarësisht se programi dhe statuti i kësaj partie ndryshoi bashkë me emrin, duke u përshtatur në kushtet e një sistemi pluralist, kjo nuk i plotëson kushtet për ta konsideruar PS të ndarë nga e shkuara e vet komuniste. Thelbi i programit të PS mbeti sërish teoria marksiste. Që në hyrje të programit të PS sanksionohet teoria marksiste si pikë kyçe ku mbështet programi politik i saj. Grupi i punës, i ngarkuar të reformojë programin e PPSH, për ta përshtatur me PS, pati kontradikta për sa i përket vendit që do t’i lihej Marksit në program. Vetë Ramiz Alia ishte mbrojtësi i idesë së përfshirjes së teorisë së Marksit në programin politik të PS. Ky është një element mjaft i rëndësishëm që tregon se PSSH ishte vazhdimësi e PPSH. Në grupin e punës për përgatitjen e programit pati disa kundërshtime në këtë pikë. Një prej kundërshtarëve ishte edhe Moikom Zeqo. Diskutimi i tij në Byronë Politike ku po debatohej rreth ndryshimeve të programit, ka në thelb pikërisht kundërshtimin ndaj përfshirjes së Marksit në programin politik të partisë.
“Moikom Zeqo: materiali i paraqitur për mendimin tim është më tepër bashkim mekanik i grupeve të punës. Nuk pasqyrohet qartë se çfarë e shkëput këtë parti nga e kaluara. Analiza e së kaluarës është kësaj radhe me rëndësi kolosale historike. Duhet pasur parasysh se ne po hyjmë në një shoqëri demokratike pluraliste, me elemente të tregut të lirë, që nuk kanë të bëjnë fare me atë koncept që kemi pasur deri tani për socializmin totalitar, të dështuar. Definicione publicistike mund të bësh, definicione politike mund të bësh dhe në një kongres mund të bëhen shumë oratorira. Por sot është diçka më serioze se kaq. Duhet të synojmë një definicion sa më të mirëfilltë. Çfarë do të përcaktojmë në marksizëm? Çfarë mbetet prej tij e palëkundur? Mbase mbetet dialektika e parime të tjera, siç është drejtësia sociale etj.
Ramiz Alia: Dialektika ka ekzistuar shumë kohë më parë…
Moikom Zeqo: Dialektikën ne nuk e respektuam, ishte dialektikë retorike. Në programin e partisë ne mund të quanim marksiste një gjë që të tjerët nuk ta quanin marksiste. Ose ne hedhim poshtë një gjë që të tjerët e quajnë marksiste. Kjo do të krijonte një konfuzion shumë të madh. Ne paraqitemi kështu para botës, para kombit? Ne do të krijonim telashe të tilla, luftëra të pafundme teorike, të cilat do na kushtonin. Do të bëheshim si në mesjetë, teologjira shterpe të skajshme. Kur Kostandinopoja bie, nuk bëhen diskutime teologjike çfarë seksi kanë engjëjt”. Unë propozoj që formula “marksizëm-leninizmë” të hiqet si formulë aspak shkencore dhe konfuze dhe të themi se partia frymëzohet dhe udhëhiqet nga ideologjia e socializmit demokratik evropian, nga humanizmi” (5).
Moikom Zeqo foli për nevojën e reflektimit në raport me figurën e Enver Hoxhës, si dhe për të gjitha elementet e tjera të programit të partisë, siç ishte çështja e sistemit ekonomik, mirëpërcaktimi i sistemit dhe pashmangshmëria e kapitalizmit në ekonominë shqiptare, në kushtet e reja politike të fillimviteve ‘90. Kritika e Moikom Zeqos në mbledhjen e Byrosë Politike të 13 prillit 1991 nuk u reflektua në projektprogramin e paraqitur nga grupi i punës për hartimin e programit të ri të partisë. U pa e arsyeshme që ndryshimet të bëhen më gradualisht se kaq. Marksizmi si teori mbeti në thelbin e programit të PPSH, e cila dy muaj pas kësaj mbledhje u bë PSSH. Mendimi konservator brenda PPSH dominoi mbi atë liberal dhe teoria marksiste u vendos në krye të programit të PSSH.
“Bazat teorike të programit të PSSH mbështeten në arritjet më të rëndësishme ideore e kulturore të njerëzimit dhe të kombit tonë:
Në trashëgiminë historike të mendimit social-përparimtar shqiptar, në traditën demokratike dhe atdhetare të popullit tonë, në aspiratën dhe luftën e tij për liri, barazi, drejtësi sociale e përparim:
Mbështetet në kulturën teorike të trashëguar nga njerëzimi e në veçanti në filozofinë humaniste, në idetë e Marksit, të para në mënyrë kritike e në përputhje me zhvillimet e sotshme” (6).
Kongresi i dhjetë i PPSH miratoi ndër të tjera edhe një dokument të rëndësishëm, i cili u quajt “rezoluta për fshatin”. Qëndrimi i PSSH për fshatin, për pronën, për tokën nuk kishte ndryshime thelbësore me qëndrimin e PPSH. Siç parashikohej, pronësia e shtetit mbi tokën dhe organizimi i fshatit lipsej të vazhdonte në bazë kooperativash bujqësore. Në rezolutë theksohej se pronësia e shtetit mbi tokën duhej parë si prioritet për të mbajtur nën kontroll të gjitha përpjekjet e ish-pronarëve për të rimarrë pronën e tyre.
