E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riciklimi i mbetjeve sipas ligjit te Bashkimit Evropian

Si funksionon riciklimi i mbetjeve në bazë të ligjit dhe standardeve të Bashkimit Europian?

BE ka krijuar një sistem të mbikëqyrjes dhe kontrollit të çdo lëvizjeje të mbeturinave brenda kufijve të vendeve anëtare, me vendet e Eftas, (Shoqatës europiane të tregtisë së lirë), me organizatën e OECD si dhe vendet e treta që janë palë Kontraktuese të Konventës së Bazelit.

Lidhur me eksport-importin e mbetjeve ligji europian është i ashpër..

Për të kuptuar më mirë se çfarë do të thotë riciklim mbeturinash mjafton një klikim në motorrin e kërkimit Uikipedia.

Me fjalën “riciklim të mbetjeve” kuptohen një sërë strategjish, me qëllim rikuperimin e materialeve nga mbetjet për t’i ripërdorur ato dhe jo për t’i asgjësuar.

Riciklimi parandalon shpërdorimin e materialeve potencialisht të dobishme, redukton konsumin e lëndëve të para, përdorimin e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht emetimin e gazit serë.

Materialet që përdoren për riciklim janë të gjitha mbeturinat që me anë të këtij procesi mund të ripërdoren për të prodhuar objekte të reja.

Lëndët e para që mund të riciklohen janë druri, qelqi, letra dhe kartoni, alumini, gomat, plastikat dhe pëlhurat.

“Riciklimi, thuhet në Uikipedia, është një koncept kyç në trajtimin modern të mbeturinave dhe është një komponent i pazëvendësueshëm në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve”.

Po si funksionon eksport-importi i mbetjeve urbane që përdoren për riciklim nga një vend në tjetrin qoftë ky anëtarë i BE apo jashtë tij?

BE ka krijuar një sistem të mbikëqyrjes dhe kontrollit të çdo lëvizjeje të mbeturinave brenda kufijve të këtyre vendeve dhe me vendet e Eftas, shoqatës europiane të tregtisë së lirë, me organizatën e OECD si dhe vendet e treta që janë palë Kontraktuese të Konventës së Bazelit.

Ligji nr. 1013 i vitit 2006, i Parlamentit dhe Këshillit Europian lidhur me dërgimin e mbeturinave synon fuqizimin, thjeshtëzimin dhe saktësimin e procedurave të kontrollit të dërgimit të mbetjeve me qëllim përmirësimin e mbrojtjes së ambjentit, duke reduktuar kështu rrezikun e dërgesave të mbeturinave të pakontrolluara.

Ky ligj aplikohet për të gjitha lëvizjet e mbeturinave, import-eksportin e tyre nga një vend në tjetrin, brenda komunitetit europian apo edhe tranzitit me vendet e treta.

Më tej, thuhet se ligji përfshin të gjitha llojet e mbetjeve për tu dërguar me përjashtim të mbetjeve radioaktive.

Në këtë ligj thuhet se të gjithë personat e përfshirë në dërgimin e mbeturinave duhet të marrin masat e nevojshme për tu siguruar se mbeturinat janë menaxhuar me metoda ekologjikisht bashkëkohore në të gjithë procesin që nga mbledhja e deri në rikuperimin e materialit të ri.

Ligji i BE për tranzitin e mbeturinave parashikon gjithashtu dispozita të tjera për tu aplikuar, siç është ndalimi kategorik i përzierjes së mbeturinave gjatë dërgimit, si dhe disponueshmëria e përshtatshme e të gjitha informacioneve për publikun, por edhe detyrimin e autoriteteve kompetente, destinuesit dhe impiantet e interesuara për ruajtjen e dokumentave dhe informacioneve.

Ndalohen eksportet e mbeturinave të rrezikshme, të destinuara për riciklim, me përjashtim të atyre vendeve në të cilat aplikohet vendimi i OECD-së.

Interpretimi i këtij ligji lë të kuptohet se tranziti dhe përpunimi i mbetjeve është i mbështetur në ligjet dhe standardet e BE. Ose thënë me thjeshtë; përpara se mbeturinat te eksportohen nga vendet përkatëse, i nënshtrohen një rregulli, sipas të cilit më parë duhet të ndahen sipas kategorisë, të pastrohen, të paketohen, të përmbajnë informacionet e nevojshme dhe më pas të shkojnë në destinacion për t’u ricikluar.

Riciklimi i mbeturinave është një procedurë që aplikohet pothuajse në të gjitha vendet europiane, kryesisht ato me një industri përpunimi të zhvilluar.

Gjermania është një nga vendet e BE, e cila eksporton dhe importon kategori të ndryshme mbeturinash me qëllim riciklimin e tyre.

Por edhe Italia dhe Franca, Britania e Madhe, Greqia, Rumania dhe vende të tjera.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›