E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Caka, Strasburgu 3 mijë euro gjobë për Shqipërinë

 

Fatos Mahmutaj

Lulzim Caka, ish-i forti i Myzeqesë në vitin 1997 humb gjyqin në Strasburg.Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vulosur ditën e djeshme dënimin me 25 vjet burg për 39-vjeçarin nga Samataica e Bertait, i cili për disa vite me radhë ka qenë tmerri i zonës midis qyteteve të Fierit, Beratit dhe Lushnjës. Lulzim Caka është dënuar për disa vrasje të kryera në zonën e tij, për llogari të ish-miqve të tij në fisin Çala të fshatit Rërëz. Caka ka humbur në gjykatë disa prej kërkesave të tij, ndërsa ka fituar vetëm ato që kanë të bëjë me zhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor ndaj tij duke përfituar për këtë një dëmshpërblim prej 3 mijë euro. Këtë shumë, sipas vendimit të Strasburgut, i cili është pranuar unanimisht nga tetë gjykatësit që kanë shqyrtuar dosjen, qeveria shqiptare duhet ta paguajë në favor të Cakës, brenda 6 muajve së bashku me interesat bankare. Kështu gjykata ka çmuar se nuk ka shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për sa i përket mungesës së një avokati gjatë një pjese të gjyqit në ngarkim të tij, në momentin kur avokati i zgjedhur e kishte braktisur, ndërsa i dënuari nuk ishte paraqitur në gjyq. Në këtë linjë, gjykata argumenton se Caka ka pretenduar se nuk kishte para të paguante një avokat, çka nuk është e vërtetë, pasi ka rezultuar se ai gjatë gjykimit në faza të ndryshme ka paguar gjithsej 5 avokatë. Më tej Strasburgu ka argumentuar se nuk ka shkelje ligjore për sa i përket refuzimit të gjykatës për të lejuar ridëgjimin në gjykim të një dëshmitari, të kërkuar nga Caka. Po kështu, Strasburgu pohon se Gjykatat Shqiptare kanë gabuar kur argumentojnë se nuk duhet të pyeteshin në proces tre dëshmitarë të ngjarjes për të cilën akuzohet Caka, por kanë pranuar të shqyrtojnë dëshmitë që ata kanë dhënë në policinë gjyqësore. Më tej Gjykata e Evropiane pohon se një tjetër shkelje e Konventës është fakti se në Gjykatën e Beratit, ku Caka është gjykuar fillimisht, ka dështuar seanca gjyqësore ku priteshin të merreshin katër dëshmi në favor të të gjykuarit. Thuajse të njëjtën shkelje ka evidentuar kjo gjykatë edhe për faktin e mos dëgjimit nga gjykata të tre dëshmive në favor të Cakës. Në fund Strasburgu ka vendosur se shteti shqiptar, si palë e paditur në këtë proces duhet t’i paguajë Cakës, brenda tre muajve nga data në të cilën bëhet gjykimin përfundimtar, tre mijë euro në lidhje me dëmin jo pasuror, plus çdo lloj tatimi të aplikueshëm në Shqipëri. Në fund gjykata ka refuzuar pretendimet e tjera të cilat Caka i ka paraqitur vetëm për kënaqësi. Aktualisht Caka ndodhet në burgun e Peqinit ku po vuan dënimin me çerekshekulli burg që ka marrë nga drejtësia në vitin 2001. rreth një vit më parë prokuroria nisi hetimin ndaj Cakës, për disa krime të tjera që ai i ka kryer gjatë viteve 2001 deri në 2003, kohë të cilën e kaloi jashtë burgut pasi mundi të arratisej nga qelia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›