“Edhe pse vija e partisë për fshatin e bujqësinë do të vazhdojë të sqarohet e të plotësohet, në programin e saj ekonomik dhe ekonomik e social, rikonfirmohet edhe një herë se në bujqësi do të zotërojë struktura prodhuese kooperativiste e shtetërore…Toka, siç është theksuar edhe në programin e partisë, do të jetë pronë e shtetit. Dhënia e saj në përdorim vetjak e shoqëror do të bëhet me rregull e nën kontrollin e komisioneve të posaçme shtetërore” (7).
Programi me bazë marksiste, rezoluta për fshatin dhe elemente të tjera që e lidhin ende PSSH me të shkuarën e saj komuniste, u miratuan në Kongresin e Dhjetë të PPSH, dhe PSSH funksionoi me këtë program deri në kongresin e dytë të saj. Kjo është një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë komuniste të PPSH. Njëri prej nënkryetarëve të zgjedhur të partisë së re, Ismail Lleshi, dëshmon se: “atë ditë të 12 qershorit nuk ndodhi asnjë ndryshim tjetër përveç emrit”. Ai thotë se këtë e ka pohuar në kongres, i zgjedhur të drejtonte pikërisht seancën ku po shpallej formacioni i ri politik, i dalë nga kongresi i PPSH. Ismail Lleshi shprehet se: “Ne po i ndryshojmë emrin partisë dhe asgjë më shumë. Kongresi i Dhjetë mua më është dukur si një lloj funerali. U krye një ceremoni mortore pa protokoll, pa fjalë rasti dhe as i zoti i shtëpisë nuk ishte dhe nuk foli” (8).
Pas një sërë ngjarjesh të zhvilluara në tri ditët e Kongresit të Dhjetë të PPSH, më 12 qershor 1991, nga ky kongres u shpall Partia Socialiste e Shqipërisë, pa marrë asnjë përgjegjësi për të shkuarën e saj komuniste dhe për krimet që paraardhësit e tyre kishin kryer mbi popullin shqiptar. Socialistët e dalë nga PPSH deklaruan distancimin nga partia mëmë dhe rekomanduan që me PPSH të merret historia. Partisë së plakur ata i morën anëtarësinë, strukturat, madje edhe ish-drejtues (9).
“PS lindi në Kongresin e Dhjetë dhe të fundit të PPSH. Nisur nga ky këndvështrim mendoj dhe e kam shprehur se ne kishim përgjegjësi dhe detyrim që të kërkonim një ndjesë për aq sa na takonte ne, për gabimet e së kaluarës totalitare të PPSH. Nevojitej që për aq sa të ishte e mundur të vihej e drejta në vend, dhe kjo jo vetëm për figura të njohura, të ndëshkuara nga PPSH, por edhe për të tjerë. Ne si PS, njerëz që vinim në pjesën më të madhe nga PPSH, duhet të kërkonim një ndjesë publike, pasi ishim njerëz që kishim punuar në aparatin e PPSH. Ishte një marrëzi e madhe e sistemit komunist dënimi dhe përndjekja e një shtrese të caktuar të popullsisë, ku përfshihen ish-pronarë apo të tjerë, të cilët nuk i përkisnin asaj pjese që thuhej se kishte bërë krime gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për atë kategori që u dënua pa të drejtë unë nuk kam parë apo dëgjuar të jetë kërkuar ndjesë nga PPSH apo PS në mënyrë zyrtare. Ka pasur zëra të veçuar, por jo konkretë dhe publikë. Për politikën e mbrapshtë të PPSH nuk është bërë asnjë deklaratë konkrete që të kërkohej ndjesë. Është hartuar një material kur u krijua PS, ku flitej për dënimin e së kaluarës së PPSH, por nuk jam i sigurt se sa bëhet fjalë për falje publike. Por duhet pasur mirë parasysh se përmasat reale të vrasjeve dhe persekutimeve nuk diheshin mirë, pasi, nuk dihej se cili ishte faji i atyre që ishin vrarë apo persekutuar nga PPSH. D.m.th. nuk dihej mirë përmasa reale e tragjedisë komuniste, megjithatë, tashmë është bërë e ditur dhe është vendi për të kërkuar falje publike. Unë mendoj se PS nuk e ka bërë siç duhet këtë gjë” (10).
_________________
1. Hoxha, Enver, “Me Stalinin” Kujtime, Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë, fq. 579 1979.
2. Hoxha Enver, po aty.
3. Agolli Dritëro, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 12.06.2009.
4. Pettifer James, Vickers Miranda, (From Anarchy to a Balkan Identity). New York University Press; New York,. 1997, f. 67.
5. Zeqo Moikom, Diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike lidhur me ndryshimet në programin e partisë, 13.04. 1991.
6. PPSH, Kongresi i 10 i PPSH, Përmbledhje Materialesh, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1991.
7. PPSH, Kongresi i 10 i PPSH, Përmbledhje Materialesh, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1991, f. 141-147.
8. Lleshi Ismail, Intervistë marrë nga autorja, 30.01.09
9. PPSH, Kongresi i 10 i PPSH, Përmbledhje Materialesh, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1991, f. 157.
10. Dede Spiro, (intervistë marrë nga autorja e punimit), 12.01.09.